Intelekti dhe gjuha janë përparësitë më të rëndësishme të racës njerëzore. Gjuha është mjeti më i përsosur i komunikimit dhe të kuptuarit. Nga komunikimi ndërkulturor para së gjithash varet aftësia formale dhe mundësia praktike e njerëzve për të shprehur mendimet, ndjenjat, dëshirat, pikëpamjet dhe aspiratat e tyre. Pa gjuhë, jeta shpirtërore dhe procesi i të menduarit do të ishin të paimagjinueshme. Fillimisht gjuha, e pastaj fjala e shkruar, u krijuan dhe zhvilluan vazhdimisht komunikimin kulturor. Në procesin e globalizimit të përditshëm, gjuha është promovues i avancimit interkulturor, ndërkulturor dhe transkulturor i njerëzimit gjithandej ku formalisht dhe praktikisht respektohen liria e fjalës dhe të shkruarit. Kufijtë e diversitetit midis kombeve dhe vendeve janë duke u përafruar ose fshirë. Liria e lëvizjes ndjek nevojën për lirinë e fjalës dhe të shkruarit. Prandaj, është i domosdoshëm mësimi i gjuhës joamtare ose të huaj, sepse gjuha ndikon edhe në zhvillimin dhe shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave. Bartë ide dhe pikëpamje të vjetra të botës, si dhe krijon të reja.
Përdorimi i gjuhës bart edhe funksionin kombëtar, por edhe ideologjik të komunikimit. Mësimi, njohja dhe përdorimi i gjuhës së dytë dhe të tretë zhvillon një personalitet me ç’rast hap dimensione të reja në jetë, ndihmon në fitimin e pikëpamjeve të reja ndaj botës, liron individët nga paragjykimet … Paradoksalisht, kur është fjala për marrëdhëniet serbo-shqiptare, edhe në krijimin e paragjykimeve. Avokuesit e argumentit kombëtar-kulturor midis serbëve dhe shqiptarëve theksojnë dallimet kulturore, duke filluar nga gjuha, tradita, edukimi dhe feja si shkak të mostolerancës, në vend të kuptimit. Në këtë kontekst, marrëdhëniet serbo-shqiptare, në vend që të ndjekin prirjen bashkëkohore të pashmangshme të globalizimit, ende nuk janë liruara nga barra e së kaluarës. Pse?
A është kjo sepse nuk e njohim njëri-tjetrin ose, përkundrazi, sepse e njohim shumë mirë njëri-tjetrin? A është kjo sepse gjuha ishte më shumë në funksion ideologjik, kombëtar dhe më pak në misionin kulturor të komunikimit? A është kjo për shkak të ndjenjës se gjuha serbe është më e rëndësishme se ajo shqiptare apo anasjelltas? A është sepse paragjykimi mbizotëron proceset reale dhe objektive? A është për shkak të mungesës së vullnetit politik për të zbatuar në tërësi Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për gjuhët dhe Ligjin për mosdiskriminimin?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndryshojnë, por është e nevojshme që ato të bazohen në një bazë ligjore. Në bazë të nenit 5 të Kushtetutës së Kosovës, gjuhët zyrtare në përdorim janë shqipja dhe serbishtja. Gjuha turke, boshnjake dhe romë kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komunal ose mund të përdoren zyrtarisht në çdo nivel, në pajtim me ligjin. Me miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Kuvendi i Kosovës i ka detyruar institucionet e Kosovës të sigurojnë përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve plotësohet nga Ligji Kundër Diskriminimit, ndërsa instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe gjuhëve rajonale ose të pakicave janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Kosovë, duke përfshirë Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës … Megjithatë, raportet e ndryshme dhe hulumtimet empirike (OSBE, FDH etj.) tregojnë se, me përjashtim të nivelit qendror, as institucionet komunale e as zyrtarët komunal ende nuk i respektojnë të drejtat gjuhësore gjatë lëshimit të dokumenteve dhe ofrimit të shërbimeve për publikun, siç parashihet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Përveç kësaj, në vitet e fundit, institucionet qendrore dhe komunat nuk kanë bërë ndonjë përmirësim të dukshëm në ofrimin e shërbimeve në të gjitha gjuhët e parapara me ligj. Ekspertët në këtë fushë thonë se kjo vjen kryesisht për shkak të vështirësive në rekrutimin e punonjësve të administratës publike të cilët njohin mirë gjuhët zyrtare dhe mungesës së trajnimeve gjuhësore, si dhe për shkak të nivelit të ulët të përfaqësimit të komuniteteve të caktuara në administratën publike. Për shkak të praktikave dhe stereotipave të trashëguara, shqiptarët dhe serbët ende perceptohen dhe përjetohen si vende që i përkasin kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme. Në marrëdhëniet e deritashme ka pasur shumë ide të gabuara dhe llogaritje ideologjike dhe nacionaliste. Shqiptarët, respektivisht serbët, e konsiderojnë veten viktima, ndërsa përgjegjësinë për konflikte dhe dështimet personale ia bartin të tjerëve. Ky model i të menduarit në një mënyrë justifikon fajtorët për dështimet dhe dekurajon njerëzit që e shohin të ardhmen në ndërtimin e marrëdhënieve normale të ndërsjella. Prandaj, edhe pse jetojmë së bashku për shekuj në të njëjtën tokë, ne kemi shumë më tepër nga ajo që na ndan sesa që na lidh. Pasojat e këtij modeli nuk janë zhdukur plotësisht. Nëse për përdorim praktik të gjuhës serbe ne kërkojmë justifikim për mosveprimet, e në vend që të gjejmë mënyra, mjete dhe mendim profesional për realizimin e të padiskutueshmes dhe të drejtës për përdorimin e gjuhës zyrtare serbe, modeli i mungesës së vlerave kulturore do të riprodhohet në atë masë sa do të mungoj vullneti këmbëngulës politik për të krijuar një model kombëtar kulturor të pranueshëm në përputhje me frymën e kohës në të cilën jetojmë. Përkundër ndryshimeve të deritanishme, shqiptarët dhe serbët kanë një qëllim të përbashkët – për t’u bashkuar me familjen evropiane. Prandaj, është koha e fundit për t’u liruar nga stereotipat e trashëguara të ndërsjella. Serbët dhe shqiptarët mund të përmirësojnë imazhin e tyre për veten e tyre duke shikuar specifikat pozitive kulturore të të tjerëve, e kjo, para së gjithash, është – gjuha.