OJQ Aktiv, së bashku me platformën e avokimit Empirika, morën mbështetje për projektin “Forcimi i pjesëmarrjes së OSHC-ve nga radhët e komunitetit serb të Kosovës në procesin e vendimmarrjes në nivelin qendror në Kosovë”.
Granti në vlerë prej 38,975 euro do të përdoret për të forcuar aftësinë për pjesëmarrje, për të formuluar politika dhe për të përfaqësuar organizatat e shoqërisë civile (OSHC) të serbe të Kosovës në institucionet e nivelit qendror në Kosovë.
“Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është që të përmbushen interesat e ndryshëm të komuniteteve jo-shumicë, posaçërisht komunitetit serb të Kosovës, gjë që do të reflektohej pastaj në vendimmarrje në nivelin qendror, politikat qeveritare dhe strategjitë nacionale”, thuhet në vendim.
Projekti përfshin aktivitete të shumta që do të zbatohen nga platforma e avokimit Empirika, e cila udhëhiqet nga OJQ AKTIV. Aktivitetet për të forcuar pjesëmarrjen e komunitetit në procesin e vendimmarrjes duhet të çojnë në rezultatet e mëposhtme:
1) Rritje e pjesëmarrjes, bashkëpunimit e komunikimit të OSHC-ve të serbëve të Kosovës me institucionet në nivel qendror (vendimmarrësit), si dhe kapacitete më të mira për përcjellje të detajuar të ngjarjeve aktuale kulturore, shoqërore, politike e ekonomike.
2) Informim më i mirë i Qeverisë së Kosovës për problemet dhe zgjidhjet lidhur me të drejtat e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, sidomos atyre që lidhen me komunitetin serb të Kosovës.
3) Implementimi i politikave praktike nga ana e institucioneve në nivelin qendror, për të avansuar të drejtat e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, sidomos atyre që kanë të bëjnë me komunitetin serb të Kosovës.
Ky projekt përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Kohëzgjatja e projektit është 14 muaj.