Organizuar nga OJQ Aktiv dhe OJQ Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC), më 18 janar në Qendrën e Energjisë Qytetare në Graçanicë u mbajt panel diskutimi me temën “Udhërrëfyesi për luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës”, ku morën pjesë përfaqësues të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë (APK) dhe përfaqësues të sektorit civil.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për transparencë më të madhe dhe vazhdimin e luftës së përbashkët me qëllim të zvogëlimit të korrupsionit në komunat me shumicë serbe. Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se në periudhën paraprake Agjencia ka punuar në një numër të madh të rasteve në bazë të raportimeve të qytetarëve.
“Mund të garantoj që në çdo rast zbatohet ligji. Pavarësisht se kush e raporton rastin, Agjencia i trajton të gjithë njësoj, trajtimi është i njëjtë për të gjithë pa dallim pozitën apo përkatësie etnike. Në këtë mënyrë po mundohemi të kontribuojmë për ta bërë jetën pak më të mirë për qytetarët”, tha Buleshkaj.
Duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë dhe publikut që raporton rastet e korrupsionit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, Buleshkaj tha se nuk duhet të ndalemi duke bërë pyetje dhe se nuk ka raportime të gabuara.
“Edhe në rastet kur nuk jeni të sigurt nëse në të vërtetë bëhet fjalë për korrupsion, më mirë ta raportoni rastin, sepse institucionet kompetente me siguri do ta hetojnë dhe nëse nuk gjendet asgjë, të gjithë do të jenë të lumtur, por nëse zbulohet diçka, shoqëria do të jetë në fitim sepse është parandaluar një rast tjetër korrupsioni”, theksoi ai.
Ky debat shënoi fillimin e zbatimit të fazës së re të projektit “Përmirësimi i transparencës dhe sundimit të ligjit me popullatën shumicë serbe”, qëllimet e të cilit i prezantoi menaxheri i projektit Vlladimir Jovanoviq, nga OJQ Aktiv. Siç theksoi ai, projekti përfshin kryesisht katër komuna në veri të Kosovës.
“Qëllimi i projektit është të përmirësojë thellësinë dhe cilësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse përmes një sërë veprimesh që synojnë krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm, të cilët do t’u mundësojnë palëve të interesuara të monitorojnë më me kujdes dhe efektivitet punën e autoriteteve vendore dhe sektori joqeveritar, si dhe gjykatat. Qëllimi specifik është trajnimi i organizatave të shoqërisë civile, zyrtarëve të vetëqeverisjes lokale dhe përfaqësuesve të mediave për këtë fenomen”, tha Jovanoviq.
Në panel u diskutuan shembuj të raportuar me sukses të korrupsionit, dyshimet për korrupsion dhe njohjen e tij. U tregua se cila është procedura për denoncimin e korrupsionit dhe si garantohet mbrojtja e personit që denoncon korrupsionin. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe nevojën e raportimit të çdo rasti të korrupsionit.
OJQ Aktiv ka promovuar edhe aplikacionin ABER, i cili si mjet digjital përdoret për raportimin e korrupsionit në komuna dhe është i dedikuar për të gjitha komunitetet.
Ky event organizohet në kuadër të projektit Rritja e transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat me shumicë serbe, i implementuar nga OJQ AKTIV dhe Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC) me mbështetjen financiare të Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (International Narcotics and Law Enforcement Affairs Bureau – INL.).