MEDIA DHE PAJTIMI: LAJMI I KEQ

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Goran Avramoviq u lind në vitin 1972 në Kragujevc. Me gazetari merret që nga viti 1993 në Kragujevc dhe Athinë (Greqi), ndërsa nga viti 2001 edhe në Kosovë. Nga maji i vitit 2009 është kryeredaktor i Radio Kim nga Çagllavica (afër Prishtinës), ndërsa nga maji i vitit 2013 është kryeredaktor i RTV Kim. Është i martuar dhe baba i dy vajzave.

“Filluam të barazojmë të vërtetën me lajmin e keq dhe nuk donim më lajme të këqija, sado të vërteta apo të rëndësishme të ishin për shëndetin tonë si komb”, ka shkruar Stiv (Stojan) Teshiq nga Uzhica, skenaristi, dramaturgu dhe shkrimtari amerikan fitues i çmimit Oskar*, në fillim të vitit 1992 në një artikull me titull “Një qeveri e gënjeshtrës” botuar në The Nation, të përjavshmen më të vjetër të botuar vazhdimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Teshiq, përndryshe kumbari i nocionit tashmë të përhapur “post-e vërteta”, në kohën e botimit ishte në dekadën e tij të katërt të jetës në SHBA dhe, natyrisht, analizoi mundësitë në shoqërinë amerikane, ndoshta duke mos e marrë me mend se disa nga tezat e tij vizionare janë ende shumë të zbatueshme në pjesën më të madhe të botës demokratike, duke përfshirë edhe tonën, sado e vështirë është të radhitet aty edhe Ballkani Perëndimor.

Përkufizimi i pajtimit

Sipas fjalorit të institucionit Matica Srpska, pajtimi është “vendosja e paqes”, ndërsa të pajtosh do të thotë “të bësh dikë në paqe me atë me të cilin është grindur, luftuar etj.”, pra “të bashkosh dy ose më shumë gjëra të ndryshme, të gjesh një ekuilibër midis dy ose më shumë dukurive të ndryshme”.

Në portalin dictionary.cambridge.org, pajtimi do të thotë “një situatë në të cilën dy persona ose grupe njerëzish bëhen miq përsëri pas një grindje”, përkatësisht, është “procesi i harmonizimit të dy besimeve, ideve ose situatave të kundërta”.

Një përkufizim pak më i gjerë ofrohet në adresën e njëjtë të internetit nga fjalori amerikan, ku thuhet se pajtimi është “procesi i rivendosjes së një miqësie midis dy njerëzve ose një grupi njerëzish pas një grindjeje ose konflikti të rëndë e që janë të ndarë nga njëri tjetri, ose një situatë në të cilën një gjë e tillë ka ndodhur”.

Pra, pajtimi në bazë të këtyre përkufizimeve mund të kuptohet si një proces i arritjes së ekuilibrit që kërkon një situatë të përshtatshme. A janë gjërat vërtet kaq të thjeshta?

“Pajtimi i vërtetë nuk është kurrë i lirë, sepse bazohet në falje, e cila është e shtrenjtë. Falja, nga ana tjetër, varet nga pendimi, i cili bazohet në njohjen e veprave të këqija, e me këtë në zbulimin e së vërtetës. “Askush nuk mund të falë atë që nuk di”, tha kryepeshkopi anglikan dhe aktivisti kundër aparteidit Desmond Tutu me rastin e emërimit të tij si anëtar i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut më 30 nëntor 1995 nga Nelson Mendela.

 

Ekuilibri: Gjuha e urrejtjes

Edhe pse puna bazë e mediave nuk është pajtimi, por informimi apo kërkimi, roli i tyre është jashtëzakonisht ndikues në dallimet dhe ndarjet në shoqëri.

Në skenën publike të Prishtinës dhe Beogradit, “pala tjetër” në një pjesë të konsiderueshme të mediave ende më së shpeshti paraqitet në mënyrë të përgjithësuar dhe stereotipike, madje edhe si simbol dhe njësi matës e së keqes.

 

Aleksandar Vullin, i ftuar në një emision në TV Pink me datë 20 maj të këtij viti, tha:

“Gjatë historisë, shiptari ishin bashibozuk**, që do të thotë trupa ndihmëse të dikujt të madh. Kështu siç ishin bashibozuk të Perandorisë Osmane, ashtu për austro-hungarezët vranë ushtarët serbë të mërdhirë dhe të mbetur mbrapa, bënë Shqipërinë e madhe për fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, formuan ballistë, vranë serbë kudo dhe sido që kanë mundur, ashtu në kurriz të NATO-s në 1999 janë zhdukur që paktit të NATO-s t’i jepnin mundësi për të bombarduar Serbinë, kurse tani ofrojnë përsëri kokën e tyre, sepse askujt nuk i nevojiten”, tha (edhe për një kohë?) ministri aktual i Ministrisë së punëve të brendshme të Republikës së Serbisë dhe ish-drejtori i Zyrës për Kosovë.

Akuzat e tij të shumta fyese u përcollën nga: Tanjug, Kurir, Insajder, 24sedam.rs, ndërsa në raportimin e Beta-s nocioni “shiptari” u zëvendësua me nocionin “shqiptarë”, si dhe lajmi u mor dhe u publikua nga Danas dhe N1.

Titujt në tabloidet serbe shpesh bëjnë thirrje për intolerancë dhe urrejtje. Radio Gorazhdeci në fillim të muajit prill, diskreditoi lajmin e publikuar në portalin e tabloidit Alo! me titull “FALEMINDERIT QË KENI VRARË SERBËT, deklarim i turpshëm i Vjosa Osmanit: Parandaluat gjenocidin!”

Edhe pse tek publiku shqiptar i Kosovës nocioni nënçmues shpesh i dëgjuar për serbët “shkije” përdoret rrallë në fjalime publike dhe në media, kjo, natyrisht, nuk është plotësisht e vërtetë.

Në fillim të prillit të këtij viti, portali ekonomiaonline.com, raportoi për një postim të Patriot Brahimit në Facebook, i cili protestoi për mossuksesin për t’u punësuar në KEK. Ai iu drejtua Qeverisë së Kosovës, në krye me Albin Kurtin, me fjalët “jeni më zi se shkiet, po shihet se jeni qeveri e korruptuar dhe keni moral të papastër”.

Portali gazetaexpress.com raportoi më 16 maj se tifozët në Pejë në gjysmëfinalen e play-offit të Superligës së basketbollit kundër Trepçës brohoritën: “Ju jeni shkije”, duke iu drejtuar tifozëve mysafirë që “i provokuan duke ngritur tre gishtat”.

Florim Ejupi që dikur ishte arrestuar për vendosjen e eksplozivëve nën autobusin e Nish Express në Livadice, më pas nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq është ndërlidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ai në emisionin “Debat Plus” në televizionin kosovar Dukagjini, në fund të dhjetorit 2020 tha:

“Ata shkije dhe udbash arritën të më ngjitnin gjithçka, më panë në Kosovë… Prandaj falënderoj Zotin për vendin në të cilin jam që nuk merren me deklaratat e kota të Vuçiqit, shteti gjerman e di ku janë, i kam në shkollë, udbashët, Vuçiqi kot i ka aty”, ka thënë Ejupi. Pretendimet e tij janë transmetuar nga portali reporteri.net.

Fatkeqësisht, ka ende shumë shembuj të tillë të përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga të dyja palët.

 

Situata: Roli negativ i medias

Mungesa e përmbajtjes së mediave rreth qytetarëve të zakonshëm, mosnjohja e gjuhës së komunitetit tjetër, (pa)qëndrueshmëria ekonomike e medias, si dhe (pa)përgjegjësia dhe (mos)bashkëpunimi i gazetarëve janë, ndër të tjera, pasojë e “ndarjeve kombëtare në Kosovë të cilat që nga viti 1999 kanë mbetur të ngurtësuara në një shoqëri të pashëruar nga plagët e luftës”, siç thuhet në studimin për problemet kyçe të serbëve të Kosovës “Ključ” (Çelësi), të prezantuar në fund të prillit 2022 në Radio Kim Media Group në kuadër të iniciativës Open.

Shfaqjet e kombit si komunitet i martirëve, pastaj të jetëve që kërcënohen vazhdimisht nga lufta kundër armikut që kërcënon pa reshtur dhe shpallja e betejës së fundit vendimtare për mbijetesë në kushtet e një gjendje të vazhdueshme të jashtëzakonshme janë për dekada karakteristika të përditshmërisë në Kosovë.

Duke pasur parasysh atë që u tha më lartë, nuk duhet të jetë çudi që informacioni që transmetohet nga mediat kryesore të “fqinjëve” thekson më së shumti atë që është negative. Më shumë ka të bëjë me ndarjen sesa bashkimin dhe kërkimin e gjërave të përbashkëta, mbitheksohet e kaluara (heroike apo martire) dhe ofrohet hapësirës për sensacionalizmin, kurse historitë e jetës së “njerëzve të thjeshtë” mbeten nën hijen e ngjarjeve të lashta dhe ngjarjeve të fundit, kronikave të zeza dhe politikanëve.

Një vështrim i përciptë në pasqyrimin mediatik të ngjarjeve në dhe rreth Kosovës është i mjaftueshëm për të kuptuar dominimin e “politikës së lartë”. Gama e temave është e kufizuar dhe ato përsëriten vazhdimisht, më së shpeshti në formë të qëndrimeve dhe opinioneve për statusin e Kosovës, përkatësisht marrëveshjen përfundimtare apo gjithëpërfshirëse ndërmjet dy palëve në kuadër të dialogut zyrtarisht të pandërprerë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Deklaratat e politikanëve, njoftimet e ngjarjeve, vlerësimet e rezultateve të bisedimeve dhe takimet e zyrtarëve (dypalëshe apo shumëpalëshe, të forumeve) fshehin nga sytë e publikut ngjarjet nga jeta e përditshme, sikur gjithçka varet vetëm nga statusi dhe sikur nuk ka kuptim të raportohet për ngjarje dhe probleme të tjera derisa të zgjidhet ajo, më e madhja nga të gjitha.

Ky trend imponohet nga elita politike sepse në këtë mënyrë nevoja për të rregulluar jetën e komuniteteve lokale, kujdesi për qytetarët dhe përkushtimi i vërtetë për zgjidhjen e problemeve të tyre bien në plan të dytë. Neglizhimi i jetës së përditshme bëhet kështu një lëshim i cili rezulton, e që ndoshta do të zgjasë, në krijimin e përmbajtjes së mediave virtuale.

Në këtë kuptim, deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefit të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, janë shembuj shumë ilustrues. Duke folur për zgjedhjet në Serbi në kontekstin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Kurti tha se “Serbia ka bërë spastrim etnik të heshtur”, ndërsa në rastin e themelimit eventual të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) ka thënë se “Kosova do të bëhej një Bosnjë e re, shtet jofunksional”, dhe se “AKS është dëshirë e Beogradit, jo e serbëve të Kosovës”. Ai është i mendimit se “nuk ka incidente mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, si dhe se Kosova është “vendi më demokratik në rajon”. Petkoviqi nga ana tjetër thekson se “Prishtina e udhëhequr nga Kurti po rrëshqet në ekstremizëm radikal, në të cilin marrëveshjet nuk respektohen, por drejtpërsëdrejti pësojnë kolaps”.

Në disa raste në media është shënuar se kryeministri Kurti e quan presidentin serb Aleksandar Vuçiqin “Putini i vogël”, ndërsa njerëzit nga rrethi i Vuçiqit e quajnë Kurtin “Hitleri i vogël”.

Ndërkohë, serbët dhe shqiptarët në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në botë paralele, pothuajse të pavetëdijshëm për njëri-tjetrin. Të gjithë publikojnë informacione sipas shijes së tyre, kështu që mediat shqiptare në Kosovë shumë rrallë raportojnë nga zonat me shumicë serbe dhe anasjelltas.

“Vazhdimisht pyetemi pse nivelet e inteligjencës dhe kompetencës së fëmijëve tanë, të matura nga të gjitha testet tona, janë vazhdimisht në rënie. Arsyeja është shumë e thjeshtë: nuk duam që ata të jenë të arsimuar mirë. Gjëja e fundit që duam tani është që një brez i fortë intelektualisht dhe shpirtërisht të na përballë me pyetjen se çfarë i kemi bërë këtij vendi”, tha Stiv Teshiq në tekstin e vitit 1992.

Përcaktimi i së vërtetës së plotë, sa më konkrete dhe të besueshme të bazuar në të dhëna për viktimat, kriminelët, krimet, shembujt pozitivë dhe iniciativat e së vërtetës dhe pajtimit është veçanërisht i vështirë duke pasur parasysh se në tekstin shkollor të klasës së katërt të shkollës fillore Natyra dhe shoqëria në mësimin me titull “Jugosllavia dhe Serbia pas Luftës së Dytë Botërore” shkruhet:

“Pasojat e konflikteve të luftës në Jugosllavi në vitet nëntëdhjeta të shekullit XX ishin krijimi i shteteve të reja. Të gjitha republikat e ish-RSFJ-së u bënë shtete të pavarura, dhe republikat e Serbisë dhe Malit të Zi së bashku themeluan shtetin e tretë jugosllav – Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ). Ai, për shkak të krizës në Kosovë gjatë pranverës së vitit 1999 është bombarduar çdo ditë nga forcat e NATO-s. Nga këto bombardime shumë njerëz u vranë ndërsa shumë ndërtesa, fabrika, rrugë, ura e të tjera u shkatërruan.”

Në orët mësimore të vajzës sime në shkollën fillore nuk diskutohej fare për arsyet e krizës dhe bombardimeve të NATO-s, as për vuajtjet e “shumë njerëzve”. Pra, viktimë është vetëm Serbia dhe numërohen vetëm viktimat serbe.

Ky edukim bazë është një hyrje në ekskluzivitet, pra,  mosgatishmërinë për të dëgjuar të tjerët, akuzimin e disidentëve si model bazë të komunikimit, krijimin e hierarkisë midis viktimave, formimin e një nocioni ekskluziv të viktimës (duke njohur disa e duke injoruar viktimat e tjera), si dhe trajtimin e atyre në mënyrë abstrakte dhe duke pranuar vetëm një pjesë të së vërtetës.

“Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita”, ka shkruar babai i ndarjes ontologjike të realitetit, Platoni.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, e cila zgjati 78 ditë me emrin “Operacioni Forca Aleate”, u vranë 754 persona: 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura, nga të cilët 207 serbë dhe malazezë, 219 civilë shqiptarë, 14 civilë romë dhe 14 nacionalitete të tjera. 260 persona kanë vdekur në territorin e Serbisë, 10 në Mal të Zi dhe 484 në Kosovë.

Kontributi i disa mediave të pavarura në zbardhjen e së kaluarës dhe pajtimin është, megjithëse i rëndësishëm, i pamjaftueshëm për shkak të faktorëve të ndryshëm të tyre me ndikim të kufizuar në opinionin publik.

Ngjarjet nga e kaluara, por edhe ato aktuale, paraqiten të njëanshme, të thjeshtuara, bardh e zi duke ndihmuar në ruajtjen e stereotipeve dhe paragjykimeve ekzistuese. Konfliktet manipulohen – nëse do të ndiqen apo jo nga media, varet nga “përdorshmëria” politike në momentin e caktuar.

Konflikti tragjik në Ukrainë është shembulli më i fundit global i manipulimit të medias nga të gjitha anët. Paralelisht me ngjarjet në fushën e betejës, zhvillohet një luftë mediatike dhe informative, po aq mizore sa ajo në front, e cila këtë herë duket shumë më ndryshe nga të mëparshmet.

Sipas anketës “Hapja e mediave serbe në Kosovë”, te serbët në Kosovë mosbesimi më i madh mbizotëron për informacionet nga mediat në gjuhën shqipe – 62.1% nuk kanë fare besim, dhe 22.3% e të anketuarve në përgjithësi nuk kanë besim.

Arsyeja e pjesshme e mosbesimit sigurisht që daton që nga marsi i vitit 2004 kur Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka transmetuar lajme të rreme për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në fshatin Çabër, të cilët, siç u tha fillimisht, dyshohet se serbët i kishin shtyrë në Ibër, dhe kështu shërbeu si shkas për trazira dyditore në mbarë Kosovën.

Agjencia Kosova Press është gjithashtu dëshmitare se historia nuk ndalet së përsërituri duke publikuar lajmin e rrem se si një plumb (ndoshta i humbur) u shndërrua në bombë, granatë, predhë, sulm dhe kaos më 17 tetor të vitit të kaluar, kur kjo ishte veçanërisht e rrezikshme ngase u publikua në mes të krizës, dhe situatës mjaft të ndjeshme politike dhe të sigurisë.

 

Procesi: Mbyllja dhe mosbashkëpunimi

Zorica Vorguçiq, gazetarja dhe redaktorja e programit të lajmeve në RTV Kim në fund të shkurtit, fitoi çmimin e parë për vitin 2021 në garën mediatike Iniciativa për ndryshime paqësore (Peaceful Change initiative, PCi) në kategorinë e formatit audio-vizual me temën e bashkëjetesës multietnike në Kosovë dhe Serbi. Një reportazh televiziv me titull “Pse është e rëndësishme të flasim gjuhën e fqinjëve tanë?” që u prodhua me mbështetjen e Këshillit Britanik  (British Council), dhe u transmetua në mars të vitit të kaluar në programin dhe platformën e RTV Kim, unanimisht u vlerësua si më i miri nga një juri e përbërë nga: Tamara Skroza, Jellena Obuqina dhe Millivoje Mihailloviq. Iniciativa për ndryshime paqësore  (PCi) është një organizatë joqeveritare e pavarur ndërkombëtare që ndihmon shoqëritë të zbatojnë ndryshime të rëndësishme në mënyrë jo të dhunshme, por edhe të ndërtojnë marrëdhënie që mundësojnë paqe të qëndrueshme. Krahas autorëve të artikujve, çmimi për medium iu dha edhe RTV KIM.

Çmimet e PCi në fillim të marsit u dhanë edhe për redaksitë shqiptare në Prishtinë. Sipas informatave, asnjë nuk u shpërblye për një histori që përfshin në çfarëdo mënyre serbët.

Në fillim të qershorit 2018, Asambleja e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) në Lisbonë (Portugali) miratoi njëzëri një Rezolutë për hetimet e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë të propozuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS), Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë (NUNS) dhe Sindikata e Gazetarëve Serbë (SINOS) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Rezoluta bëri thirrje për një hetim efektiv për vrasjet dhe rrëmbimet e 14 gazetarëve dhe punonjësve të medias serbë dhe shqiptarë në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2005, ndërsa nga EULEX-i dhe Kombet e Bashkuara kërkon zbatimin e vendimeve të Komisionit Këshidhënës të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për zgjidhjen e këtyre rasteve dhe kompensimin e familjeve.

Tre vite më vonë, në fillim të tetorit 2021, me sugjerim të Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë (UNS), Asambleja e EFJ-së miratoi një Rezolutë për themelimin e menjëhershëm të Komisionit ndërkombëtar për hetimin e vrasjeve dhe rrëmbimeve të gazetarëve në Kosovë nga viti 1998 deri në vitin 2005. Ajo vuri në dukje se për më shumë se dy dekada, askush nuk ishte mbajtur përgjegjës për 19 nga 20 vrasjet dhe rrëmbimet e gazetarëve dhe punonjësve të medias serbë dhe shqiptarë (një vrasje u zbulua para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë), tha UNS atëherë, i cili së bashku me SINOS, ishin propozuesit e saj. Rezoluta u miratua me një abstenim, kësaj radhe nga përfaqësuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, për të tetën herë në nëntë vitet e fundit, jo shumë larg fshatit Zaqishtë në Dukagjin, u hoq me dhunë dhe u shkatërrua një pllakë mbi të cilën shkruhet në serbisht dhe shqip: “Këtu më 21 gusht të vitit 1998 u rrëmbyen kolegët tanë, gazetarët Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq. I kërkojmë”. UNS dhe UNS në Kosovë për herë të parë vendosën pllakën në vitin 2012 në përvjetorin e kidnapimit të ekipit gazetaresk. Policia vetëm një herë kapi autorin për prishjen e shumëfishtë të pllakës së gazetarëve të rrëmbyer. Shaban Berisha (47) për prishjen e pllakës është dënuar me tre muaj burg me kusht dhe 200 euro gjobë. Ndonëse në raportin e policisë thuhej se vepra e tij ishte me motive etnike, ai u gjykua vetëm për shkatërrim dhe dëmtim të pronës. Në të njëjtin vend për të nëntën herë në fillim të majit të këtij viti u rivendos pllaka përkujtimore për gazetarët e rrëmbyer.

 

Fati i trishtë i Komisioneve rajonale të së Vërtetës dhe Mirëbesimit

Sot, në Serbi vështirë se kujtohet se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin shpejt dhe pa diskutime serioze u themelua në vitin 2001, me vendim të Presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Dr. Vojisllav Koshtunica. Momenti i krijimit të tij (menjëherë para ekstradimit të Millosheviqit në Tribunalin e Hagës), si dhe fakti që Komisioni nuk ka kontribuar ndjeshëm në trajtimin e së kaluarës në tre vitet e ekzistencës së tij, janë arsyeja që publiku të injorojë dhe diskreditojë vetë idenë e ekzistencës së tij. Ai gjatë procesit të ardhshëm të transformimit të bashkimit shtetëror në vitin 2003 zyrtarisht pushoi së ekzistuari.

Në shkurt të vitit 2017, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti një iniciativë për krijimin e një Komisioni të pavarur të së Vërtetës dhe Pajtimit që do të “mundësonte dialogun e hapur të brendshëm ndërmjet komuniteteve në Kosovë”, tha ai në atë kohë në Radio Evropa e Lirë (REL).

Aktivistja civile dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Nora Ahmetaj, e cila ishte anëtare e lartë e Ekipit Përgatitor për Përgatitjen dhe Themelimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, së fundmi tha se ekipi kishte përfunduar një projektligj për themelimin dhe funksionimin e tij, por me shkuarjen e Thaçit në Hagë mandati i Ekipit Përgatitor ka skaduar.

“Që atëherë, unë personalisht nuk di absolutisht asgjë, dëgjoj nga akterë të ndryshëm, aktivistë të shoqërisë civile që nuk kanë asnjë ide për drejtësinë tranzicionale dhe të drejtat e njeriut se kanë biseduar me ekipin e presidentes (Vjose Osmani) për detajet e Komisionit të Pajtimit, kur dhe si e të ngjashme. Megjithatë, unë personalisht nuk kam informacion, por mund të arrij në përfundimin se nuk shoh gatishmëri për këtë. “Nuk e di nëse kryeministri dhe presidentja kanë një përpjekje të sinkronizuar në këtë drejtim, sepse nuk ka transparencë, nuk ka kontakte”, tha ajo e ftuar në emisionin “Slobodno Srpski” në fillim të muajit maj të këtij viti.

Një parakusht i rëndësishëm për ndryshimin e rolit aktual të medias do të ishte mbështetja aktive e qeverisë në proceset e së vërtetës dhe pajtimit, por nuk ka, kështu që këto tema thjesht nuk zënë një vend të dukshëm dhe hapësirë të mjaftueshme në politikat editoriale dhe skemat programore. Duke pasur parasysh pretendimet e Teshiqit që në fillim të këtij teksti, ndoshta nuk është as çudi.

 

* Stiv Teshiq është dramaturg, skenarist, romancier dhe fitues i çmimit Oskar në vitin 1980 për skenarin e filmit “Katër shokët” (Breaking Away, me regji të Peter Yates).

 

** Bashibozuk, (turqisht başıbozuk), përkthyer – kokët e krisura, pa kokë, pa prijës. Forcat e parregullta ushtarake të ushtrisë osmane të njohura për mungesë disipline, që vrasin e plaçkitin popullsinë.

 

Vegëzat të dobishme:

 

https://www.thefreelibrary.com/A+government+of+lies.-a011665982

https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/reconciliation

https://www.kurir.rs/vesti/politika/3937207/vulin-vucic-je-veliki-srbin-predsednik-svih-srba-a-mali-kurti-nije-ni-predsednik-svih-siptara-na-kosovu

https://www.radiokim.net/vesti/netacno/naslovi-u-tabloidima-cesto-predstavljaju-poziv-na-mrznju-rat-ili-netrpeljivost.html

https://www.gazetaexpress.com/basketbollisti-i-trepces-i-provokoi-tifozet-pejane-me-ngritje-te-gishtit-te-mesem/

https://ekonomiaonline.com/nacionale/djali-i-deshmorit-thote-se-iu-ben-dallavare-per-poziten-ne-kek-ju-vrafte-gjaku-i-deshmoreve/

https://reporteri.net/lajme/florim-ejupi-ne-rrefimin-e-pare-te-tij-televiziv-nuk-kam-asnje-lidhje-me-cia-n/

https://kfos.org/publikacije/118/key-study-key-problems-kosovo-serbs

https://www.danas.rs/vesti/drustvo/vlast-i-dalje-cuti-o-tacnom-broju-zrtava-bombardovanja/

https://www.radiokim.net/vesti/netacno/razotkrivanje-laznih-vesti-o-ratu-u-ukrajini.html

https://kfos.org/publikacije/99/otvorenost-srpskih-medija-na-kosovu

https://www.radiokim.net/vesti/netacno/kako-je-metak-mozda-zalutali-postao-bomba-granata-projektil-napad-i-haos.html

https://www.radiokim.net/vesti/drustvo/zasto-je-vazno-da-govorimo-jezik-svojih-komsija.html

https://www.radiokim.net/vesti/drustvo/dodeljene-pci-nagrade-novinarima-albanskih-redakcija.html

https://www.radiokim.net/vesti/hronika/deveti-put-postavljena-spomen-ploca-otetim-novinarima.html

https://www.radiokim.net/vesti/politika/nora-ahmetaj-politicari-umesto-da-teze-pomirenju-huskaju-na-rat.html

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e OJQ-së AKTIV dhe Koalicionit Kosovar për Pajtim dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd