TË DREJTAT E GJUHËS DHE SFIDAT ME TË CILAT BALLAFAQOHEN PËRKTHYESIT

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
QJQ Aktiv

Quhem Bruno Neziraj. Jam përkthyes profesionist. Ka më tepër se 20 vjet që merrem me përkthime. Kam punuar si përkthyes në institucione të ndryshme ndërkombëtare e vendore. Ka katër vjet që punoj vetëm si përkthyes i pavarur [freelancer] (më angazhojnë sipas nevojës).

Kushtetuta e Kosovës përcakton se ekzistojnë dy gjuhë zyrtare në Kosovë, gjuha shqipe dhe gjuha serbe, e kjo është zgjeruar më tej me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili thotë se të gjitha dokumentet e institucioneve publike duhet të përkthehen në këto dy gjuhë dhe, në disa raste, në gjuhët në përdorim zyrtar. Sipas dispozitave të ligjit në fjalë, përkthimi duhet të jetë në dispozicion në formë të shkruar dhe me gojë. Megjithatë, edhe pse nga aspekti ligjor kjo fushë e jetës shoqërore në përgjithësi është rregulluar mirë deri diku, vetë përkthimi, puna dhe profesioni i përkthyesit janë ndër profesionet më së paku të respektuara në Kosovë.

Pasi merrem me përkthime, për fat të keq, çdo ditë has në probleme në përkthim, qoftë me gojë apo me shkrim. Pasojat e përkthimit të dobët janë të shumta. Për shembull, problemi më i madh në përkthimin me gojë është kur ligjëruesit dhe folësit flasin shumë shpejt dhe kështu na pamundësojnë që ta kryejmë punën tonë në mënyrë cilësore. Në raste të tilla, dëgjuesit tanë marrin një përkthim, por shpesh pyes veten, “Çka përktheva pikërisht tani?”, sepse në raste të tilla jemi të detyruar të përkthejmë pothuaj fjalë për fjalë, e kjo shpeshherë rezulton që përkthimi të mos jetë i kuptueshëm, sepse nganjëherë fjalitë dalin të çuditshme dhe nuk janë në frymën e gjuhës që përkthehet. Një problem tjetër i madh është përdorimi i fjalëve të urta e të ngjashme, të cilat, kur përkthehen,  shpeshherë nuk kanë kurrfarë kuptimi në gjuhën tjetër. Pastaj papërgjegjësia e organizatorëve apo ligjëruesve në takime, të cilët nuk i ndajnë me ne materialet që do t’i lexojnë, sepse ne nuk jemi të gjithëdijshëm dhe, si rrjedhojë, dëgjuesit në gjuhën tjetër nuk kanë mundësi të marrin informacione cilësore dhe të dobishme. Lidhur me këtë që u tha më lart, do të sugjeroja që institucionet shtetërore, si Kuvendi dhe ministritë, të organizojnë një lloj trajnimi për deputetë dhe zyrtarë të lartë se si të flasin në mënyrë që të kihet përkthim cilësor. Ngjashëm, trajnim i veçantë nevojitet edhe për kolegët tanë përkthyes që punojnë në institucione shtetërore, të cilët, në të shumtën e rasteve, nuk i njohin teknikat përkatëse të frymëmarrjes dhe përkthimit, si te përkthimi konsekutiv , ashtu edhe tek ai simultan.

Ndërsa, sa i përket përkthimit me shkrim, këtu pasojat dhe problemet janë të një natyre ndoshta edhe më serioze. Po e shkruaj këtë duke pasur parasysh rëndësinë e akteve ligjore, llojeve të tjera të akteve dhe të rregulloreve të nxjerra nga shteti dhe organet e tij. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për ligje, akte nënligjore, rregullore apo tekste të ngjashme juridike, ato gjithmonë hartohen në një gjuhë dhe dërgohen për përkthim, pa asnjë konsultim me përkthyes, kështu që shpesh ka mospërputhje midis dy versioneve. Edhe më problematik është fakti që për hartimin e dokumenteve në fjalë, por edhe të dokumenteve të tjera (si aktgjykime, aktvendime, vendime etj.), punëtorët e atyre organeve i japin vetes kohë të mjaftueshme për t’i hartuar në gjuhën e tyre dhe pastaj caktojnë afate absurde për përkthim. Pra, pothuaj gjithmonë çdo gjë është urgjente dhe nevojitet për “dje”. Me këtë më së shumti ballafaqohen kolegët në sektorin publik dhe shpesh janë në një situatë ku duhet të punojnë nën presion të madh dhe me afate që nuk mund të përmbushen. Dhe në vërejtjet që ai tekst nuk do të jetë i cilësisë së duhur, përgjigjja më e zakonshme është, “Mos u bëj merak, sepse, ashtu kështu, askush nuk i lexon!” dhe “Për kë është, i mirë është!”. Për fat të keq, pa marrë parasysh për cilën gjuhë është fjala, gjendja është e njëjtë.

Natyrisht, nuk dua t’i arsyetoj kolegët e mi, sepse edhe mes nesh ka egjër, por, në fund të fundit, përsëri i fajësoj institucionet për këtë. Me rastin e themelimit të komisioneve për pranimin e përkthyesve të rinj, në to caktohen njerëz që nuk e njohin gjuhën tjetër, e lëre me përkthimin.

Pastaj vijmë te problemi më i madh sa i përket përkthimit në përgjithësi. Çmime shumë të ulëta për shërbim. Edhe pse sipas ligjit ekziston mundësia e vlerës për para, sistemi i prokurimit publik shtyn që në Kosovë të zgjidhet kompania me çmimin më të ulët, kurse cilësia, siç u tha më lart, nuk ka rëndësi. Kjo bën që, në luftën për përfitim dhe rentabilitet, agjencitë të punësojnë kuadro jocilësore, e kjo përsëri shpie në të njëjtat probleme si në sektorin publik.

Normat në sektorin publik, por edhe në atë privat, janë gjithashtu diçka që duhet të shqyrtohen, sepse nuk mund të pritet që përkthyesi t’i përkthejë në mënyrë cilësore 20 faqe brenda 8 orëve. Për këtë duhet të merren parasysh, e mbase edhe të azhurnohen, standardet ndërkombëtare për këtë profesion.

Zbatimi i Strategjisë që e ka propozuar Komisioneri për gjuhët, përmes azhurnimit për t’iu përshtatur kushteve të ndryshuara në tri vjetët e fundit, do t’u përgjigjej në masë të madhe sfidave në këtë segment, i cili është shumë i rëndësishëm për bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Me zbatimin e kësaj strategjie do të zgjidheshin njëkohësisht edhe disa probleme të tjera, siç është stimulimi për përkthyes në formë të rritjes së pagës dhe kënaqësia në punë.

Në të njëjtën kohë, përkthyesit për serbisht-shqip duhet të shpallen kuadër deficitar dhe të ofrohet një zgjidhje siç ekziston për zyrtarët e teknologjisë informative në institucionet publike.

Gjithashtu, vendosja e standardeve për përkthim me shkrim dhe me gojë, në bashkëpunim me shoqatat e përkthyesve në Kosovë dhe në konsultim me institucionet apo organizatat ndërkombëtare, do të ndihmonte shumë në zgjidhjen e problemeve të përkthimit në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, këto standarde do të shpinin në respektim më të madh të punës së përkthyesve në të gjitha institucionet.

Futja në përdorim e të ashtuquajturave CAT tools[1] në të gjitha institucionet do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë së përkthimit me shkrim, sepse, përveç lehtësimit dhe përshpejtimit të punës, do të vendosej edhe konsistencë në përkthimet e të gjitha institucioneve dhe më nuk do të kishte laramani që në një vend ta kemi zyrën, në tjetrin shërbimin apo departamentin, në vend të drejtorisë apo sektorit etj.

Gjithashtu do të ishte mirë të zbatohej edhe kriteri i njohjes së gjuhës, pra tri nivele, i ngjashëm me atë të ish-RSFJ-së, për vende pune në administratë në nivel lokal e qendror, ku kontakti dhe ndërveprimi i përhershëm me qytetarë është pjesë e aktiviteteve të përditshme. Kjo do ta zvogëlonte, në të njëjtën kohë, edhe vëllimin e punës për përkthyes.

 


[1] CAT tools janë programe kompjuterike të nevjshme për punë në përkthimin me shkrim (https://culturesconnection.com/5-cat-tools-that-every-translator-should-use/).

 

Në kuadër të fushatës së informimit publik për të drejtat gjuhësore në Kosovë, OJQ Aktiv publikon tekstin mbi sfidat me të cilat ballafaqohen përkthyesit në lidhje me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kjo fushatë është pjesë e projektit Krijimi i një Kosove dygjuhësore, projekt ky i implementuar nga OJQ AKTIV, dhe i mbështetur nga Mbretëria e Ambasadës Norvegjeze në Kosovë. Mendimi i shprehur në tekst, në asnjë menyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Mbretërisë së Ambasadës Norvegjeze në Kosovë ose të OJQ AKTIV.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd