Në një takim në Graçanicë, më 23 shkurt 2023, një grup i organizatave të shoqërisë civile nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për krijimin e një koalicioni joformal që do të punojë së bashku në fushat e ofrimit të shërbimeve sociale në Kosovë.
Me iniciativën e OJQ-së Aktiv, në kuadër të projektit Alved, pesëmbëdhjetë organizata nga komuniteti serb dhe shqiptar, të cilat merren me ofrimin e shërbimeve dhe janë të angazhuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë, themeluan një mekanizëm të përbashkët koordinimi dhe bashkëpunimi “Platforma e Ofruesve të Shërbimeve Sociale”.
Të mbledhura rreth qëllimit të përmirësimit të shërbimeve sociale, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të bashkëpunimit, OJQ-të ranë dakord të punojnë së bashku si për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ashtu edhe për mbështetjen në kohë dhe profesionale për të gjitha komunitetet.
Organizatat do të përpiqen të forcojnë kapacitetet kur ofrojnë shërbime dhe do të punojnë për të shkëmbyer informacione, njohuri, burime si dhe për të mundësuar veprime kolektive kur është e nevojshme.
“Ndër shtytësit kryesorë të Platformës dhe misionit të saj për të përmirësuar shërbimet e kujdesit social dhe familjar në Kosovë janë bashkimi i burimeve, njohurive dhe grupeve në kërkim të mundësive të zgjeruara të financimit dhe një zëri më të fortë avokues me vendimmarrësit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Një nga vlerat e kësaj platforme është përkushtimi i saj për mirëkuptim multietnik. Siç u tha, „anëtarët do të mbështesin njëri-tjetrin në kontakt me komunitetet etnike joshumicë në çdo kontekst komunal (p.sh. komunitetet joshqiptare në Pejë dhe komunitetet joserbe në Leposaviq dhe Shtërpce)“.
Deklarata dhe platforma u krijuan në kuadër të projektit „Fuqizimi i zërave lokal për zhvillim të barabartë (ALVED)“ i zbatuar nga Peaceful Change Initiative, People in Need dhe partnerët – OJQ Aktiv, Rrjeti i Iniciativave dhe Qytetare dhe Peer Educators (PEN), me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.