Të martën, më 24 maj, në një konferencën në Prishtinë, OJQ Aktiv prezantoi publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.
Të drejtat gjuhësore në Kosovë po shkelen çdo ditë në të gjitha nivelet pa asnjë pasojë, thanë përfaqësuesit e OJQ-së Aktiv në konferencën në Prishtinë, duke paraqitur një analizë që tregon për dështimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, ndërsa jep rekomandime se si të përmirësohet situata.
U theksua se mungesa e vullnetit politik, rezistenca në komunitetin shumicë, numri i pamjaftueshëm i përkthyesve të kualifikuar, mungesa e politikës penale për mosrespektimin e të drejtave gjuhësore janë vetëm disa nga arsyet e cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhëve në Kosova.
“Respektimi jo i plotë i të drejtës së përdorimit të gjuhëve zyrtare ka vënë në pikëpyetje të drejtën për mundësi të barabarta për të gjithë, gjë që është shkelur kur bëhet fjalë për komunitetin serb dhe gjuhën dhe shkrimin e tij”, thuhet në analizë.
Duke folur në konferencë, përfaqësuesit e OJQ-së Aktiv theksuan se në Kosovë ekziston një kornizë solide legjislative që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe dhe serbe, si dhe të gjuhëve të komuniteteve të tjera, por në praktikë qytetarët përballen me shumë probleme në ushtrimin e së drejtës gjuhësore ose ushtrimin e të drejtave të tjera si pasojë e shkeljeve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, Miodrag Milliqeviq, ka kujtuar se gjuha serbe është gjuha e dytë zyrtare në Kosovë, dhe shkeljet e kësaj të drejte janë vënë në dukje me vite, gjë që tregon se problemi është i rrënjosur. Ai thekson se qytetarët çdo ditë përballen me shkelje të shumta të të drejtave gjuhësore, si nga institucionet qendrore dhe vendore, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve bankare apo telekomunikimit.
“Ne vazhdimisht insistojmë që kjo çështje të mbahet në mbajeni në sipërfaqe dhe të gjendet zgjidhje sistematike në afat të gjatë, në vend të atyre afatshkurtra”, tha ai.
Menaxherja e projektit, Tijana Grujiq, theksoi se zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht respektimi i të drejtave gjuhësore, është një nga parakushtet për qasje në të gjitha të drejtat dhe shërbimet tjera. Prandaj, thotë ajo, është e nevojshme që të avokohet për zbatimin e këtij dhe ligjeve të tjera.
“Që dikush të kuptojë se cilat janë të drejtat e tij dhe çfarë shërbimesh ka, duhet të kuptojë gjuhën në të cilën i drejtohet institucioni, si dhe të jetë në gjendje të bëjë një pyetje në gjuhën e tij dhe të marrë një përgjigje në të. Institucioni është i detyruar të komunikojë me qytetarët në gjuhën që ata kuptojnë”, tha ajo.
Sipas Grujiq, kur nuk respektohet ky ligj, nuk preket vetëm komuniteti serb, por edhe një pjesë e komuniteteve tjera që e përdorin këtë gjuhë.
“Nëse lejon që një ligj të mos zbatohet, po krijon një precedent të rrezikshëm dhe një zakon të mundshëm që ligji nuk duhet të zbatohet. Dhe të nesërmen, i njëjti zyrtar mund të zgjedhë një ligj tjetër sipas gjykimit të tij për të mos e zbatuar atë. Në atë mënyrë krijohet pasiguri juridike dhe sistemi juridik në tërësi është i dobët, gjë që nuk mund të jetë e mirë për askënd, gjegjësisht jo vetëm për serbët, por edhe për të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë”, tha Grujiq.
Nenad Talliq, autor i këtij publikimi, vlerësoi se vënia në pah e sfidave të përdorimit të gjuhës në komunitetet pakicë lidhet me çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe qytetarit.
“Shpesh mund të dëgjojmë deklarata të zyrtarëve të lartë se korniza legjislative për respektimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë është ndër më të avancuarat në Evropë, e ndoshta edhe më gjerë. Megjithatë, serbët, boshnjakët, romët dhe turqit kanë theksuar për vite se të drejtat e tyre gjuhësore të garantuara me ligj nuk janë respektuar. Janë institucionet e sistemit që janë të ngarkuara për zbatimin e zgjidhjeve të mira për sa i përket të drejtave gjuhësore nuk i respektojnë ato të drejta, pa asnjë pasojë. Pra, nuk ka një politikë të qartë penale për ata që e bëjnë këtë”, tha Talliq.
Publikimi “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve” ofron një pasqyrë të akteve ligjore që rregullojnë përdorimin e gjuhëve në Kosovë, dhe se si legjislacioni i obligon të gjitha institucionet publike dhe ofruesit e shërbimeve të respektojnë përdorimin dhe statusin e barabartë të gjuhëve zyrtare. U prezantuan problemet praktike për shkak të mos respektimit të gjuhëve zyrtare, si dhe rekomandimet për zbatimin më të mirë të ligjit.
Në analizë vihet re se ushtrimi i të drejtave gjuhësore cenohet në mënyra të ndryshme, si mosrespektimi ose respektimi i pjesshëm i ligjeve, keqinterpretimi i disa normave ligjore, mungesa e vullnetit politik për zbatimin e plotë të së drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës, mungesë të stafit profesional si përkthyes profesionistë, llektor, etj.
Në bazë të përvojave të shumta të qytetarëve, gazetarëve, zyrtarëve, përshtypja e përgjithshme tek serbët është “se gjuha serbe në Kosovë është më e rrezikuar nga institucionet publike për shkak të zbatimit jokonsistent të rregulloreve ligjore”, thuhet në analizë.
OJQ Aktiv propozoi 20 hapa konkretë për tejkalimin e pengesave në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndër to janë – futja e politikës penale për mosrespektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, harmonizimi i akteve juridike të kontestuara komunale, punësimi i përkthyesve shtesë, krijimi i një mekanizmi institucional për kontrollin e cilësisë së përkthimeve, krijimi i një fondi për mbrojtjen e të drejtat gjuhësore, duke prezantuar kurse për përkthyes, etj.
Publikimi u krijua në kuadër të projektit “Forcimi i zërave lokalë për zhvillim të barabartë (ALVED)”, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, i zbatuar nga një konsorcium organizatash të udhëhequr nga Iniciativa për Ndryshim Paqësor (PCi), në bashkëpunim me People in Need (PiN), dhe në partneritet me OJQ-në Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut dhe me zyret në Prishtinë, Beograd dhe një nëndegë në Gorazhdevc. Partnerë të tjerë janë Iniciativat Qytetare dhe Rrjeti i Peer Educators (PEN). Ky projekt është duke u zbatuar në pesë komuna të Kosovës, ndërsa OJQ Aktiv është duke e zbatuar në komunat Lleposaviq, Pejë dhe Shtërpcë.
Publikimi gjendet në linkun KËTU.