PSE DUHET TË SHKATËRROJMË GJITHÇKA QË ISHTE E MIRË?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autorka:
Zulfija Jakupi

Dikur në shkollat e ish Jugosllavisë, në mjedise shumëkombëshe mësoheshin gjuhët e fqinjëve. Kështu u mësuan gjuha shqipe dhe serbe në Kosovë, dhe kjo praktikë padyshim e kishte pasuruar shoqërinë tonë. Njohja e gjuhës së rrethit në të cilin jetohet është një avantazh i madh, sepse në atë mënyrë kontribuohet për komunikim më të mirë, kuptimin dhe thyerje të paragjykimeve që kemi për njëri-tjetrin.

Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, shumë gjëra të shëmtuara na kanë ndodhur. Lufta e përgjakshme dhe vrasjet nuk e kanë shmangur as Kosovën. Në një atmosferë të tillë, askujt nuk i shkoi ndërmend të favorizonte mësimin e gjuhëve të fqinjëve të tyre.

Sidoqoftë, misionet ndërkombëtare në Kosovë morën parasysh barazinë e gjuhëve, kështu që në periudhën e pasluftës, në fuqi ishte tregjuhësia. Përveç gjuhës shqipe dhe serbe, gjuha joformale zyrtare ishte edhe anglishtja, si gjuhë e diplomacisë botërore. Edhe gjuha angleze ishte, nëse mund të them kështu, standard për saktësinë e një dokumenti zyrtar.

Plani i Ahtisaarit, në bazë të së cilit në Prishtinë në vitin 2008 me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë është shpallur pavarësia e Kosovës, përmes Kushtetutës legalizoi dy gjuhë zyrtare, gjuhën shqipe dhe serbe. Në nivelin komunal, lejohet futja e gjuhëve të tjera si gjuhë zyrtare, të tilla si gjuha turke, boshnjake dhe rome, në varësi të përqindjes së bashkësive etnike që jetojnë në qeveri të caktuara lokale. Mirëpo, duke pasur parasysh që shqiptarët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës, realisht, në praktikë, është e vështirë të arrihet barazia në përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Edhe pse pjesëtarët e brezit të mesëm dhe të vjetër të shqiptarëve, të cilët jetuan në kohën e ish-Jugosllavisë, në një numër të madh ende flasin gjuhën serbe, kjo është një dukuri gjithnjë e më e rrallë mes të rinjve. Duke marrë parasysh që, me kalimin e kohës, shumë shqiptarë që e dinë gjuhën serbe tashmë kanë dalë në pension ose janë në përfundim të jetës së tyre të punës, dhe mund të konstatohet se ka gjithnjë e më pak të punësuar në institucionet shtetërore që flasin shqip dhe serbisht.

Serbët kanë më shumë nevojë të njohin gjuhën shqipe, por jo edhe e kundërta.

Edhe pse gjuha shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare në Kosovë, pjesëtarët e komunitetit serb sigurisht që nuk janë në të njëjtën pozitë me shqiptarët. Komuniteti shumicë në jetën e përditshme nuk ka një nevojë të madhe për gjuhën serbe, ndërsa serbët në të vërtetë kanë nevojë të madhe për gjuhën shqipe. Serbët që jetojnë në Kosovë kanë nevojë për gjuhën shqipe për gjërat më të zakonshme si blerjet dhe transporti, por edhe për të kryer punët administrative. Prandaj, serbët kanë shumë nevojë të dinë gjuhën shqipe të paktën në nivelin elementar. Mund të thuhet se shqiptarëve gjuha serbe me shumë ju nevojitet kur janë jashtë kufijve të Kosovës, në vendet e rajonit, por në ato raste, mund të shërbej edhe gjuha angleze.

Pakicat jo-serbe të cilat mësojnë me sistem arsimor të Kosovës në shkollat fillore dhe të mesme, në mësimin në gjuhën boshnjake dhe turke, kanë për lëndë obligative gjuhën shqipe. Kjo ishte praktikë në Kosovë edhe gjatë Jugosllavisë socialiste. Sidoqoftë, pas luftës, fëmijët shqiptarë dhe serbë janë arsimuar në shkolla sipas programeve të ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit. E përbashkëta e tyre është se ata mësojnë vetëm gjuhë të huaja, siç janë gjuha angleze dhe gjermane, por jo gjuhët zyrtare të Kosovës.

Megjithatë, pse duhet të shkatërrojmë gjithçka që ishte e mirë? Pse prapë të mos e fusim, të paktën si lëndë zgjedhore, gjuhën shqipe në mësimin në gjuhën serbe dhe anasjelltas, gjuhen serbe në mësimin në shqip?

Unë e di shumë mirë që pas luftës në Kosovë, shumë shqiptarë nuk duan të dëgjojnë për gjuhën serbe dhe anasjelltas. Sidoqoftë, futja e një lënde zgjedhore në shkolla do t’u jepte një mundësi të paktën atyre që duan të mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre. Në të njëjtën mënyrë, për të mos lënë pas dore studimet shkencore që tregojnë se fëmijët që flasin më shumë gjuhë kanë tru më fleksibël dhe mund të zhvillojnë empati më herët dhe të kuptojnë më mirë se njerëzit e tjerë kanë dëshira të ndryshme, mendime të ndryshme dhe perceptime të ndryshme nga ata.

Këmbëngulni për të mësuar gjuhë zyrtare

Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës i obligojnë të gjitha institucionet e Kosovës të përdorin dygjuhësinë, por në praktikë zbatimi i ligjit të parashikuar është i dobët. Ekzistojnë disa arsye pse dygjuhësia nuk zbatohet siç duhet, duke filluar nga vullneti i pamjaftueshëm politik, e deri te (pa)mundësitë financiare, teknike dhe njerëzore.

Menjëherë pas luftës, misionet ndërkombëtare dhe shërbimet diplomatike punësuan përkthyesit më të mirë, kështu që institucionet kosovare nuk kanë një përzgjedhje të madhe të përkthyesve të mirë nga gjuha shqipe në serbe. Pasi që mësimi i gjuhëve zyrtare nuk është i obligueshëm në shkolla, edhe 20 vite pas përfundimit të luftës nuk ka katedra të gjuhës serbe ose shqipe në Universitetet e Prishtinës dhe Mitrovicës së Veriut, është logjike që në të ardhmen e afërt të mos ketë përkthyes profesionistë. Edhe në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë legjislativ, përkthimi është me cilësi të dobët, si ai me shkrim ashtu edhe me gojë. Situata nuk është më e mirë as në qeveri e në ministritë e saj.

Nuk do të ishim korrekt nëse themi se nuk ka aspak vullnet të mirë për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në vitin 2012, Qeveria e Kosovës themeloi Zyrën e Komisionerit për Gjuhët, e cila bëri shumë duke insistuar që institucionet të respektojnë ligjin dhe duke promovuar ndërgjegjësimin e qytetarëve nga të gjitha komunitetet në lidhje me rëndësinë e mësimit të gjuhës për një komunikim dhe kuptim më të mirë. Si gazetare e redaksisë në gjuhën serbe në RTK Radio, unë personalisht kam bashkëpunuar shumë me atë Zyrë, duke sugjeruar se nga cilat institucione duhet kërkuar përkthim ose duke lavdëruar praktikën e mirë të atyre që janë në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Nga përvoja ime, mund të them se shumica e politikanëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të Kosovës, si dhe qytetarët e zakonshëm të komunitetit shqiptar, nuk refuzojnë për gazetarët të japin deklarata në gjuhën serbe, edhe kur gjuha e tyre serbe nuk është në një nivel të kënaqshëm. Kryesisht vullneti i njerëzve ekziston, por kur bëhet fjalë për dokumente dhe njoftime zyrtare, situata është shumë më e vështirë.

Fakti që unë flas serbisht dhe shqip për mua si gazetare është një avantazh i madh në punën time profesionale. Unë jam gjithashtu e vetëdijshme se sa mosnjohja e të dy gjuhëve e vështirëson punën e përditshme për kolegët e mi. Pikërisht për këtë e konsiderova si një obligim që përmes bashkëpunimit vullnetar me Zyrën e Komisionerit për Gjuhët sado pak të kontribuoj në përmirësim e gjendjes.

Se në Kosovë ka shumë njerëz që janë të vetëdijshëm për nevojën e njohjes së gjuhës, sepse ata tashmë jetojnë në një mjedis shumëkombësh dhe shumëgjuhësh, tregon shembulli i bashkëpunimit të Misionit të OSBE-së në Kosovë me transmetuesin publik Radio Televizionin e Kosovës (RTK) në organizimin e kurseve falas të gjuhës shqipe dhe serbe. Pikërisht një kurs i tillë është duke u mbajtur online në përputhje me situatën epidemiologjike, të cilin koleget e mia nga redaksia me dëshirë janë duke e ndjekur.

Interesimi për të mësuar gjuhët zyrtare ekziston dhe duhet të insistojmë edhe më tepër për të mirën e të gjithë neve që jetojmë në Kosovë. Ndoshta duhet të marrim shembull nga punonjësit e kulturës. Shembulli më i mirë është shfaqja teatrale nga Beogradi, e cila u prit shkëlqyeshëm në Prishtinë. Gjuha nuk ishte aspak pengesë për të shijuar një shfaqje të shkëlqyeshme dhe aktrim edhe më të mirë. Prandaj besoj se është e nevojshme që të gjithë ne që jetojmë në këto hapësira të bëjmë përpjekje të mos shkatërrojmë gjithçka që ishte e mirë dhe të sigurojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë.

Autorja është kryeredaktore e përgjithshme e programit për komunitete në RTK Radio. Ky tekst u botua në kuadër të një fushate për informim publik mbi të drejtat gjuhësore në Kosovë. Kjo fushatë është pjesë e projektit “Krijimi i një Kosove dygjuhëshe” i cili zbatohet nga OJQ AKTIV me mbështetje të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinioni i shprehur në tekst nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd