QUOT LINGUAS CALLES, TOT HOMINES VALES – SA GJUHË NJEH, AQ NJERËZ VLEN

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autorka:
Angjellka Qup (Anđelka Ćup)

Fatkeqësisht, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë as njëzet vjet pas konfliktit të armatosur nuk janë në nivel të kënaqshëm. Përkrahësit e ideve nacionale dhe nacionaliste shpesh theksojnë dallimet kulturore, fetare dhe gjuhësore, duke insistuar se ato janë shkaqe të jotolerancës. Në vend që të theksohen të gjitha këto dallime si një pasuri që do të nxisë mirëkuptimin e ndërsjellë, në shoqërinë kosovare ato shpesh janë shkak i jotolerancës. Përkundër theksimit të përhershëm se ndjekim trendët moderne evropiane, ne në Kosovë ende jemi “skllevër” të paragjykimeve dhe stereotipave.

Edhe pse gjuha është në të ashtuquajturin mision kulturor të komunikimit, edhe pse edhe këtu vlen ajo thënia popullore “Sa gjuhë njeh, aq njerëz vlen”, te shumica gjithnjë është prezent mendimi se gjuha “ime” është më e rëndësishme dhe më e vjetër se e “jotja”. Kjo kryesisht i referohet përdorimit të serbishtes dhe shqipes, edhe pse të dyja janë në përdorim zyrtar.

Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili mbështetet në Ligjin kundër diskriminimit, është i qartë si dita. Shqipja dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare në Kosovë, kanë status të barabartë dhe të gjitha institucionet qendrore dhe lokale janë të detyruara ta respektojnë. Ligji është i mirë, modern dhe pro-evropian. Por?

Nëse ligji është për t’u zbatuar, pse atëherë në Kuvendin e Kosovës, në disa ministri, gjykata dhe polici, si dhe në disa qeveri lokale, i pamundësohet secilit komunitet të ketë të drejtë ta ruajë, mbajë dhe promovojë identitetin e vet gjuhësor? A është fjala për mungesë të vullnetit politik ose mjeteve për përkthyes cilësor dhe profesional? Apo ndoshta ekziston mendimi se jemi më pak shqiptarë nëse flasim serbisht dhe më pak serbë nëse flasim shqip?

Si duket, është edhe e para edhe e dyta edhe e treta. Edhe pse ligji thotë se të gjithë personat kanë të drejta të barabarta në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare, në institucionet qendrore të Kosovës ata si të mos kenë parë, e lërë më të qenit të detyruar të respektojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Kuvendi i Kosovës, organi më i lartë legjislativ, është përgjegjës për ruajtjen e ligjeve dhe Kushtetutës. Aty janë të ulur 120 deputetë tanë, të ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga opsioni politik, fetar apo kombëtar. Por për fat të keq, shkeljet më të shumta të drejtave gjuhësore janë pikërisht atje, në atë objekt. Në hyrje ka persona të cilët nuk dinë ose nuk duan të flasin gjuhën tjetër zyrtare, ndërsa në sallën e Kuvendit, në të cilën vendoset për jetën tonë, duket se çdo komunitet ka deputetët e vet dhe se ata tjerët nuk lodhen për të tjerët, përveç për ata që kanë votuar për ta. Kështu i ka thënë një deputet autorit të këtyre rreshtave: “Unë nuk jam deputet i të gjithë qytetarëve, por vetëm i atyre që votuan për mua”. U shpreh kështu dhe nuk u skuq.

Nëse këtë e konsiderojmë si lapsus të një deputeti të popullit, atëherë ku mbeti përgjegjësia e Kryesisë së Kuvendit dhe Sekretariatit të Kuvendit ndaj nesh të cilët nuk e kemi gjuhë amtare shqipen dhe audienca e të cilëve në përgjithësi jeton në fshatra dhe dihet kupton vetëm gjuhën e vet, serbishten? Si të ja bëjmë ne, gazetarët, të cilët çdo ditë iu raportojmë lexuesve dhe shikuesve tanë, që t’i njoftojmë me kohë dhe saktë për ligjet që po miratohen atje, për pyetjet parlamentare dhe përgjigjet e qeverisë, gjërat me spec që e interesojnë audiencës. Si të ja bëjmë kur sapo nga salla del edhe deputeti i fundit serb, ndalet përkthimi, ndërsa përkthyesi rri ulur në kabinën e tij dhe hesht? Më besoni, në këto raste vetëm vlen parulla: dilja vet disi. Kush ia del, ka lajmin. Është shqetësuese që edhe deputetët e Kuvendit, pjesëtar të komuniteteve pakicë nuk mundohen sa duhet, ose aspak, që të gjithë gazetarët me kohë të marrin të njëjtat informata.

Kuvendi është institucioni i parë, por jo i fundit, në të cilin serbët, e në veçanti gazetarët serbë, nuk mund të marrin informata të caktuara në gjuhën e tyre amtare, e cila, përsëris edhe një herë, është gjuhë zyrtare. Dokumentet personale shpesh duken si të mos ishin tuajat. Ato shkruhen me të ashtuquajturin “alfabetin latin të shkurtuar”, shkronjat e alfabetit latin janë të zëvendësuara me shkronjat në shkrimin shqip. A do të thotë kjo se dikush nuk dëshiron të shkruajë ashtu si duhet apo është thjesht gabim dhe mosdije? Nëse heshtni, ekziston rreziku që emri dhe mbiemri juaj nesër të mos jetë ai që keni marrë që nga lindja. Është e tepërt të flasësh për alfabetin cirilik. Ajo prej kohësh mungon në komunikimin me shkrim, por nuk janë fajtor vetëm të punësuarit në institucione. Vetë serbët, veçanërisht ata me arsim të lartë, nuk përpiqen për së tepërmi për të ruajtur gjuhën dhe alfabetin e tyre. Me shumë lehtësi i kthehen gjuhës angleze, siç bëjnë edhe shqiptarët.

Ndërsa është e nevojshme të mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit. Jo vetëm që është e dobishme, por tingëllon bukur kur fqinjët tanë i përshëndesim me fjalët “Mirëdita” ose “Dobar dan”. Kjo tregon respekt të ndërsjellë dhe tejkalon stereotipat.

Nga Ministria e integrimit evropian, kulturës, financave, punëve të brendshme dhe me këtë nuk shteret lista e atyre që nuk respektojnë Ligjin për gjuhën, komunikatat në shumicën e rasteve vijnë në shqip, ashtu edhe komunikatat nga Policia e Kosovës. Edhe në këto raste për gazetarët vlen parulla “dilja vet disi”. Publikime të ndryshme dhe tekste të përkthyera që në faqen e internetit vonohen me muaj, me në një serbishte të pakuptueshme. Ligjet, thonë ekspertët, nuk tingëllojnë njësoj në gjuhën shqipe dhe serbe. Disa mund të shkojnë në burg për vepra të caktuara, ndërsa për të tjerët është e paraparë vetëm gjoba. Dhe të gjitha për shkak të përkthimit të dobët.

Të paktë janë përkthyesit e mirë në Kosovë dhe duket se për institucionet nuk është e rëndësishme “t’i krijojnë” ata. Thonë nuk ka mjete. Vetëm një propozim nga gazetari: zotërinj institucional, zvogëloni përdorimin e automjeteve zyrtare për qëllime private dhe ja ku ju del një pjesë e mjeteve.

Problem me të drejtat gjuhësore nuk ka vetëm në institucione qendrore. Edhe ato lokale, komunal dhe punonjësit e tyre shpesh harrojnë se ata janë në vende të caktuara të punës pikërisht për shkak të qytetarëve, pa marrë parasysh kombësinë dhe gjuhën që flasin.

Ekspertët në këtë fushë thonë se kjo vjen kryesisht për shkak të vështirësive në rekrutimin e punonjësve të administratës publike të cilët njohin mirë të dyja gjuhët zyrtare dhe mungesës së trajnimeve gjuhësore, si dhe për shkak të nivelit të ulët të përfaqësimit të komuniteteve të caktuara në administratën publike. Nëse ata tashmë e kanë zbuluar problemin do të duhej edhe ta zgjidhnin. Kjo është arsyeja pse janë aty ku janë.

Shenjat e trafikut dhe toponimet janë një problem i veçantë. Në veri mbishkrimet në shqip janë të rralla, ndërsa në jug të Ibrit, ato në serbisht janë shlyer. Pse kështu, e dinë vetëm ata që nuk e kuptojnë pasurinë e diversitetit. Siç e thash në fillim, ka shumë të tillë. Shumë për një hapësirë të vogël si ajo e Kosovës.

Nga Zyra e Komisionerit për Gjuhë theksojnë se në raportet që më herët i kanë shpalosur në publik ata kishin përmendur se në Kosovë nuk ekziston asnjë institucion që në përpikëri respekton Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Ka nga ata që zbatojnë ligjin vetëm në segmente të caktuara, por nga ana tjetër, ka një numër të madh të atyre që nuk e respektojnë fare dhe kjo gjendje vazhdon për vite”, kishte thënë në një rast Komisioneri për gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq.

Dhe që të mos mbetët e gjithë kjo vetëm kritikë gazetare. Zyra e Komisionerit për Gjuhë, me një numër të vogël të njerëzve vërtetë të aftë dhe një buxhet të kufizuar, është duke e kryer punën e Sizifit. Ata kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje si nga institucionet ashtu edhe nga qytetarët.

Dhe për të konkluduar me fjalët e pensionistit Xhafer Halili nga fshati Cerajë i Komunës së Leposaviqit:

“Sa më shumë gjuhë njeh, aq më mirë. Është mirë nëse ekziston një ligj për gjuhën sepse nuk është mirë tua mbyllni dyert fqinjëve tuaj që nuk flasin gjuhën tënde”.

Ky botim është pjesë e projektit Krijimi i Kosovës dygjuhësore të cilin e zbaton OJQ AKTIV dhe financon Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë. Përmbajtja e botimit është përgjegjësi e OJQ-së AKTIV dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pozicionin e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd