KUR NEVOJA PËR MBIJETESË TEJKALON PENGESAT POLITIKE DHE JETA NUK MUND TË PRESË

Jemi duke hyrë në gjysmën e dytë të vitit 2022 kurse tema e pajtimit në Kosovë në qarqet zyrtare shmanget me mjeshtëri. Qeveria e Kosovës filloi ta trajtojë këtë çështje të rëndësishme pothuajse pa u vënë re trembëdhjetë vjet pas konfliktit në Kosovë, më saktësisht në vitin 2012. Procesi në fjalë i pajtimit, i nisur nga pushteti i atëhershëm, përfundoi në mënyrë të palavdishme pas pesë vitesh të gjata, pa rezultate konkrete dhe pa përfshirjen e komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në dialog dhe ballafaqim reciprok me të kaluarën. Megjithatë, shkalla e lartë e papunësisë, inflacioni, mungesa e mundësive ekonomike, pozita e pafavorshme dhe pothuajse e zhvlerësuar e gruas në shoqërinë kosovare, janë, sipas mendimit të Qeverisë së Kosovës dhe një pjese të madhe të opinionit publik, ende çështje të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje. Duket se as në këto fusha nuk është se korrëm sukses, por gjithmonë mund ta përdorim si justifikim kur komuniteti ndërkombëtar pyet: “ku ka ngecur”?

Ndërkohë, qytetarët dhe qytetaret e nisën procesin e pajtimit informal në heshtje dhe pa shumë zhurmë, thuajse pa vetëdije. Derisa pritej një zgjidhje e re dhe një përpjekje e re formale për pajtim, numri i hipermarketeve të sapo hapura me çmime aksion në Mitrovicën e Jugut po rritej. Zbritjet në barnatore gjatë ditëve të fundjavave në veri të Mitrovicës po bëheshin gjithnjë e më atraktive. Me integrimin e gjyqësorit dhe pasi që komuna e sapoformuar e Mitrovicës së Veriut hapi dyert e saj në lagjen e boshnjakëve dhe punësoi pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, pengesat dhe ndarjet ndërmjet veriut dhe jugut u bënë gjithnjë e më të vogla.

Shqiptarët dhe serbët e Kosovës, por edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera, filluan që çdo ditë të kalojnë urën kryesore të Mitrovicës për të arritur me kohë në vendet e tyre të punës, përkatësisht në Mitrovicën veriore dhe jugore. Frika irracionale nga “ura e famshme”, e cila pas konfliktit u shndërrua në një vend ndarjeje dhe në kufi të padukshëm mes “këtyre” dhe “atyre”, “tanëve” dhe “të tyre”, me kalimin e kohës zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Kështu, ka më shumë frikë nga një portofol dhe stomak bosh, sesa nga një ura e zakonshme që ekziston kudo në botë, edhe pse nëpër botë urat më shumë shërbejnë për lidhje e jo për ndarje.

Derisa ishim në pritje të një zgjidhje të menjëhershme, jeta vazhdoi, dhe serbët e Kosovës filluan të vizitojnë gjithnjë e më shumë hipermarkete dhe qendrën tregtare të sapohapur në Mitrovicën e Jugut, ndërsa shqiptarët e Kosovës vendosën se ishte më mirë të përdornin zbritjen nga “barnatoret serbe” dhe në vend të një pako të barnave me para të njëjta të blinin dy.

Dhe kështu ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti  filloi përpjekja e dytë zyrtare për fillimin e procesit të pajtimit me krijimin e një grupi ndërministror për t’u marrë me të kaluarën. Siç mund të supozohet, nuk dihet se çfarë ka ndodhur saktësisht, dhe as kësaj radhe nuk ka pasur progres, por në qarqet e përfaqësuesve të qeverisë i gjithë faji ra mbi pandeminë e koronavirusit. Sido që të jetë, gjatë asaj kohe, një numër edhe më i madh i dyqaneve u hapën në lagjen e Boshnjakëve e cila vazhdon të jetë shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer ndëretnik në rajonin e Mitrovicës.

Si “atraksioni turistik më i vlefshëm”, vazhdon të tërheqë jo vetëm serbët e Kosovës, por edhe ata që vijnë në Mitrovicë për herë të parë nga Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit. Sepse, kush do t’i rezistonte atleteve Nike për njëzet euro dhe tutave adidas për dhjetë? Shitësit, më shumë se të kënaqur me vëllimin e punës, punësojnë punëtorë nga komunitete të ndryshme. Padyshim që po ia dalin mbanë në atë që qeveria ende po përpiqet të bëjë pa sukses, e kjo është të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe që secili prej tyre të marrë informacionin përkatës në gjuhën e vet…

Përderisa artikujt në media, së bashku me raportet e shumta nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se qytetarët e Kosovës janë të lodhur, të rraskapitur, të prekur nga inflacioni dhe rritja e çmimeve, e ashtuquajtura ura kryesore na kujton se jemi dy botë të ndryshme, individë të etur për ndryshim dhe një jetë normale ku ndihmojnë njëri tjetrin. Pra, fqinjët e tyre në “anën tjetër” luten për ndihmë kur duhet t’i çojnë kafshët shtëpiake te veterineri ose fëmijët e tyre te pediatri. Ajo që nuk është në pjesën jugore, është në atë veriorë, dikur të një qyteti të pandarë. Për fat të mirë, nevoja për të mbijetuar dhe për të jetuar një jetë disi normale, për të tejkaluar momentet politike, marrëveshjet dhe bisedimet, theu pengesa imagjinare. Edhe pse ka ende shumë hapësirë për përmirësim, njerëzit që jetojnë në Mitrovicë dhe që duan një jetë të ngjashme me jetën e atyre që janë larg nga këtu janë bërë simbol i pajtimit dhe një testament se Ibri vazhdon të rrjedhë, bisedimet vazhdojnë dhe jeta kalon shumë shpejt për të pritur për disa vendime, nënshkrime, marrëveshje ose koncesione.

Puna e organizatave joqeveritare sigurisht që nuk ishte e kotë. Megjithatë, në fund, një numër i madh njerëzish vendosën t’ia lehtësojnë jetën vetes dhe të kalojnë në anën “tjetër”, duke zgjedhur bashkëjetesën. Ndoshta janë lodhur duke udhëtuar në Rashkë për t’i çuar kafshët shtëpiake te veterineri ose fëmijët e tyre në Prishtinë te pediatri. E kuptuan ndoshta se prova më e madhe e patriotizmit është plotësimi i nevojave elementare të jetës dhe mirëqenia e njerëzve më të afërt. Beogradi është larg, Tirana gjithashtu, Brukseli edhe më larg kurse statistikat për jetëgjatësinë janë ende shumë të shkurtra për të pritur edhe më tutje. Për këto marrëveshje paqeje të heshtura nuk flitet shpesh, por as nuk duhet të flitet. Rëndësi ka që kanë filluar dhe që pavarësisht trazirave politike të zgjasin dhe të mbijetojnë. Dhe jo gjithçka është aq e zezë sa duket. Mirëpo, disa prej nesh janë lodhur duke pritur që të vendoset larg nga këtu në juridiksion të kujt është pastrimi i urës së Ibrit apo problemi i qenve endacakë. Megjithatë, deshëm apo s’deshëm, jemi më të afërt me njëri-tjetrin. E megjithatë shumë prej nesh nuk duam që jeta të na kalojë. Dhe përderisa kjo ekziston, ka shpresë. Politika le të jetë obligim dhe shqetësim i politikanëve dhe nevojat tona të përbashkëta të përditshme le të jenë mbi gjithçka, sepse jeta nuk mund të presë.

 

Millica Jakovleviq është një përkrahëse e pasionuar e pajtimit dhe ndërtimit të paqes në Kosovë. Si studente në Programin e Lidershipit Transformues të USAID-it (TLP), znj. Millica u diplomua në studimet master në Universitetin Shtetëror të Misurit në Studime Globale/Marrëdhënie Ndërkombëtare. Përvoja e saj akademike dhe profesionale në ndërtimin e paqes dhe transformimin e konfliktit i mundësoi asaj të punojë më shumë drejt përmirësimit të marrëdhënieve dhe tejkalimit të hendekut ndërmjet pjesëve jugore dhe veriore të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë luftonte paragjykimet dhe stereotipet dhjetravjeçare ndërmjet komuniteteve etnikisht të ndryshme që jetojnë në rajonin e Mitrovicës.

 

 

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e OJQ-së AKTIV dhe Koalicionit Kosovar për Pajtim dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd