Më 29 shkurt 2024, organizata joqeveritare Aktiv prezantoi publikimin “Analiza e Trendit 2023: Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” në Beograd, i cili merret me hulumtimin e ndryshimeve në qëndrimet dhe perceptimet e komunitetit serb në Kosovë, për çështjet më të rëndësishme socio-politike.
Shqetësim i thellë dhe pakënaqësi e madhe e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë. Kjo është gjetja kryesore e Analizës së Trendeve për vitin 2023, e cila gjithashtu tregoi se është shënuar një shkallë më e lartë pesimizmi krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme, si pasojë e frikës në rritje për një konflikt të mundshëm të hapur.
“Është vërejtur një përkeqësim i dukshëm në të gjitha segmentet, nga marrëdhëniet ndëretnike e deri te perceptimi i situatës së sigurisë. Rritja e frikës nga konflikti dhe tensioni politik kanë rezultuar në pesimizëm të thellë brenda komunitetit serb, veçanërisht në lidhje me pritjet për të ardhmen dhe ndjenjën e përgjithshme të sigurisë”, tregon Analiza e Trendit e OJQ-së Aktiv.
Ngjarje të tilla si dialogu i dështuar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve kanë shkaktuar shqetësime serioze, të cilat mund të kenë pasoja negative afatgjata për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimin ndër-komuniteti. Ekziston një ndjenjë në rritje e pasigurisë dhe mosbesimit në komunitetin serb, gjë që e vështirëson dinamikën politike dhe shoqërore.
Sipas Analizës së Trendit, pothuajse 95.5% e të anketuarve shprehin shqetësim të thellë për situatën aktuale në Kosovë, duke konsideruar se situata nuk po shkon në drejtim të mirë. Rreth 57.1% e të anketuarve besojnë se jeta e serbëve në Kosovë do të jetë më e keqe për tre vjet.
Kur bëhet fjalë për problemet e identifikuara, 69.2% e të anketuarve theksojnë jostabilitetin politik si sfidën kryesore në Kosovë. Është e rëndësishme të theksohet se 88.9% e të anketuarve nga veriu i Kosovës pohojnë se ata ose anëtarët e familjes së tyre janë kërcënuar drejtpërdrejt.
Kur bëhet fjalë për besimin tek liderët politikë, i cili është kyç për mbijetesën dhe prosperitetin e komunitetit, veçanërisht në shoqëritë me pasojat e luftës, është e rëndësishme të kuptohet se roli i tyre është të përfaqësojnë interesat e komunitetit, ndërsa çështja e sigurisë është çelësi i mbijetesës. Megjithatë, sipas Analizës, një rekord prej 83.6% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk i besojnë asnjë politikani apo partie politike. Duhet theksuar se banorët e veriut të Kosovës tregojnë një nivel veçanërisht të ulët të besimit në Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.
Kur bëhet fjalë për rolin ndërkombëtar, 56.9% e të anketuarve besojnë se Rusia është mbrojtja më e mirë e interesave të serbëve në Kosovë. 18.9% e të anketuarve besojnë se Asociacioni i komunave serbe do të formohet, ndërsa 40.5% konsiderojnë se formimi i Asociacionit është më e pranueshme për serbët e Kosovës. Në të njejtën kohë, 14.8% e të anketuarve mbështesin idenë e demarkacionit.
Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, Miodrag Milliqeviq, gjatë prezantimit të Analizës tha se ky është një nga raportet më pesimiste të kohëve të fundit.
“Të dhënat flasin për natyrën alarmante të situatës dhe nevojën e urgjencës në reagim, para së gjithash, për të siguruar një mjedis të sigurt për komunitetet lokale, e më pas domosdoshmërisht për stabilitetin politik që kemi humbur dikur gjatë një viti e gjysmë”, tha Milliqeviq.
Autori i hulumtimit dhe profesori asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, tha se rezultatet flasin për pashpresën e jetës së komunitetit serb në Kosovë. Të gjitha trendet tregojnë një gjendje të tillë, nga situata politike dhe e sigurisë e deri te dialogu, thekson Surlliq.
“Serbët në Kosovë kanë mungesë të perspektivës në aspektin e stabilitetit dhe situatës politike, pastaj në aspektin e dialogut që zhvillohet nën patronazhin e Brukselit, si dhe mungesën e perspektivës për jetën e mëtejshme në Kosovë. Ata e vlerësojnë situatën politike dhe të sigurisë si shumë të keqe, po ashtu ka qëndrim negativ ndaj dialogut, sepse në përgjithësi nuk besohet se ky proces ndryshon diçka rrënjësisht”, tha Surlliq.
Bojan Ellek, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se rezultatet e sondazhit të opinionit publik treguan mungesë shprese në komunitetin serb.
“Në këtë situatë të tanishme, kur kemi problem me dinarët, situatën do ta përshkruaj kështu. Valuta kryesore që mungon është besimi, sepse të gjitha të dhënat nga cilat institucione i besojnë, tek aktorët politikë, tek kush mbështeteni për sigurinë, qytetarët në veri të Kosovës mbi të gjitha, por edhe në jug, thjesht nuk i besojnë qoftë institucionet e Prishtinës, qoftë Beogradi, as bashkësisë ndërkombëtare”, tha Ellek.
Sipas drejtorit të Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, Dragisha Mijaçiq, ky lloj studimi është i rëndësishëm për monitorimin e trendeve në komunitetin serb në Kosovë.
“Kjo analizë na jep një pasqyrë se çfarë po ndodh në komunitetin serb në Kosovë. Ky është një hulumtim gjithëpërfshirës që ndjek trendet vjetore dhe përmes të cilit mund të kuptojmë se çfarë po ndodh”, tha Mijaçiq.
Gjetjet e Analizës së Trendit nxjerrin në pah një shqetësim të përgjithshëm për çështjet e pazgjidhura siç është formimi i Asociacionit te komunave serbe dhe apatia ndaj mundësive për një zgjidhje afatgjatë që do të ofronte mbrojtjen e nevojshme.
Prandaj, rekomandimi kryesor është domosdoshmëria e një qasjeje të re dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës, e cila do të fokusohej në mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit serb në Kosovë.
“Politika dhe vendimmarrësit duhet të kuptojnë këto si një inkurajim për masa urgjente për të përmirësuar përputhjen institucionale me ligjet që mbrojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe përmirësojnë standardet e tyre të jetesës”, thuhet në Analizën e Trendit.
Publikimi mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).
Analiza e trendit është në dispozicion në tri gjuhë, serbisht, shqip dhe anglisht.
Srpski: https://t.ly/pa9qb
Shqip: https://t.ly/IdLWh
English: https://t.ly/AtEGY