Të enjten, më 27 qershor, në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut, OJQ Aktiv prezantoi Raportin “Gjendja e të Drejtave të Njeriut në veri të Kosovës”, i cili dokumenton shkeljet e mundshme të të drejtave të komuniteteve lokale në katër komunat veriore të Kosovës: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubini Potok, në periudhën nga tetori 2023 deri në maj 2024.
Raporti dokumenton nivelin e kërcënimeve ndaj të drejtave pronësore, lirinë e fesë, sigurinë, si dhe ndikimin e retorikës nxitëse, heqjen e dinarëve dhe shpronësimin e tokës, në komunitet. Të gjeturat tregojnë se këto probleme të serbëve në veri të Kosovës kanë sjellë pasiguri të theksuar te popullata vendase.
Pas prezantimit të Raportit, u mbajt një panel diskutim në të cilin morën pjesë Goran Avramoviq, kryeredaktor i RTV KIM dhe Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e AMPEK-ut, të moderuar nga Ivana Vanovac, kryetare e degës së UNS në Kosovë.
Panelistët u fokusuan në mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve që raportojnë në gjuhën shqipe dhe serbe. Gjatë diskutimit, panelistët ranë dakord se retorika nxitëse, që shpesh vjen nga liderët politikë, është një nxitje e drejtpërdrejtë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Gjithashtu, paneli prezantoi një retrospektivë të ngjarjeve të përshkruara në raport, e cila tregonte qartë lidhjen midis retorikës nxitëse, gjuhës së urrejtjes dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Gjatë diskutimit u theksua nevoja për një diskurs publik më të përgjegjshëm dhe bashkëpunim mes gazetarëve për uljen e tensioneve dhe nxitjen e bashkëjetesës paqësore. U theksua nevoja për një bashkëpunim më të fortë ndërmjet aktorëve të ndryshëm në shoqëri për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për problemet aktuale.
Raporti “Gjendja e të drejtave të njeriut në veri të Kosovës” paraqet një hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit të gjendjes aktuale dhe nevojave të komuniteteve lokale dhe është bazë për iniciativat dhe ndërhyrjet e ardhshme që synojnë përmirësimin e të drejtave të njeriut.
Raporti është në dispozicion KËTU.
.
.
.
..
.
.
.
.
.