Më 30 nëntor 2022, në një konferencë në Beograd, OJQ Aktiv prezantoi rezultatet e hulumtimit “Analiza e trendit 2022: Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë”, i cili paraqet trendet kryesore sociale, ekonomike dhe politike në shoqërinë në të cilën serbët jetojnë në Kosovë.
Pjesëmarrësit e konferencës vlerësuan se rezultatet e qëndrimeve të serbëve të Kosovës duhet të shërbejnë për inicimin e iniciativave që çojnë në respektimin më të madh të ligjeve që mbrojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë, dhe për të ngritur cilësinë e jetës së serbëve në Kosovë.
Duke paraqitur vlerësimin e përgjithshëm të rezultateve të “Analizës së Trendit”, drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv Miodrag Milliqeviq deklaroi se është treguar qëndrimi real i serbëve të Kosovës ndaj ngjarjeve aktuale dhe pritjeve të së ardhmes.
“Raporti është pesimist, por është realiteti i ashpër që ka mbizotëruar në 20 vitet e fundit. Me këtë raport dhe këto performanca, ne duam të inkurajojmë politikanët që të shikojnë një pamje më realiste dhe të gjejnë mekanizma për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Milliqeviq.
Në prezantimin e raportit, Millica Orlloviq, kryetare e Zyrës së OJQ-së Aktiv në Beograd, tha se një nga gjetjet kryesore është përkeqësimi i situatës së sigurisë, ku paqëndrueshmëria politike është shënuar si rreziku më i madh i sigurisë.
“Thelbi i këtyre rezultateve është se ekziston frika se cilat do të jenë pasojat e çështjeve ende të pazgjidhura, si p.sh. formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe ka apati tek qytetarët për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare e cila do të siguronte mbrojtje institucionale, e që do të vazhdojë të ndikojë në trendin negativ të migrimit, d.m.th. largimi i pjesëtarëve të komunitetit serb nga Kosova”, theksoi Orlloviq.
Panelistët theksuan se është e nevojshme në procesin e dialogut të zgjidhen problemet që po shqetësojnë qytetarët serbë dhe në këtë mënyrë të ndalohet largimi i tyre nga Kosova.
Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35 të Konventës Nacionale të BE-së, Dragisha Mijaçiq, vlerësoi se rezultatet e hulumtimit janë mesazh për elitat politike që të vendosin se si duan ta shohin fundin e procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Situata komplekse u tregua se serbët në Kosovë do ta kenë të vështirë të pranojnë ndonjë marrëveshje dhe duke parë flukset migratore, përgjigja e zgjidhjeve është e parashikueshme, përgjigja do të jetë me shumë largimi nga Kosova sesa integrimi në institucionet e Kosovës. Prandaj është e rëndësishme që vendimmarrësit të fokusohen në këtë çështje, përndryshe do të kemi marrëveshje por nuk do të kemi serb në Kosovë”, tha Mijaçiq.
Docent i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, theksoi se ka pasur një integrim normativ por jo thelbësor të serbëve në Kosovë.
“Është shqetësues fakti se përveç arsyeve ekonomike, si arsye për largim nga Kosova ende përmendet edhe paqëndrueshmëria e sigurisë dhe politike, si dhe mungesa e të drejtave të garantuara. Pas më shumë se dhjetë vitesh dialog, konkluzioni im është se kemi pyetje që nuk duhet t’i kemi, të cilat janë arsyeja e largimit të serbëve nga Kosova”, tha Surlliq.
Zëvendësdrejtori i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë, Bojan Ellek, tha se konstatimi pozitiv i këtij hulumtimi është se qytetarët besojnë se zgjidhja mund të arrihet përmes dialogut, por se qytetarët kanë besim që duket se është tradhtuar nga mënyra se si dialogu po zhvillohet.
“Pika më e dobët e cilindo marrëveshjeje përfundimtare do të jetë që të mos merret parasysh se si, çfarëdo që të jetë rënë dakord, mund të prekë qytetarët ne teren”, theksoi Ellek.
Pjesëmarrësit e konferencës theksuan se nevojitet veprim i gjithanshëm që të fillohet me zgjidhjen e problemit dhe t’u mundësohet serbëve të jetojnë më mirë në Kosovë.