RËNDËSIA E NJOHJES SË GJUHËS NË JETËN E PËRDITSHME – PËRVOJA E NJË TË RIU SERB NË PRISHTINË

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Petar Gjordjeviq

Besoj se Serbët e Kosovës janë populli më i durueshëm në botë, shumë të adaptueshëm dhe shumë tolerant. Të njëjtë janë edhe kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës. Ata nuk do të rebelohen për aq kohë sa mund të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Dhe, edhe atëherë kur fare nuk kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, prapë do të jenë të sjellshëm ndaj institucioneve ose zyrtarëve, e ndoshta mund dhe të kërkojnë ndihmë nga miq shqipfolës për të përkthyer shkurtimisht atë që është e shkruar. Kjo ndodh shpesh, për shembull, kur policia shkruan një gjobë për kundërvajtje trafiku. Shpesh ndodh që përshkrimi i situatës nuk është edhe i saktë, por njerëzit i kuptojnë vetëm kur një mik ua përkthen pse janë gjobitur, dhe atëherë është tepër vonë, sepse duhet të paguajnë gjobë. Dhe përsëri, ajo toleranca dhe durimi i serbëve të Kosovës – “më mirë ta paguaj gjobën brenda dy javëve përderisa është përgjysmë më e vogël, sesa të “zvarritem” nëpër gjykata”.

Përdorimi i gjuhës në institucione varet nga disponimi momental i zyrtarëve

Kur bëhet fjalë për gjykatën, situata shpesh është e ngjashme. Vitin e kaluar nxora certifikatën për gjendjen penale. Pranova formularin vetëm në gjuhën shqipe. U gjinda disi dhe arrita ta plotësoj formularin, por ky nuk ishte fundi i problemit. I afrohem sportelit për të dorëzuar kërkesën. Aty punon një burrë i moshuar dhe më drejtohet “mirëdita”, unë i përgjigjem me “mirëdita” (të paktën aq di, dhe më pëlqen të përshëndes njerëzit në gjuhën e tyre nëse të paktën di t’i përshëndes). Mirëpo, ai vazhdon të flasë në shqip. Është një burrë më i moshuar, duhet ta dijë serbishten. Përpiqem në anglisht. S’po shkon. Një shqiptar i moshuar po pret gjithashtu në radhë pranë meje, dëshiron të më ndihmojë, bisedon me zyrtarin dhe më përkthen se çfarë thotë ai. Pas diskutimit të tyre të shkurtër dhe ndoshta përpjekjes së burrit për të bindur zyrtarin të jetë më i sjellshëm, më thotë: “Më vjen keq djalosh, ai të tha të vish nesër në të njëjtën kohë për të marrë certifikatën”.

Këtë vit më duhej e njëjta certifikatë. Shkoj me besimin se do të jetë e ndërlikuar. Tani formuari është dygjuhësh, përkthimi në gjuhën serbe është i saktë. Një djalë i ri punon në sportel. Sipas vlerësimit tim është rreth 30 vjeç. Është i sjellshëm. Më thotë që së pari duhet të bëj një pagesë para se të parashtroj kërkesën tek ai. Shkoj në arkën ku punon një burrë më i moshuar. Lexon me kujdes kërkesën time. Më thotë që nuk kam pse të paguaj sepse sipas rregullores së re, certifikata për gjendjen penale nuk paguhet nëse nevojitet për punësim. I jam mirënjohës për këtë informacion. Kthehem te zyrtari i ri i cili më thotë që ngarkesa është e madhe dhe se mund të vij për certifikatë për katër ditë. I kërkova që ta bënte më shpejt sepse afati i fundit për të aplikuar në konkurs është vetëm edhe dy ditë. Ka mirëkuptim, dhe më thotë të vij nesër në të njëjtën kohë. Këtë herë nga gjykata u largova i kënaqur. Megjithatë, mund të komunikojmë në një mënyrë të këndshme.

Sa i përket institucioneve tjera në Prishtinë, në shumicën e tyre nuk ka informacion në gjuhën serbe. Diku nënpunësit janë më të sjellshëm dhe duan të flasin serbisht (ose anglisht nëse bëhet fjalë për nënpunësit e rinj), dhe diku i shmangen me çdo kusht. Zakonisht këta të tjerët i injoroj. Sidoqoftë, me kohë, më duket se kam krijuar një taktikë të mirë. Gjithmonë flas shqip (kushdo mund të mësojë disa fjalë). Kur marr ndonjë përgjigje them një fjali që përdor shpesh: “Më fal, kuptoj pak shqip, por nuk flas mirë. A flet serbisht ose anglisht?”. Pothuajse gjithmonë funksionon, dhe në shumicën e rasteve marr përgjigje me mirësjellje.

Në Ministrinë e Administratës Publike, rojtarët janë pothuajse gjithmonë të pasjellshëm, në departamentin për OJQ zakonisht është më lehtë, sepse zakonisht është dikush që flet serbisht ose të paktën anglisht.

Kam vërejtur që gatishmëria e shqiptarëve për të folur më me mirësi shpesh varet nga tensionet politike dhe ngjarjet aktuale. Mbaj mend që kisha shumë obligime në Prishtinë në kohën kur treni “Kosova është Serbi” ishte nisur nga Kraleva. Ato ditë jam ndjerë shumë keq në Prishtinë dhe pësova shumë ofendime.

Ka organizata që punojnë shumë për këtë çështje

Besoj se Zyra e Komisionerit për Gjuhët dhe organizata Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë (CSD) e kanë bërë jetën më të lehtë për të gjithë ne në sektorin civil. Mbaj mend ato shabllone të vjetra për statutin, dhe dokumente të ngjashme që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme për shkak të përkthimit të dobët … Tani është shumë më mirë.

I detyrohem Zyrës për çështje me komunitete për njohuritë e mia bazike të gjuhën shqipe, e cila, për sa kohë Ivan Tomiq ishte drejtor, organizoi një kurs të shkëlqyeshëm pa pagesë të gjuhës shqipe, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve, e pastaj me grupin e të rinjve për ndërtimin e paqes “United Youth Task Froce”, vullnetar i të cilit jam, si dhe punës që punoja në Prishtinë.

Nëse gjatë komunikimit me të rinjtë shqiptarë nuk më kujtohet ndonjë fjalë në anglisht, kërkoj një zgjidhje në turqizmat në gjuhën serbe ose mbase fjalët që gjyshja ime do të përdorte. Dhe ashiqare është e përbashkët, si dhe çorape dhe qebe dhe jorgan dhe jastëk dhe pasul dhe patate dhe kallamboq dhe kastravecë dhe vishnje dhe guzhvë e papuçe, dhe shumë fjalë tjera që do t’i dëgjoni vetëm kur dëgjoni shqip, dhe anasjelltas.

Serbët mund të punojnë në Prishtinë

Kam punuar një vit në agjencinë KosovaLive në Prishtinë dhe kam pasur përvoja të mira. Pengesa gjuhësore nuk ishte shumë e theksuar, sepse të gjitha vajzat e reja që punonin flisnin shumë mirë anglisht, ndërsa drejtori dhe dy koleget më të moshuar gazetare flisnin shkëlqyeshëm serbisht.

Më kujtohet një ditë e zakonshme pune në zyrën e agjencisë KosovaLive. Isha duke përkthyer një artikull dhe flisja me kolegët më të moshuar, dëgjoj një zhurmë lart. Koleget e reja po zbrisnin shkallëve dhe me panik bërtisnin. Nuk kuptoja asgjë. Një kolege më tregoi se bëhet fjalë për zjarr. Njëra prej vajzave thërriste zjarrfikësit, tjetra policinë, e treta KEDS-in. E ndalëm energjinë elektrike në ndërtesë, marr një shuarës zjarri dhe shkoj lart. Më tërheqin për mëngë dhe thonë se është e rrezik, se diçka mund të shpërthejë. Shkova lart dhe fika radiatorin elektrik që ishte kryesisht në zjarr dhe tepihun që kishte marr flakë. Të gjithë janë mirënjohës. Më quajnë hero. Zjarrfikësit mbërritën pas më shumë se gjysmë ore. Për fat të mirë u kuptuam. Një kolege bënë shaka: “Ishte një ditë shumë e mërzitshme, dhe tani shiko çfarë titulli – Një serb shpëtoi 20 gra shqiptare nga një zjarr në qendër të Prishtinës”. Nëna e njërës prej vajzave erdhi në zyrë të nesërmen për t’u falënderuar. Ishte një ndërtim i vërtetë besimi, më i madh se çdo trajnim.

Derisa punoja në Prishtinë, e kisha zakon që çdo ditë të pija një kafe turke në një nga kafenetë në afërsi, për të takuar njerëz që njoh, por edhe për të shëtitur nëpër qytet dhe për të njohur vendin. Doja të ndieja me të vërtetë shpirtin e Prishtinës, të njihesha me qytetin ku kam lindur dhe të ndihem si vendas aty, për të mos qenë thjesht një i huaj që erdhi vetëm sepse kishte disa obligime.

Ndërsa ecja nëpër sheshin kryesor, takoj një mik boshnjak. Ai hap krahët drejt meje dhe më drejtohet me zë të lartë: “Ku je bre Peter?!” Nuk e kemi parë njëri-tjetrin një kohë të gjatë!”. Rrëqethem. Mbase frikë. Nuk jam i sigurt nëse është e justifikuar. Ndjehem sikur të gjithë këta njerëz në shesh po na shikojnë. Mundohem të flas me zë më të ulët, të mos tërheq shumë vëmendje… Pas nja dy vjetësh, kjo ndjenjë është akoma aty, mendova se do të humbasë me kohë, por gjithnjë shfaqet në një moment kur filloj të flas serbisht në Prishtinë apo ndonjë qytet tjetër, edhe kur jam në shoqërinë e miqve shqiptarë.

Sa më shumë gjuhë njohim, aq më shumë vlejnë

Nga mesi i gushtit, një organizatë “Një Graçanicë e re aktive” (Mlada aktivna Gračanica), i së cilës jam anëtare për 6 vitet e fundit, u ftua në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë në Prishtinë. Zakonisht, Ditën e Rinisë e festojmë në një mënyrë argëtuese, duke organizuar një festival, koncert, trajnim, aksion në rrugë ose një vizitë në një vend interesant me të rinj nga Graçanica dhe rrethina. Këtë vit, nuk pati asnjë mundësi për të organizuar diçka të tillë. Morëm parasysh të organizojmë diçka përmes internetit, dhe në fund, kjo ftesë nga Ministria dukej si mënyra më e mirë e mundshme për të shënuar Ditën e Rinisë dhe për të dëgjuar zërin e të rinjve nga Graçanica në institucionet në Prishtinë. Aty më mirëpriti drejtori për rini. Nuk prisja të isha i vetmi serb.

Ministrja Vlora Dumoshi pyeti se kush ishin përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë. Pasi u prezantova, më dëshiroi mirëseardhje në gjuhen serbe. Gjatë prezantimit të saj në gjuhën shqipe, u përpoqa të kërkoja përkthim. U nervozova. Nuk mund të kuptoj çdo gjë. E di që unë jam i vetmi që nuk flas shqip në sallë, por besoj se meritoj të kem një përkthim nëse paraprakisht jam ftuar në ngjarje. Pas prezantimit në shqip, Ministrja personalisht përsëriti gjithçka në gjuhën serbe, dhe mora përgjigje në pyetjet e mia në gjuhën serbe. Jam i befasuar dhe ndihem i respektuar. Kam harruar edhe kufjet dhe pajisjet e përkthimit. Ky gjest vlen shumë më tepër.

Çfarë mund të bëjmë?

Kështu, në jetën e përditshme, njerëzit hasin në pengesa të ndryshme gjuhësore dhe përpiqen t’i shmangin ato, dhe është e rëndësishme të dijë se të drejtat e tyre gjuhësore duhet të respektohen nga institucionet. Nëse jo, ekziston Zyra e Komisionerit për Gjuhët, që e di se ka zgjidhur me sukses shumë probleme. Ekzistojnë organizata të tjera joqeveritare që përpiqen të gjejnë zgjidhje. Një shembull i mirë u dha nga Aktiv kur kërkoi përkthim në gjuhën serbe të deklaratave zyrtare të institucioneve në lidhje me pandeminë Covid-19.

Shpresoj se do të arrijmë në momentin kur probleme të tilla nuk do të ekzistojnë, dhe kur gjuha serbe do të përdoret në mënyrë korrekte dhe të barabartë nga të gjitha institucionet.

Deri atëherë, ne mund të mësojmë disa fjalë në gjuhën e komshinjve tanë. Ndoshta këto pak fjalë do të përmirësojnë komunikimin tonë.

 

Autori është kryetar i organizatës “Mlada Aktivna Gračanica”

Ky tekst u botua si pjesë e një fushate informuese publike për të drejtat e gjuhës në Kosovë. Kjo fushatë është realizuar si pjesë e projektit “Krijimi i një Kosove dygjuhësore” i implementuar nga OJQ AKTIV dhe i mbështetur nga Mbretëria e Ambasadës Norvegjeze në Prishtinë. Mendimi i shprehur në tekst nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Norvegjeze.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd