Organizuar nga OJQ Aktiv, të martën, më 12 korrik, në Graçanicë është mbajtur panel diskutimi mbi transparencën në punën e vetëqeverisjes lokale në Kosovë.
Përfaqësues të organizatave lokale të shoqërisë civile dhe mediave theksuan se në komunat me shumicë serbe ekziston një nivel i caktuar i jotransparencës dhe thanë se nevojitet një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve.
Caleb Waugh, shefi i departamentit të politikave praktike të OJQ-së Aktiv, tha se ligjet në Kosovë parashikojnë mekanizma që lejojnë qytetarët të marrin pjesë në vendimmarrje në nivel lokal, por se kjo “në përgjithësi nuk respektohet”.
“Qytetarët nuk janë mjaftueshëm të informuar për të drejtat e tyre ligjore dhe në shumicën e rasteve nuk kanë akses në informacion se si mund të jenë realisht pjesë e procesit ne nivelin lokal”, tha Waugh.
Në panel morën pjesë Rajko Jovanoviq nga OJQ-ja Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë, Fatir Berzati, redaktor i portalit Kosova info nga Prizreni dhe Albulena Sadiku, zëvendësdrejtoreshë e BIRN. Paneli u moderua nga gazetari Budimir Niçiq.
Të pranishmit theksuan se një nga problemet në fushën e transparencës së vetëqeverisjeve lokale me shumicë serbe në jug të Ibrit është bashkëpunimi i pamjaftueshëm me media, ndërsa në komunat e rajonit të Prizrenit u theksua se ka probleme në fushën e përdorimit të gjuhës.
Debati është pjesë e projektit “Rritja e transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat me shumicë serbe në Kosovë”. Projekti është zbatuar nga OJQ AKTIV, financuar nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit (INL) – Departamentit të Shtetit të SHBA, në partneritet me Qendrën e Avokimit për Kulturën Demokratike (ACDC).