Nevojitet pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në dëgjimet publike nëpër komuna

Të martën, më 16 maj, në Graçanicë, OJQ Aktiv organizoi debat lidhur me publikimin e hulumtimit “Transparenca digjitale e komunave me shumicë serbe”.

Në konferencë u diskutuan temat nga hulumtimin e publikuar nga OJQ AKTIV, lidhur me prezencën digjitale dhe transparencën e komunave me shumicë serbe. Në konferencë u tha se është e rëndësishme që qytetarët të marrin pjesë aktive në debatet publike të organizuara nga pushteti lokal dhe se është e nevojshme të inkurajohen qytetarët që të kërkojnë transparencë më të madhe të atyre që zgjedhin.

Hulumtimi i OJQ-së Aktiv tregoi se komuna e Graçanicës është në vendin e parë sa i përket transparencës digjitale të komunave me shumicë serbe. Anketa tregoi se shumica e qytetarëve duan pjesëmarrje më aktive në proceset vendimmarrëse në nivel lokal.

Këshilltari i kryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi, deklaroi se rezultatet e raportit ishin të pritshme dhe rrjedhimisht shprehu shqetësimin për vetëdijen dhe angazhimin e pamjaftueshëm të zyrtarëve komunalë dhe kryetarëve të komunave në përmbushjen e obligimeve të tyre.

“Sa i përket transparencës që tregon ky hulumtim, nuk jam i befasuar. Në raportin e fundit të Ministrisë që e kemi marrë para dy javësh, sa i përket transparencës në komunat me shumicë serbe, kam vërejtur rënie të transparencës në komunat Novobërdë dhe Partesh, të cilat paraprakisht ishin renditur mirë”, tha Nushi.

Përfaqësuesja e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi, ka theksuar se transparenca në vetëqeverisjen lokale në të gjitha 38 komunat e Kosovës në vitin 2014 ka qenë mesatarisht vetëm 16%. Ajo sqaroi se institucionet publike janë në shërbim të qytetarëve, të cilët zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe paguajnë për të gjitha shërbimet e tyre.

“Përfaqësuesit janë aty për të na ofruar shërbimet dhe transparenca lidhet me detyrimet e atyre punëtorëve që kemi punësuar në institucionet publike. Ne si qytetarë kemi të drejtë të dimë se si e bëjnë punën e tyre, si i përmbushin ato obligime”, tha Metushi.

Për rolin e qytetarëve foli edhe Vlladan Trifiq nga OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë. Ai theksoi se përgjegjësinë për mungesën e transparencës nuk e kanë vetëm përfaqësuesit e komunave, por edhe vetë qytetarët.

Duke përmendur shembullin e komunës së Graçanicës, Trifiq ka treguar se pjesëmarrja në debatet publike të organizuara nga vetëqeverisja lokale është e dobët.

“Popullsia në përgjithësi është e pakënaqur, duan më mirë, duan të marrin pjesë”. Por, kur ftohen të vijnë, kur u thuhet se komuna ka detyrim të mbajë të paktën tre takime publike për buxhetin, kur u kërkohet qytetarëve të vijnë, të japin propozimet e tyre, askush, ose një numër shumë i vogël paraqiten, ose janë aktivistë partiakë apo të afërm”, theksoi Trifiq.

Në konferencë u tha se është e nevojshme të punohet në edukimin e qytetarëve, veçanërisht të popullsisë së moshuar, për njohjen e tyre me shërbimet digjitale.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni në këtë link 

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd