GJITHÇKA QË KENI DASHUR TË DINI PËR DIALOGUN, POR NUK KENI GUXUAR TË PYESNI

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Miodrag Miki Marinkoviq, drejtori programit AKTIV

Ky tekst ka një qëllim ambicioz që të kundërshtoj “epideminë” e ambiguitetit, banalitetit dhe “gënjeshtrave të lejuara” që për disa vite me radhë shoqëron dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe të përpiqet të interpretojë atë që qëndron prapa ngatërresës së tanishme në një gjuhë të lirë nga çdo paqartësi. Qëndrimet janë personale dhe si të tilla u nënshtrohen gabimeve, por ato bazohen në analizë objektive, dhe punë profesionale shumë vjeçare të autorit për këtë temë.

Pyetja e parë dhe logjike është se ku ka “ngecur”? Deri te kjo erdhi kur administrata e diplomacisë së BE-së në largim (EEAS), në krye me Federica Mogherinin, e intoksikuar nga perspektiva e suksesit personal, besoi në premtime se mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë me korrigjimin e kufijve, dhe u hap për këtë mundësi. Më saktësisht, në pyetje është mosveprimi. Bashkimi Evropian NUK hodhi poshtë propozimin për korrigjimin e kufijve, një propozim që anulon gjithë rrjedhën e dialogut në Bruksel dhe kështu dërgoi një mesazh të qartë se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani nuk janë detyruese ngase, mund të flitet edhe për disa zgjidhje të tjera. Në atë moment, të dyja palët u larguan nga linja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e presioni ndërkombëtar u zhduk, dhe erdhi deri te një ngecje që po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Ku jemi tani? E vetmja gjë që është e sigurt në këtë moment është konsensusi i demokracive të mëdha perëndimore, se shtetësia e Kosovës nuk është një histori e mbaruar dhe se duhen përpjekje shtesë për të përfunduar punën. Përpjekjet në atë drejtim janë në një rrugë pa dalje, sepse BE-ja (më saktë, Gjermania dhe Franca) dhe SHBA-ja nuk pajtohen rreth modaliteteve për arritjen e këtij qëllimi. Ky mospajtim ka formën e tij më të dukshme në luftën e ashpër diplomatike mbi formatin në të cilin do të vazhdojë dialogu, një luftë që është ndezur deri në kufijtë e paparë këto ditë.

Pse është i rëndësishëm formati i dialogut, për të cilin aleatët perëndimorë janë duke debatuar? Formati i dialogut është i rëndësishëm sepse vendos kornizën përfundimtare për zgjidhje. Ekzistojnë dy rrugë që çojnë në rezultate të ndryshme:

Modeli i SHBA-së. Nëse negociatat fillojnë në formatin e propaganduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të ketë negociata në formën klasike, por Serbia dhe Kosova do të deklarohen për një plan të përgatitur paraprakisht, i cili përfshin shkëmbimin e territoreve. Modeli i BE-së. Nëse negociatat fillojnë në formatin e propozuar nga BE-ja, kjo në thelb do të nënkuptojë ringjalljen e procesit të dialogut në Bruksel. Shkëmbimi i territoreve nuk do të jetë objekt, e kështu as rezultatet e këtyre bisedimeve, dhe procesi do të jetë shumë më i gjatë, sepse do të duhet të fillojë ringjallja e marrëveshjeve të arritura para ngecjes, pra do të diskutohet për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, krijimin e asociacionit të komunave serbe, etj. pra rreth ideve të cilat e vendosin ad acta skenarin e demarkacionit.

Në atë kontekst, është shumë e thjeshtë të interpretohen deklaratat “tronditëse” të liderëve kosovar, kryeministrit Avdullah Hoti, i cili deklaroi se “dëshiron të punojë në krijimin e AKS-së” që në fakt është një mesazh se ai parapëlqen formatin e BE-së, dhe deklarata e Presidentit Thaçi se ai nuk dëshiron të takohet me të dërguarin e BE-së Lajçak, që është një mesazh i hapur se ai dëshiron një format të SHBA-së.

Nga erdhi ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së? Megjithëse duket kështu, SHBA-ja nuk e ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin ndaj Kosovës. Qëllimi mbetet një Kosovë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht. Ndryshimi i vetëm është se administrata e re e ka pranuar në mënyrë pragmatike se në këtë proces, duhet të marrë diçka edhe pala (njeriu) që do ta bëjë këtë të mundur. Serbia.  Një qëndrim i tillë i SHBA-së bazohet në një vlerësim realist të prospektit të integrimit të mëtutjeshëm të Kosovës në trendet ndërkombëtare. Në nivelin ndërkombëtar, Kosova ka arritur gjithçka që mund të arrihet pa Serbinë. Njohjet, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, etj. Progresi i Kosovës në atë drejtim tani është i mundur vetëm me njohjen e Serbisë, gjë që i jep asaj një ndikim të papritur të madh në të gjithë procesin. Shtetet e Bashkuara e kuptuan këtë në mënyrë pragmatike dhe mbështetën idenë që çon në njohje, me lëshime që janë të pranueshme për ta.

Çfarë dëshiron BE-ja? Bashkimi Evropian, përkundër disa deklaratave të zyrtarëve të tij, në këtë moment nuk e sheh Kosovën si prioritet. BE-ja po përballet me çështje thelbësore të rregullimit të vet, largimin e një prej vendeve më me ndikim dhe më të madh, Britanisë së Madhe, shembjen e iluzionit të solidaritetit evropian gjatë pandemisë COVID-19, dhe pasojat e saj të pashmangshme ekonomike janë prioritete të saja. Kështu, BE është e përqendruar në konsolidimin e brendshëm dhe procesi i zgjerimit përkohësisht është pezulluar. Kjo është arsyeja pse BE-ja aktualisht nuk ka asgjë për t’i ofruar Kosovës dhe Serbisë (liberalizimi i vizave, progresi drejt anëtarësimit, etj.). Nuk ka karotë, e kështu nuk ka as shkop. Kjo është arsyeja pse BE-ja, d.m.th. liderët e saj, Gjermania dhe Franca, duan të rigjallërojnë dialogun e Brukselit, si një proces i kontrolluar dhe afatgjatë që do t’u japë atyre mundësinë për të mbajtur gjallë perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor (deri në një karotë më të mirë) dhe të parandalojnë disa zgjidhje që kërcënojnë stabilitetin në kufijtë e saj. Dhe plani i demarkacionit shihet si i tillë. Kështu, BE-ja po nxiton të fillojë procesin në mënyrë që SHBA-ja të mos e tejkaloj, mirëpo nuk po nxiton që ta përfundojë atë.

Çfarë dëshiron Kosova? Politikanët e Kosovës tregojnë nostalgji për formatet aktuale të angazhimit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, procese të tilla si i Rambujes, Kumanovës apo mobilizimi ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë. Pra, formati i bisedimeve ku e panjohura është vetëm se sa ashpër të ndëshkohet Serbia. Në një situatë kur diplomacitë kryesore të botës perëndimore njohin legjitimitetin e kërkesave të Serbisë, d.m.th. palët udhëheqëse që edhe ajo të “marrë diçka”, politikanët e Kosovës janë të ndarë, të befasuar dhe madje edhe të zhgënjyer. Emëruesi i vetëm i tyre i përbashkët është vija e kuqe, që pas përfundimit të atyre bisedimeve, në çdo format, Serbia duhet ta njohë Kosovën. Dhe për momentin, ekziston një luftë për mënyrën sesi do të arrihet kjo, përmes realitetit të ri, pra lëshimeve, apo qëndrimit të vjetër që Serbia përmes presionit të detyrohet ta njoh Kosovën. Opsioni i dytë duket se ka humbur mbështetjen politike, por është gjithashtu shumë i fortë në mesin e votuesve, dhe si i tillë i ndjeshëm ndaj abuzimeve populiste.

Çfarë dëshiron Serbia? Përgjigja më e saktë do të ishte që Serbia dëshiron çdo zgjidhje që mund të paraqitet si sukses për publikun në Serbi dhe kështu t’i mundësoj partisë në pushtet të ruajë pushtetin. Partia e identifikoi ndarjen si një zgjidhje të tillë, d.m.th. shkëmbimi i territoreve si një ide, sipas tyre, e “rëndësisë historike për kombin”, që do të thotë një demarkacionin i përhershëm në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe hyrja e përshpejtuar e Serbisë në Bashkimin Evropian. Qeveria në Serbi është ende në atë linjë, por jo aq fuqishëm, sepse ai plan nuk mori mbështetjen e fuqive më të rëndësishme të BE-së. Kështu, por edhe për faktin se BE-ja nuk do të zgjerohet në të ardhmen e parashikueshme, Serbia po humbet një argument të fortë të anëtarësimit në BE, të parashikuar si një ofertë për popullin në këmbim të pranimit të demarkacionit dhe njohjes së Kosovës, që është pjesë përbërëse e këtij plani. Në të njëjtën kohë, ky ishte plani i vetëm i Serbisë, kështu që pozicioni aktual i liderëve të saj është – pritja.

Çfarë dëshirojnë serbët e Kosovës? Kurrë askush nuk i pyeti ata. Autoritetet në Serbi i paraqesin ata si avokues të idesë së ndarjes, (teksa me forcë i shuajti votat kundër) në bazë të mbështetjes së madhe që gëzonte në mesin e serbëve në Kosovë nga Lista Serbe, një eksponent i SNS në Kosovë. Në mes është edhe ndërrimi i tezave. Lista Serbe mori mbështetje pothuajse 100% pikërisht duke maskuar idenë e demarkacionit me një populizëm agresiv patriotik, por edhe duke bërë presion mbi punonjësit në sektorin publik ose format e tjera të kërcënimit. Ideja e demarkacionit nuk i është nënshtruar kurrë një dialogu të hapur dhe të lirë brenda komunitetit serb në Kosovë, kështu që përgjigjja në pyetjen se çfarë dëshirojnë serbët nga Kosova është e pamundur. Sidoqoftë, ekziston një numër i madh i hulumtimeve që tregon se 80% e serbëve nga Kosova (përfshirë komunitetin në veri) kundërshtojnë planin e ndarjes, pa specifikuar se cila mund të jetë zgjidhja. Bazuar në këtë, është e sigurt të thuhet se gjendja aktuale e konfliktit të ngrirë u përshtatet më së miri serbëve në Kosovë.

A ka tashmë një plan për “ndarje”? Plani ose parimet e tij themelore janë të harmonizuara dhe ekzistojnë. Në çfarë mënyre tjetër të shpjegohet pëlqimi dhe shpalosja pothuajse e sinkronizuar e mbështetjes së idesë së tillë në gusht të vitit 2018 nga presidentët e Serbisë dhe Kosovës, deri atëherë armiq të përbetuar. Çfarë kanë mbështetur ata gjatë atyre ditëve nëse nuk ka plan? Pra, është e sigurt që ky plan u punua në fshehtësi disa vite më parë, së bashku me përpjekjet e vetëdijshme për të mashtruar publikun e Serbisë dhe Kosovës, dhe së bashku me, siç u zbulua kohët e fundit, lobimin e financuar nga paratë tona, për të fituar mbështetjen e liderëve evropianë dhe ekspertëve për atë ide.

Çfarë nënkupton ai plan? Megjithëse nuk është prezantuar publikisht, plani parashikon shkëmbimin e territoreve të banuara nga komunitete etnikisht homogjene (serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në jug të Serbisë). Ku do të shtrihen ata kufij nuk është zbuluar nga krijuesit e tij, megjithatë, kjo nuk është aq e rëndësishëm në krahasim me vet parimin me të cilin zgjidhet problemi.  Nëse ai parim është demarkacioni, pavarësisht nëse bëhet fjalë për lumin Ibër si kufi apo shkëmbim i vetëm disa fshatrave në komunën e Leposaviqit, kjo do të thotë të heqësh dorë nga ideja për një Kosovë multietnike, dhe kështu legjislacioni që rregullon atë multietnicitet do të jetë i tepërt. Pra, me shkëmbim të çfarëdo shkalle, serbët që mbesin në Kosovë humbasin të drejtat afirmative, si p.sh. mekanizmin e shumicës së dyfishtë, vende të rezervuara në parlament, statusin e gjuhës serbe si gjuhë zyrtare dhe të ngjashme. Pra, të gjitha ato të drejta që e bëjnë jetën në Kosovë të pranueshme për ta.

A do të thotë fundi i dialogut njohje e Kosovës nga Serbia? Një pjesë integrale e skenarit të demarkacionit është njohja e Kosovës nga Serbia. Është naive të besohet që do të merret një rrugë kaq e rrezikshme, pa parashikuar njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga autoritetet në Beograd.  Skenari i dytë, rigjallërimi i dialogut në Bruksel, nuk do të kërkojë domosdoshmërish njohje zyrtare nga Serbia, por përpjekje të vërteta të Serbisë për të hequr pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kërkesa për njohje do të vijë në mënyrë të pashmangshme si kusht për pranimin e Serbisë në BE, dhe kjo është arsyeja pse autoritetet në Serbi po fshehin mundësinë e arritjes së një marrëveshje pa njohje, të vetëdijshëm se një ditë ata do të përballen me të.

Çfarë do të thotë marrëveshja për njohje ndërkombëtare të Kosovës? Arritja e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, qoftë përmes demarkacionit ose dialogut të BE-së, do të hapte rrugë që Kosova të njihet nga pesë (5) vende të BE-së që akoma nuk e kanë bërë. Kusht për këtë është që marrëveshja në mënyrë eksplicite të siguroj pëlqimin e Serbisë që Kosova të përmbushë në mënyrë të pavarur detyrimet e saj ndërkombëtare. Nga ana tjetër, anëtarësimi i plotë në KB nuk varet nga njohja e Serbisë, por nga Rusia dhe Kina – vendet me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të KB-së. Përfaqësuesit e të dy vendeve tregojnë rezerva për pozicionin e ri të Serbisë, një plan demarkacioni që parashikon njohje, pavarësisht idhujtarisë pothuajse groteske të presidentit serb, i cili kërkon të sigurojë mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për një plan të tillë.

A është arritja e një marrëveshjeje deri në fund të vitit një mundësi reale? Jo. Edhe pse pothuajse të gjithë politikanët flasin për vitin 2020 si viti në të cilin do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë, për shkak të mosmarrëveshjeve të palëve të interesuara të BE-së të udhëhequra nga Gjermania dhe SHBA-së mbi parimin e zgjidhjes së këtij problemi. Nëse deri në fund të vitit të njëjtat palë arrijnë një marrëveshje për formatin në të cilin dialogu do të ringjallet, atëherë mund të quhet sukses. Ekziston, natyrisht, çështja e zbatimit të marrëveshjes, e cila kërkon vërtetimin demokratik (zgjedhje të reja, referendum), por edhe ndryshime në kornizën kushtetuese si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, të cilat procese kërkojnë vite dhe është gati e pamundur që marrëveshja të mos prodhojë kriza të brendshme politike.

Në fund, çfarë mund të presim në bazë të gjithë kësaj? Skenari më i mundshëm është:

  • refuzimi përfundimtar i idesë së ndarjes deri në nëntor 2020,
  • arritjen e një lloj marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e SHBA-së (të ngjashme me marrëveshjet e mos zbatuara kurrë për hapjen e transportit ajror dhe hekurudhor),
  • relaksimi i procesit për sa i përket presioneve për të arritur një zgjidhje të shpejtë,
  • dhe kthimin e dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian.
Një seri tekstesh në formatin OP-ED nga autorë, ekspert të njohur ndërkombëtarisht janë planifikuar të publikohen në portalet më të lexuara në gjuhën serbe në Kosovë, RTV Kim, Crno Beli Svet, KoSSev dhe Graçanica online. Të gjitha tekstet do të publikohen së pari në portalin RTV Kim, ndërsa portalet tjera do të ri-publikojnë tekstet bazuar ne politikat e tyre editoriale. Tekstet trajtojnë tema dhe procese aktuale politike dhe shoqërorë në Kosovë, rajon dhe glob. Këto tema, të randa per se, rëndohen edhe më shumë nga pandemia me virusin e ri corona CV19 e cila përpos tjerash ngushtoj hapsirën për diskutim, përballje të mendimeve dhe aktivizëm civil. Me këtë iniciativë shpresojmë të zgjerojmë këtë hapsirë, të plotësojmë boshllëkun e krijuar dhe të mundësojmë depërtimin e zërave dhe qëndrimeve “ndryshe” në hapsirën virtuele të interentit. Kjo iniciativë e disajnuar dhe përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS e cila zbatohet me dymbëdhjete OShC dhe media serbe të Kosovës (Media Center, Crno Beli Svet, Forum for Development and Multiethnic Collaboration, New Social Initiative, NGO Aktiv, Center for the Rights of Minority Communities, Institute for Territorial Economic Development, Humani Centar Mitrovica, RTV Kim, Gracanica online, KoSSev) ka filluar në prill të këtij viti dhe do të zgjas dei në fund të vitit 2020. Kjo iniciativë në fund të vitit do të del edhe me tetë analiza të sektorëve më kritik sipas komunitetit serb, por për këtë do të ju lajmërojmë më në detale më vonë. RTV Kim

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd