DHOMAT E SPECIALIZUARA TË KOSOVËS PARA SHPALLJES SË AKTGJYKIMIT: KONTEKSTI, REAGIMET DHE ASPEKTET E SIGURISË

Facebook
Twitter
LinkedIn

Hyrje

Shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e caktuar për 16 shtator 2026, përbën një nga momentet më të rëndësishme në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Procesi, i cili lidhet me krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Kosovë, ka nxitur reagime të forta politike dhe shoqërore, veçanërisht në prag të shpalljes së aktgjykimit.

Ky factsheet paraqet një përmbledhje të fakteve kryesore dhe të kontekstit të çështjes, zhvillimit të procesit gjyqësor, çështjeve që lidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve dhe presionet ndaj punës së Dhomave të Specializuara, si dhe mobilizimit publik dhe çështjeve të sigurisë që janë shfaqur para shpalljes së aktgjykimit. Vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës se si procesi gjyqësor ndërthuret me interpretimet më të gjera shoqërore të luftës, përgjegjësisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë.

Faktet kryesore

Procesi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po zhvillohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të katërt akuzohen në dhjetë pika – gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Aktakuza i ngarkon me përgjegjësi penale individuale për krime të cilat, sipas pretendimeve të aktakuzës, janë kryer në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Të katërt janë arrestuar në fillim të nëntorit 2020 dhe më pas janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në paraqitjet e para para gjykatës, të mbajtura ndërmjet 9 dhe 11 nëntorit 2020, të katërt janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025, ndërsa i gjithë procesi i paraqitjes së provave përfundoi më 18 dhjetor 2025. Gjatë gjykimit dëshmuan gjithsej 134 dëshmitarë – 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesit e viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Fjalët përfundimtare u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë është caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Konteksti

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan në bazë të një amendamenti kushtetues të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015. Më pas u miratua edhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Amendamenti kushtetues mori 82 vota pro, pesë kundër dhe një abstenim. Këto institucione u krijuan me mandat për të gjykuar disa vepra penale të pretenduara që lidhen me gjetjet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Procesi kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhet me periudhën 1998–1999 dhe me krime të pretenduara të kryera në kontekstin e luftës në Kosovë. Sipas aktakuzës, ndër viktimat e pretenduara nuk janë vetëm pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë, por edhe shqiptarë të Kosovës që dyshohej se ishin kundërshtarë të UÇK-së ose se kishin bashkëpunuar me autoritetet serbe. Aktakuza thekson se mes viktimave kishte civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në armiqësi.

Në vitet pas themelimit, puna e Dhomave të Specializuara ka qenë objekt kritikash nga një pjesë e jetës politike dhe publike në Kosovë. Kritikat janë përqendruar te legjitimiteti i institucionit, mënyra e themelimit të tij, mandati dhe proceset kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, veçanërisht kundër liderëve politikë që pas luftës kanë mbajtur funksionet më të larta në institucionet e Kosovës.

Në një pjesë të opinionit publik shqiptar në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vazhdojnë të paraqiten kryesisht përmes rolit të tyre në UÇK dhe si figura të rëndësishme të historisë politike të pasluftës në Kosovë. Një perceptim i tillë publik mund të kontribuojë që pretendimet për krime të kryera edhe ndaj pjesëtarëve të komunitetit shqiptar të jenë më pak të pranishme në diskursin publik.

Presionet ndaj procesit dhe mbrojtja e dëshmitarëve

Kundërshtimi ndaj punës së Dhomave të Specializuara nuk është kufizuar vetëm në deklarata politike dhe kritika publike. Çështjet që lidhen me publikimin e informacioneve konfidenciale, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe pengimin e mundshëm të procesit gjyqësor kanë qenë objekt i procedurave të veçanta penale para Dhomave të Specializuara.

Një nga rastet më të rëndësishme lidhej me ish-përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Në fund të vitit 2020, ata publikisht paraqitën dokumente konfidenciale që lidheshin me punën dhe hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në materialet e publikuara kishte edhe të dhëna për dëshmitarë të mundshëm.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë në vitin 2022 për vepra penale që lidheshin me pengimin e personave zyrtarë, frikësimin gjatë procedurës penale dhe shkeljen e konfidencialitetit të procedurës. Paneli i Apelit më pas konfirmoi pjesën më të madhe të dënimeve të tyre dhe ua uli dënimet me burg nga katër vjet e gjashtë muaj në katër vjet e tre muaj.

Çështja e ndikimit të mundshëm ndaj dëshmitarëve u shfaq më vonë edhe në një proces të veçantë kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Ky proces lidhet me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe zhvillohet veçmas nga çështja kryesore kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit në vitin 2023, Thaçi dyshohet se u ka dhënë të akuzuarve të tjerë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka dhënë udhëzime lidhur me ndikimin në dëshmitë e tyre dhe ka koordinuar veprime që synonin ndikimin ndaj dëshmitarëve në çështjen kryesore.

Gjykimi në këtë çështje filloi më 27 shkurt 2026, ndërsa procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 5 gusht. Fjalët përfundimtare u mbajtën nga 10 deri më 14 shtator 2026, menjëherë para shpalljes së paralajmëruar të aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen kryesore kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Rastet që lidhen me Gucatin dhe Haradinajn, si dhe procesi aktual kundër Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, tregojnë rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të informacioneve konfidenciale për integritetin e proceseve para Dhomave të Specializuara.

Mobilizimi dhe protesta e 12 shtatorit

Në prag të 16 shtatorit, mbështetja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin u shndërrua në një mobilizim të gjerë publik. Përveç organizatave të veteranëve të luftës dhe partive politike, në fushatë u përfshinë edhe përfaqësues të sindikatave, si dhe aktorë të tjerë publikë dhe shoqërorë. Thirrje për pjesëmarrje u bënë edhe përmes xhamive në mbarë Kosovën, ndërsa organizatorët siguruan transport të organizuar nga komuna të ndryshme.

Mobilizimi ishte i dukshëm edhe në hapësirën publike. Platforma “Liria ka Emër” gjatë javëve të fundit organizoi fushatën “Kosova pret”, përfshirë edhe “Orën e pritjes”. Në prag të protestës “Marshi për Liri”, të mbajtur më 12 shtator, në Kuvendin e Kosovës u shfaq emblema e UÇK-së me mesazhin “UÇK-ja na bashkon”.

Protesta u mbajt në shesh në qendër të Prishtinës. Sipas raportimeve të një pjese të mediave, në tubim morën pjesë disa mijëra qytetarë, ndërsa media të tjera dhe pjesëmarrësit dhanë vlerësime dukshëm më të larta. Pjesëmarrësit mbanin flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe UÇK-së, si dhe pankarta me fotografitë e katër të akuzuarve dhe mesazhe të tilla si: “Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”.

Në tubim folën përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, organizatave të dala nga UÇK-ja dhe familjeve të pjesëtarëve të rënë të UÇK-së, si dhe përfaqësues politikë. Nga tubimi u dërguan mesazhe se marshohet “me UÇK-në, për UÇK-në” dhe se UÇK-ja “i bashkon” shqiptarët e Kosovës. U tha gjithashtu se tubimi nuk ishte organizuar vetëm për mbrojtjen e katër të akuzuarve, por edhe për mbrojtjen e “së vërtetës së një populli” që “luftoi për mbijetesë, liri dhe shtetin e Kosovës”.

Mesazhet politike të tubimit shkuan përtej kërkesës për lirimin e katër të akuzuarve dhe e lidhën aktgjykimin me çështjen më të gjerë të interpretimit të luftës dhe rolit të UÇK-së. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se Kosova “e kujton, e respekton dhe e mbron sakrificën e UÇK-së”, ndërsa, në kontekstin e aktgjykimit, u bëri thirrje gjyqtarëve që “të mendojnë për pasojat” e vendimit të tyre.

Protesta e 12 shtatorit përfaqëson kulmin e një mobilizimi disajavor, por jo përfundimin e tij. Aktivitete janë paralajmëruar edhe për 16 shtator, kur aktgjykimi do të shpallet në Hagë. Organizatorët kanë paralajmëruar një tubim dhe marsh në Hagë, ndërsa përfaqësuesit e organizatave të veteranëve dhe politikanët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga Kosova dhe diaspora që të marrin pjesë në aktivitetet pranë selisë së Dhomave të Specializuara. Një pjesë e organizatorëve vazhdon të shprehë publikisht pritjen për një aktgjykim lirues dhe ka paralajmëruar pritjen e katër të akuzuarve pas kthimit të tyre.

Reagimet dhe aspekti i sigurisë para 16 shtatorit

Nga ana tjetër, disa përfaqësues të organizatave të dala nga UÇK-ja kanë paralajmëruar se një aktgjykim dënues mund të shkaktojë reagime të forta dhe përshkallëzim. Një nga deklaratat më të ashpra u bë nga Nasim Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së. Sipas raportimeve të mediave, më 20 gusht ai tha se pret “përshkallëzim” të situatës në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut nëse katër ish-udhëheqësit e UÇK-së dënohen. Duke folur për pasojat e mundshme, ai tha se në atë rast “e gjithë Shqipëria” do të digjej dhe se ata që do ta festonin një aktgjykim dënues do të “digjeshin në atë zjarr”.

Një mesazh i ngjashëm, por edhe më i drejtpërdrejtë në kohë, erdhi nga Hysni Gucati më 13 shtator, një ditë pas protestës në Prishtinë. Duke reaguar ndaj mesazhit të Bashkimit Evropian se aktgjykimi i 16 shtatorit është vendim i shkallës së parë dhe se palët kanë të drejtë ankese, Gucati vlerësoi se një vendim dënues do të përbënte kriminalizim të luftës së UÇK-së. Ai paralajmëroi se “një vendim i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt”, duke thënë se një vendim i tillë “prodhon plagë të reja”, “tension” dhe “konflikt të ri”.

Për pasojat e mundshme të sigurisë nga aktgjykimi ka folur prej kohësh edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Megjithatë, më 13 shtator, pas protestës në Prishtinë, ai tha se pret nga KFOR-i të garantojë sigurinë e të gjithë banorëve të Kosovës dhe se nuk beson që aktorëve evropianë dhe amerikanë u intereson çfarëdo forme dhune.

Në prag të 16 shtatorit, Policia e Kosovës njoftoi se kishte ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë dhe kishte përgatitur një plan të angazhimit policor lidhur me aktivitetet dhe tubimet e pritshme me rastin e shpalljes së aktgjykimit. Më 14 shtator, Policia mbajti një takim informues dhe koordinues në Drejtorinë e Përgjithshme, ku u prezantuan plani dhe angazhimet policore për 16 shtatorin. Sipas Policisë, janë zhvilluar edhe konsultime me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së dhe OSBE-në.

Policia deklaroi se do të angazhojë njësitë e saj për të garantuar sigurinë e qytetarëve, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike dhe për të mundësuar zhvillimin pa pengesa të aktiviteteve të parashikuara. Në të njëjtën kohë, Policia theksoi se planifikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë në situata kur priten tubime publike dhe prani më e madhe e qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore, të orientuara drejt sigurisë së përgjithshme.

Po atë ditë, Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i dhe EULEX-i prani të shtuar, veçanërisht në mjediset e përziera dhe në zonat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. Partia u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare të sigurisë që të ndërmarrin masa parandaluese për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe që, në kuadër të mandateve të tyre, të kërkojnë nga Policia e Kosovës veprim profesional, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

Më 9 shtator, duke iu përgjigjur pyetjeve të Radio KIM-it lidhur me situatën e sigurisë para shpalljes së aktgjykimit, KFOR-i deklaroi se “situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile”. Në të njëjtën kohë, KFOR-i bëri të ditur se mban një prani vigjilente dhe fleksibile në gjithë Kosovën dhe se është i gatshëm të reagojë ndaj zhvillimeve të mundshme. Gjithashtu theksoi se vazhdon të jetë në kontakt me të gjitha komunitetet, përfshirë komunitetin serb.

Në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike, vëmendja është përqendruar në atë se si reagimet politike dhe publike ndaj aktgjykimit mund të ndikojnë në situatën më të gjerë të sigurisë. Informacionet e disponueshme deri më tani nuk konfirmojnë ekzistencën e ndonjë plani konkret për dhunë ndaj cilitdo komunitet. Në të njëjtën kohë, ekzistojnë paralajmërime publike për përshkallëzim të mundshëm, planifikim i shtuar policor, mobilizim politik dhe vëmendje e shtuar nga aktorët ndërkombëtarë të sigurisë. Në këtë kontekst, reagimet e aktorëve politikë, organizatorëve të protestave dhe institucioneve të sigurisë do të jenë të rëndësishme për ruajtjen e rendit publik dhe stabilitetit ndëretnik.

Përfundimi

Para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, procesi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka tejkaluar kornizat e një procesi gjyqësor dhe është shndërruar në një çështje të rëndësishme politike dhe shoqërore në Kosovë. Mobilizimi disajavor, përfshirja e partive politike, organizatave të veteranëve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë, si dhe protesta e mbajtur më 12 shtator në Prishtinë, tregojnë një nivel të lartë të interesimit publik dhe ndjeshmërisë politike që e shoqëron këtë proces.

Në të njëjtën kohë, deklaratat publike të disa përfaqësuesve të organizatave të dala nga UÇK-ja për një përshkallëzim të mundshëm kanë drejtuar vëmendje shtesë te aspekti i sigurisë në prag të aktgjykimit. Misionet ndërkombëtare të sigurisë vlerësojnë se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile, duke theksuar njëkohësisht gatishmërinë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të mundshme.

Reagimet para aktgjykimit tregojnë se procesi gjyqësor nuk perceptohet vetëm si çështje e përgjegjësisë penale individuale të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Për një pjesë të shoqërisë kosovare, çështja e përgjegjësisë së tyre vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me interpretimin e luftës, rolin e UÇK-së dhe identitetin e pasluftës të Kosovës. Në anën tjetër, vetë procesi para Dhomave të Specializuara bazohet në përcaktimin e përgjegjësisë penale individuale për krime konkrete të pretenduara. Pikërisht ndërmjet këtyre dy qasjeve mbetet e hapur çështja më e gjerë e raportit të shoqërisë kosovare ndaj trashëgimisë së luftës dhe gatishmërisë për ta trajtuar atë përmes prizmit të përgjegjësisë, viktimave dhe fakteve.

Aktgjykimi i caktuar për 16 shtator është një vendim i shkallës së parë dhe nuk shënon përfundimin e procesit gjyqësor. Pesha e tij juridike do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme gjyqësore, ndërsa mënyra se si do të pranohet dhe interpretohet në shoqërinë kosovare do të hapë çështje më të gjera për raportin ndaj trashëgimisë së luftës, përgjegjësisë dhe përvojave të ndryshme të viktimave.

Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e OJQ Aktiv dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, apo Suedisë.

        SDC

NGO AKTIV Mitrovica