DO YOU SPEAK SRPSKI?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Predrag Milkoviq

Është saktë 9 e 15, gjykimi ishte caktuar për në orën 9:00. Në korridorin e Gjykatës Themelore para gjykatores numër 4 janë ulur të gjithë të ftuarit për ditën e sotme: klienti im, i cili është pala e dëmtuar, avokati i të akuzuarit, dëshmitari, eksperti mjekësor dhe prokurori i shtetit. I akuzuari, i cili nuk erdhi herën e fundit, është duke u pritur, kështu që për sot, gjyqtari urdhëroi që prania e tij të sigurohet me një urdhër arresti. Dy policë dhe ai u shfaqen në fund të korridorit, kaluan para nesh, u futën në gjykatore, dhe u ulën në rreshtin e parë pranë murit. Sipas rregullit, njëri ulet pranë, dhe tjetri prapa të akuzuarit. Ia larguan prangat nga duart. Dhe sekretarja nxitimthi kaloi. Bartësi i lëndës tha: “Hyni, gjykatësi do vij së shpejti”. Hyjmë të gjithë. Prokurori dhe unë zëmë vendet tona, avokati i të akuzuarit gjithashtu, dhe të tjerët u ulën pas nesh. Hyri gjykatësi, të gjithë u ngritëm. Me nxitim tha: “Uluni, më falni që u vonuam pak”. Shikon në monitorin e tij, mbajtësja e procesverbalit i pëshpërit diçka, gjykatësi e kundërshton. Hapa fletoren time të shënimeve, lëndën, shikoja pyetjet që kisha përgatitur sot për dëshmitarin dhe ekspertin. Avokati i të akuzuarit gjithashtu. Mendoj se sa e vështirë do të jetë sot të marrësh në pyetje një ekspert mjekësor, pasi terminologjia mjekësore është e ndërlikuar, madje edhe me përkthyes. Uh… Gjykatësi paraqet lëndën, konstaton të pranishmit dhe tani ajo kryesorja: “Gjykata konstaton se nuk ka kushte që seanca e sotme dëgjimore të zhvillohet sepse në seancën e sotme nuk mund të jetë i pranishëm përkthyesi i gjykatës V.B. dhe seanca dëgjimore caktohet me datë….” Jashtë procesverbalit, gjyqtari shpjegon: “E dini, në gjykatë e kemi vetëm një përkthyes, por ai është i sëmurë sot. Gjysmë ore më parë, na njoftoi se nuk do të mund të vijë, u përpoqëm të gjenim një zëvendësim nga një degë tjetër, por kjo nuk ishte e mundur… ”

Duke u larguar nga gjykata mendoja se sa i kushtoi kjo shtetit sot? Është e qartë, pagat janë në baza mujore dhe e gjithë kjo është në “kuadër të shërbimit”, por për të u mbajtur një dëgjim i tillë, është e detyrueshme prania e: gjykatësit, procesmbajtësit, prokurori të shtetit, dy avokatëve (në këtë rast), dëshmitarëve, ekspertëve, të pandehurit, të akuzuarit dhe dy zyrtarëve policor. 11 persona! Për hir të së vërtetës, nuk është faji i përkthyesit. Ai nuk mund të zgjedhë kur do të sëmuret, e as nuk dëshiron të sëmuret, por ja që ndodhi. Dhe sa herë ndodh kjo situatë në baza vjetore? Në të gjitha gjykatat në Kosovë dhe të gjitha degët dhe departamentet e veçanta apo institucionet e tjera – në polici, komunë, inspektorat, administratë tatimore…? Faji i kujt është? Si ndodh që gjykatat kanë vetëm disa përkthyes dhe degët e gjykatave një?

Shikoni, nuk është kjo diçka që u bë e domosdoshme dje, dhe sot nuk e menaxhuam, ose është diçka e përkohshme dhe improvizojmë derisa të tejkalojmë pengesën. Shqiptarët, Serbët, Boshnjakët, Romët… ne të gjithë jetojmë në Kosovë për një kohë shumë të gjatë dhe i dimë pengesat tona gjuhësore. Sidoqoftë, në njëzet vitet e fundit, thjesht askush nuk interesohet mjaftueshëm për t’u marrë me këtë çështje.

Nuk dua ta komplikoj këtë tekst me terminologjinë dhe shprehjet juridike, institutet juridike, etj. Do doja që nga këndvështrimi im t’ju prezantoj disa nga problemet, por është e pashmangshme të mos përmendi problemet “e famshme” të përkthimit të ligjeve.

Të gjithë e dinë se ekziston Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2006 dhe se është pjesë e legjislacionit pozitiv. Ky ligj përshkruan se cilat janë gjuhët zyrtare, si dhe nga kush, si dhe kur duhet të respektohet përdorimi i gjuhëve zyrtare. Shumë e qartë. Sidoqoftë, çfarë po ndodh me vetë organin legjislativ? A i respekton ligjvënësi ligjet “e tij”? Ligji për procedurën kontestimore (Nr. 03/L-006), në fuqi që nga viti 2008, do shërbejë si një shembull. Kush ka pasur mundësi të lexojë një pjesë të dispozitave të këtij ligji, për të është e qartë se për çfarë po flas. Ne nuk duhet të shkojmë përtej faqes së parë të këtij ligji e të mos gjejmë të paktën 5 ose 6 gabime në tre nenet e para. Si shembull, do citoj Nenin 2, paragrafët 1 dhe 2.

“Në procedurë kontestimore gjykata vendos brenda kufijve të kërkesave që janë parashtruar nga palët ndërgjyqëse. Gjykata i zbaton rregullat e të drejtës materiale sipas çmuarjes së saj dhe nuk është e lidhur me thëniet e palëve që kanë të bëjnë me të drejtën materiale”

Nëse vazhdojmë më tej, neni 3 paragrafi 3 thotë “… Gjykata nuk do t’i miratojë disponimet e palëve që janë në kundërshtim me…”

Nuk duhet të jesh avokat për ta vërejtur këtë, por ajo që është edhe më e trishtueshme janë përkthimet e tmerrshme të instituteve juridike dhe dallimet në ligje në versionet në gjuhën shqipe dhe serbe. Si rezultat, ne marrim të njëjtin ligj me dispozita të ndryshme në varësi të gjuhës që përdorim. Pyetja më serioze është, a është e mundur që ky ligj të ketë qenë në fuqi që nga viti 2008 (e deri më sot, për 12 vite e 3 muaj) pa u kujtuar ligjvënësi ta korrigjoj? Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë në çdo gjuhë. Pikë. Duket jashtëzakonisht joserioze, sikur dikush të kishte thënë “ja ku e keni një grumbull ligjesh në diçka që i ngjan gjuhës suaj, interpretoni sipas dëshirës…” Kur lind një problem, “e shohim pastaj, e për çdo gjë që nuk mund ta përktheni, ekziston gugëll përkthyesi…” Theksoj, ky është vetëm një nga ligjet, në praktikë pata mundësi të shoh dhe lexoj të paktën njëzet ligje të tjera me përkthime dhe gabime të tmerrshme, për të mos përmendur numrin e udhëzimeve administrative, dekreteve dhe rregulloreve që nuk janë përkthyer fare në serbisht. A i diskriminon vetë ligjvënësi qytetarët që përdorin gjuhën dhe shkrimin serb, apo thjesht askush nuk ka kohë ose vullnet të mjaftueshëm për të rregulluar këtë çështje jashtëzakonisht serioze?

Në vend të një përfundimi

Mund të mos kemi një përkthyes. Në rregull. Mund të ndodhë që ligjet tona nuk janë përkthyer. Pa problem. Disa janë përkthyer, por jashtëzakonisht dobët. Mos u shqetësoni. Çfarë do bëjmë? Asgjë. Vitin tjetër, Evropa po na afrohet, standardet po rriten, pagat po kërcejnë, pakicat kanë përqindjet e tyre në kuvend dhe kudo që të jetë e nevojshme. Pyes, çfarë të bëjmë me gjuhën? A kjo, e bëjmë një të ri – më të mirë, veç ngadalë….

Autori është avokat nga Mitrovica e Veriut

Ky tekst u botua në kuadër të një fushate për informim publik mbi të drejtat gjuhësore në Kosovë. Kjo fushatë është pjesë e projektit “Krijimi i një Kosove dygjuhëshe” i cili zbatohet nga OJQ AKTIV me mbështetje të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinioni i shprehur në tekst nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd