Më 29 nëntor, në Prishtinë, OJQ Aktiv prezantoi Raportin “Shpalosja e sfidave të sigurisë përbrenda komunitetit serb në Kosovë”, i cili ofron një pasqyrë të punës së mekanizmave mbrojtës të komuniteteve joshumicë, me theks të veçantë në çështjet e sigurisë në zonat me shumicë serbe.
Në Raport thuhet se komuniteti serb në Kosovë është në krizë sigurie dhe se ndjenja e pasigurisë është dominuese.
“Komuniteti serb në veri të Kosovës është i ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha të sigurisë që dolën në pah veçanërisht pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar”, thuhet në Raport.
Sipas gjetjeve, në tre vitet e fundit ka pasur rritje të ndjeshme të rasteve të kërcënimeve ndaj sigurisë personale dhe pronësore në zonat e banuara me serbë në Kosovë. Incidentet më të shpeshta të raportuara janë rastet e vjedhjeve apo grabitjeve, të ndjekura menjëherë nga sulmet fizike dhe shkaktimi i dëmeve materiale.
Duke i prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e Raportit, drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv Miodrag Milliçeviq vlerësoi se ngjarjet në veri kanë ndryshuar dinamikën politike dhe se pothuajse gjysma e të anketuarve nuk e shohin veten në Kosovë në pesë vitet e ardhshme, ndër ta dy të tretat janë të rinj.
Sipas Milliçeviq, mungesa e dialogut institucional ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, si dhe mungesa e besimit në institucionet e Kosovës, çoi në një krizë të sigurisë në Kosovë, në radhë të parë në komunitetin serb.
“Shumica dërrmuese e serbëve ndihen të pasigurt në Kosovë. Deri tani numri më i madh i incidenteve në vitin e fundit është regjistruar në veri. Fillimi i vakumit të sigurisë është dalja e serbëve nga institucionet në veri të Kosovës”, theksoi ai.
Duke analizuar qëndrimet dhe perceptimin e komunitetit serb për situatën e sigurisë, drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, theksoi se situata në veri të Kosovës kërkon zgjidhje politike, ndërsa është e nevojshme që Policia e Kosovës të rrisë transparencën kur bëhet fjalë për komunitetin serb.
Kryeredaktori i Radio Kim nga Çagllavica, Goran Avramoviq ka folur për sfidat me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë. Sipas tij, probleme në marrëdhëniet ndërmjet serbëve në Kosovë dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, përveç veriut, janë vërejtur edhe në jug të lumit Ibër, ndërsa ka thënë se në Graçanicë ka pasur më shumë ankesa për “përdorim të tepruar të forcës dhe keqtrajtim”.
Si probleme të tjera ai përmendi kufizimet e paplanifikuara në furnizimin me energji elektrike, sidomos në fshatrat e të kthyerve, mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhës, sigurinë e gazetarëve, ndërtimet pa leje, etj. Avramoviq vlerësoi se komuniteti serb i sheh këto dhe probleme të tjera si presion.
Raportin “Shpalosja e sfidave të sigurisë përbrenda komunitetit serb në Kosovë” mund ta shkarkoni KËTU.