Para marrëveshjeve të Brukselit, Kosova dhe Serbia kanë qenë të mbyllura hermetikisht, dy sisteme të ndryshme qeverisëse që ngjajnë me shtete totalitare që mes vete kanë mure. Sot ka një komunikim të padukshëm, por të rëndësishëm.
Isha shumë i lumtur, kur në vitin 2010 prindërit e mi po udhëtonin me autobus drejt Beogradit, për të më vizituar. Ishte vizita e tyre e parë që po më bënin, pas shumë vitesh që jetoja në kryeqytetin e Serbisë. M’u lajmëruan kur e kaluan Merdaren, fshat ky, ku për Kosovën është vendosur kufiri, kurse për Serbinë një kalim administrativ. Ishte një mundim që edhe vet e kisha kaluar disa herë.
Në përpjekje për të ndihmuar njërin nga prindërit e mi për vizitë te mjeku në Beograd, i kisha ftuar të dy prindërit të vinin këtu. Por, për këtë më duhej një letër, miratim i ministrit, ose i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të kaluar Merdaren.
Si bëhej kjo? – një ftesë zyrtare? Këtë ftesë e kisha siguruar nëpërmjet një mikeje të nderuar nga një organizatë joqeveritare, e cila i listoi emrat e prindërve të mi si pjesëmarrës nga Kosova në një aktivitet të saj. Kolegëve dhe miqve të mi ndërkombëtar tërë kohën u vinin familjarë nga të gjitha vendet. Për qytetarët e Kosovës ishte gjithmonë problem të hyjnë në Serbi, apo të kalojnë përmes saj me dokumentet e Kosovës.
Prindërit kurrë nuk më kanë kundërshtuar për të jetuarit në Beograd, pavarësisht se për këtë nuk janë pajtuar me zemër. Gjithmonë më thoshin që, në rast rreziku ose kërcënimi, të fluturoj për në Podgoricë. Përveç vizitës mjekësore, për mua ishte me rëndësi që prindërit e mi ta dinin se ku jetoja dhe se isha i sigurt. Për ata ishte thyerje e një miti të frikës së krijuar bazuar në përvojat e këqija dhe torturat që im at i kishte kaluar në vitet e 90-ta..
Kur arritën në Beograd, gjithçka shkoi mirë. Në tramvaj, prindërit e mi flisnin gati pa zë dhe me shenja gishtash. ‘Kur hyri policia në tramvaj, na i pa letrat që kemi ftesë për seminar për krime lufte’, më tregonte nëna. Im at edhe kishte harruar se në çfarë seminari po shkonte. Ishin dy pleq që po shkonin në seminar për t’u trajnuar.
Nga koha kur Prishtina dhe Beogradi filluan me implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, vizitat që më bëjnë prindërit nuk janë përvoja kaq dramatike. Tani ata mund të vijnë dhe të kalojnë kufirin normalisht dhe pa shumë frikë, ani pse ka edhe shumë mangësi e probleme, sidomos linjat e munguara të avionëve në mes Kosovës dhe Serbisë, mungesa e autostradës, apo radhët e gjata nëpër kalime.
Më 2014, marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, solli një grup zyrtarësh të Kosovës të shërbejnë në një zyrë ndërlidhëse në Beograd. Të kufizuar në hapësirë, ata patën jetuar për muaj në hotel. Kjo zyrë tashmë është funksionale. Edhe Serbia ka një zyre ndërlidhëse funksionale n Kosovë. Sot, një shtetas i Kosovës në rast nevoje mund të marrë asistencë zyrtare nga zyrja ndërlidhëse në Beograd. E duket se suksesin e marrëveshjes e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare; vetëm pak muaj pas fillimit të implementimit të marrëveshjes, numri i personave që kanë kaluar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas është rritur dukshëm. Disa minibusë që operonin jashtë sistemit udhëtonin rregullisht nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Tash ekzistojnë gjashtë linja të rregullta autobusi që qarkullojnë në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Në të kaluarën, siç edhe kishte ndodhur, shqiptarët nga Kosova nuk kishin mundësi të arrinin në Serbi as edhe në rast të vdekjes së ndonjë familjari, përveç në organizim të misioneve ndërkombëtare. Ishte viti 2008, më kujtohet, kur si gazetar më duhej të kaloj nëpër patrullat ushtarake dhe policore në lumin Tisa. Dhjetëra shqiptarë të Kosovës u patën mbytur në ujë duke provuar të kalonin në zonën e BE-së. Kufomat u gjenden dhe u dërguan në morg. Familjarë të tyre nga Kosova më telefononin për t’i ndihmuar në marrjen e kufomave. Por unë nuk mund t’ju ndihmoja. Ata duhej të ishin fizikisht prezent aty. Disa kufoma mbetën në morgun e Novi Sadit për një kohë të gjatë.
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë ka krijuar ura, dhe pavarësisht ankesave dhe ngecjeve, ky proces solli mjaft përfitime për qytetarët. Qarkullimi i njerëzve dhe përforcimi i komunikimit është i domosdoshëm për të krijuar një ndjenjë sigurie për të gjithë. Komunikimi shton tolerancën dhe njohjen, dhe krijon ndjesinë e normalitetit. Kjo është pjesë e rëndësishme për demokratizim dhe përballje me të kaluarën. Njerëzit lëvizin në çdo lloj kushtesh dhe rrethanash, e komunikimi zyrtar vetëm sa i përmirëson këto kushte, duke ruajtur dhe kultivuar kështu të drejtën e lëvizjes.
Sot, mijëra qytetarë dhe mërgimtarë kosovarë kalojnë nëpër Serbi me dokumente të Kosovës. Nëpër spitale të Beogradit çdo ditë takon shqiptarë nga Kosova. Ata vijnë me autobusë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Telefonat punojnë, edhe pse me vështirësi, por gjithsesi mund të komunikohet. Kosovarët mund të qëndrojnë dhe të shërbehen në hotele me dokumentet e tyre, si kush do tjetër që e viziton Beogradin. Ideja e marrëveshjeve fundja edhe është krijimi i mundësisë për lëvizje, edhe kur nuk merr pjesë në seminar.