VIJAT NDARËSE, DHE PIKAT NDËRLIDHËSE NË TO (IBM)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Kozeta Dervishi

Në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga BE-ja, në dhjetor të 2011-ës, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndryshe i njohur si IBM (Integrated Border Management). Marrëveshja rregullon bashkëpunimin ndërkufitar përfshirë pikë-kalimet e përbashkëta, komunikimet e rregullta në mes të autoriteteve policore, doganore dhe agjencive tjera.

Arritja e marrëveshjes u mundësua mbi bazën e legjislacionit dhe praktikat më të mira të BE-së si dhe parimin e “dykuptimësisë konstruktive”. Në rastin e kësaj marrëveshje, fjala “border” e konceptit IBM nga njëra palë njihet si kufi shtetëror, ndërsa nga pala tjetër si kufi administrativ. Përdorimi i fjalës “juridiksion” në vend të termit “sovranitet” poashtu i ka kontribuar arritjes së marrëveshjes dhe aplikimit të konceptit të IBM-së në gjashtë pikë-kalime në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deri në hyrjen në fuqi te marrëveshjes se IBM-it, kalimi nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas ishte bërë me shumë vështirësi për shkak të mos-komunikimit në mes të autoriteteve dypalëshe. Shumë shpesh, e sidomos gjatë verës krijoheshin kolona të gjata pritjeje dhe autoritetet përkatëse asnjëherë nuk e zbatonin mekanizma për lehtësim të kontrolleve.

Kjo nuk ndodhte në mungesë të një protokolli të bashkëpunimit i cili u mundësua më këtë marrëveshje më pas.

Zbatimi i plotë dhe i menjëhershëm i marrëveshjes ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, rritjen e sigurisë së kontrollit kufitar bazuar në standardet dhe praktikat e mira evropiane.

Marrëveshja ka ndikuar drejtpërdrejtë në lehtësimin e kalimit të qytetarëve e sidomos të diasporës, ku nga viti në vit ka rënë dukshëm koha e pritjes e cila para marrëveshjes ishte me orë të tëra. Një mërgimtar i cili për pushimet e verës këtë vit ka kaluar nga pikë kalimi kufitar Dheu i Bardhë për shumë pak minuta, tregon se “në të kaluarën pritjet kanë qenë shumë të gjata e të lodhshme, e pothuajse të padurueshme në temperatura të larta”. 

Këtë e konfirmoi edhe një rreshter policor i cili tha se “Polica e Kosovës ka bërë apel që mërgimtarët të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitare, meqë me Serbinë janë gjashtë të tilla, ku zbatohet IBM-ja”.

Mbyllja e kalimeve ilegale në pjesën veriore të Kosovës e arritur përmes marrëveshjes ka ndikuar në rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit me qeniet njerëzore dhe luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës  tregon se “këtë vit dhe vitin e kaluar ka pasur më se paku raste të kontrabandimit. Është fakt që ka pasur periudha kohore kur kundërvajtjet e zbuluara nga ana e oficerëve doganor brenda një viti në atë pjesë kanë kaluar numrin prej 400 ose 500, por këto dy vitet e fundit kemi vërejtur një ulje të këtyre rasteve. Nuk kemi pasur më shumë se 40 raste që kemi kapur mallra gjatë tentim kontrabandimit”.

Marrëveshja ndikoi në përmirësimin e eksport-importit deri atëherë asimetrik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Derisa në vitin 2011 Kosova eksportoi në Serbi mallra në vlerë rreth 8 milion euro, kjo u dyfishua një vit më pas dhe vitet e tjera pasuese, kurse në vitin 2016 arriti në mbi 46 milion euro. Njëjtë ndodhi edhe me transportin e produkteve të Kosovës përmes Serbisë, ku me fillimin e zbatimit të marrëveshjes vlera e mallrave të transportuara ishte rreth 30 milion euro, shifër kjo e cila në vitin 2016 shkoi deri në 120 milion. Një prodhues nga Kosova që eksporton çimento në Serbi nga viti 2012, tregon se “ka qenë e paimagjinueshme që të eksportojmë për Serbi, sidomos nga pikë kalimi në Jarinje, ku për një kohë edhe policët e doganierët kanë shkuar vetëm parmës helikopterëve dhe se kjo marrëveshje i ka ndihmuar tejmase në biznesin e tij”.

Për shkak të rënies së intensitetit të dialogut, dhe akuzave të ndërsjella për mos-implementimin e marrëveshjeve tjera,  implementimi i plotë i marrëveshjes ka ngecë. Megjithatë, qarkullimi mes dy vendeve vazhdon të funksionojë. Rikthimi në binar i dialogut për çështje teknike dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tash, duhet të jetë synimi kryesor i të gjithëve, e sidomos Kosovës dhe Serbisë, krahas procesit te dialogut të nivelit të lartë për marrëveshje te plotë normalizimi. Marrëveshja e IBM-së është dëshmia më e mirë se bashkëpunimi në mes institucioneve të dy vendeve është i mundur. Si e tillë, kjo marrëveshje mund të shërbejë edhe për tema tjera të bashkëpunimit.

kosovo serbia policy advocacy group
Ky publikim është botuar me asistencë financiare të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd