Shpallja e barazisë zyrtare e gjuhës shqipe dhe asaj sërbe në Kosovë ka bërë që të vendoset një standard i lartë për institucionet kosovare kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore. Përveç kufizimeve financiare dhe të kuadrove njerëzore të cilat janë theksuar shumë shpesh, vështirësitë në realizimin e dygjuhësisë në Kosovë burojnë edhe nga vullneti i mangët për respektimin e saj dhe nga të kuptuarit joadekuatë rreth asaj se çka saktësisht përfaqëson, që të dyja më pak të përmendura.
Respektimi i të drejtave gjuhësore të pakicave është një e mirë e përbashkët dhe themelore të cilën çdo shoqëri që aspiron kundrejt standardeve demokratike duhet ta sigurojë. E drejta e përdorimit të gjuhës së pakicave krijon mundësi për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit të një komuniteti etnik, përderisa për anëtarët e komunitetit lehtësohet inkuadrimi në proceset e gjëra shoqërore dhe politike. Megjithatë, vetëm standardet për mbrojtjen e gjuhëve të pakicave, nuk paraqesin një kornizë të bollshme për të definuar pozitën e gjuhës sërbe në Kosovë. Para se gjithash gjuha sërbe në Kosovë nuk është gjuhë e pakicës, por gjuhë zyrtare më pak e përfaqësuar.
Për dallim nga mbrojtja e gjuhëve të pakicave si një nga standardet ndërkombëtare, shumëgjuhësinë zyrtare në praktikën krahasuese nuk e hasim aq shpesh. Shumëgjuhësia zyrtare apo institucionale reflekton përkushtimin dhe drejtimin e një shoqërie në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit të saj shumëgjuhësor historikisht të formësuar, mirpo edhe në sigurimin e marrëdhënieve stabile mes komuniteteve etnike dhe linguistike nga të cilat përbëhet. Shumëgjuhësia zyrtare në nivelin kombëtar ekziston në Finlandë, Belgjikë, Irlandë, Malt, Zvicër dhe Kanada, përderisa shumëgjuhësia në nivelin administrativo-territorialë gjindet në regjionet e caktuara të Spanjës dhe Italisë.
Pikërisht rolin të cilin e luan shumëgjuhësia institucionale në administrimin e marrëdhënieve të ndërlikuara ndëretnike vjen në shprehje në kontekstin e Kosovës. Dygjuhësia zyrtare në Kosovë është themeluar me Ligjin për përdorimin e gjuhëve (2006), planin e Ahtisarit (2007) dhe Kushtetutën (2008). Njohja e statusit të barabartë të gjuhës sërbe me gjuhën shqipe i përkiste pakos garantuese gjatë shpalljes së pavarësisë së Kosovës ofruar palës sërbe. Qëllimi i këtyre garancive ishte që pala sërbe t’i pranojë rrethanat e reja në Kosovë në shkëmbim me “shkallën më të lartë të mbrojtjes” që një komunitet pakicë, gjegjësisht joshumicë, mund ta ketë. Në të vërtetë, vetë zgjedhja e mbiemrit “joshumicë” në vend të “pakicë” paraqet një gjest semantik kundrejt komunitetit sërb porosia e së cilës do të ishte që në Kosovë komuniteti në fjalë nuk do të përfaqësojë “pakicën”.
Garancitë lidhur me të të drejtat gjuhësore ofruar komunitetit sërb, në letër, kanë pasur për qëllim që komuniteti në fjalë të bindet rreth perspektivës së qëndrueshme në Kosovë. Prandaj kjo çështje delikate reflektohet në rëndësinë që luan në stabilitetin e marrëdhënieve etnike. Qëllimi themelor i dygjuhësisë është të sigurohet mirëqenia e komunitetit sërb të Kosovës pa druajtje ndaj asimilimit. Kështu që nga respektimi i të drejtave gjuhësore në masë të madhe varet se deri në çfarë niveli anëtarët e komunitetit sërb, duke përfshirë komunitetet të tjera joshumicë gjuha e të cilëve është më e afërt me gjuhën sërbe, do të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare.
Kur një nivel i caktuar i qeverisë e pranon statusin zyrtar të vetëm një gjuhe, atëherë anëtarët e komuniteteve joshumicë do të kufizohen në përdorimin e gjuhës së tyre vetëm në disa punë publike. Në rast të zbatimit të barabartë të gjuhëve zyrtare, institucionet janë të obliguara t’i ofrojnë të gjitha shërbimet publike në të gjitha gjuhët zyrtare. Në praktikë kjo nënkupton që institucionet në fjalë janë të obliguara që të gjitha vendimet lidhur me popullatën e gjërë, në rend të parë aktet juridike, njëkohësisht të publikohen në të gjitha gjuhët zyrtare. Megjithatë, shembujt e devijimeve nga praktika respektive në Kosovë janë të numërta. Kjo dëshmohet edhe së fundmi nga ana e institucioneve gjatë krizës së pandemisë kur vendimet dhe njoftimet e caktuara lidhur me masat mbrojtëse dhe shëndetin e popullatës apo kufizimeve të lirisë së lëvizjes janë publikuar në gjuhën shqipe, përderisa përkthimi i tyre ose ka ardhur me vonesë ose ka munguar fare. Si pasojë direkte e praktikës së sipërpërmendur institucionale qytetarët të cilët e përdorin gjuhën sërbe i janë nënshtruar rrezikut ndaj gjobitjes për shkeljen e masave rreth të cilave qytetarët nuk kanë pasur mundësi të informohen me kohë dhe saktësi.
Kur bëhet fjalë për komunikimin në mes të qytetarëve dhe institucioneve, dygjuhësia zyrtare nënkupton që institucionet janë të obliguara t’iu mundësojnë qytetarëve shërbimet publike në gjuhën zyrtare sipas zgjedhjes së tyre. Si e tillë, e drejta e zgjedhjes së gjuhës zyrtare i takon qytetarëve dhe jo institucioneve. Megjithatë, institucionet e Kosovës jorrallë herë konsiderojnë të kenë përmbushur detyrimin e tyre me arsyetim që qytetarëve informatat i’u janë siguruar në njërën nga gjuhët zyrtare, ndërsa barra eventuale e përkthimit, nëse i’u nevoitet, i bartet qytetarëve. Për anëtarët e komunitetit sërb, situatat e sipërpërmendura, janë veçanarisht të papërshtatshme dhe të papëlqyeshme kur sjelljen e tillë e adaptojnë gjykatat, marrë parasysh që urdhërat dhe vendimet nxjerren në gjuhën shqipe. Për më tepër, si pasojë e afateve të shkurta për paraqitje të ankesave, anëtarët e komunitetit sërb detyrohen të heqin dorë ose nga e drejta e tyre gjuhësore apo e drejta e tyre për mjete juridike.
Barasvlershëm me shkallën e realizueshmërisë së dygjuhësisë zyrtare varet edhe barazia e qytetarëve përballë organeve qeveritare. Institucionet nuk duhet të favorizojnë asnjërën nga gjuhët zyrtare, por të kushtojnë më shumë vëmendje dhe angazhim në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës zyrtare më pak të përfaqësuar. Si pasojë e mungesës së shpeshtë të përkthimit të dokumenteve zyrtare në gjuhën sërbe, apo përkthimit me cilësi të dobët, anëtarët e komunitetit sërb si dhe komuniteteve të tjera joshumicë gjinden në një situatë jo dhe aq të volitshme. Në frymën e dygjuhësisë, institucionet janë të detyruara të angazhohen dukshëm më shumë në promovimin dhe përdorimin e gjuhës sërbe si gjuhë zyrtare më pak të përfaqësuar. Në atë mënyrë njëkohësisht do të promovohet edhe barazia e qytetarëve në realizimin e të të disa drejtave të tyre, siç është e drejta e qasjes në informacione dhe dokumente publike, shërbime publike dhe drejtësi.
Për zbatim praktik të dygjuhësisë, nevojitet një klimë e volitshme brenda shoqërisë. Megjithatë, mungesa sporadike e vullnetit politik lidhur me zbatimin prakit të saj, shpeshherë kompensohet përmes vullnetit të mirë të vetë qytetarëve. Shtyllat kryesore të dygjuhësisë në Kosovë nuk janë strukturuar nga kuadrot e përkthyesve, apo nga alokimi i buxhetit për përkthim, e as nga zgjidhjet softverike. Mbi gjitha, meritat e nivelit të arritur të dygjuhësisë i adresohen zyrtarëve publik që punojnë në qeverisjen lokale, në sistemin e drejtësisë si dhe në institucione të tjera, që të gjithë nga komuniteti shqipëtar, të cilët e flasin rrjedhshëm gjuhën sërbe dhe me kënaqësi i ndihmojnë bashkëqytetarëve nga komuniteti sërb në realizimin e të drejtave të tyre.
Koha fatkeqësisht nuk punon në favor të dygjuhësisë në Kosovë. Me ndërrimin e gjeneratave zvogëlohet edhe numri i personave të cilët rrjedhshëm flasin që të dyja gjuhët zyrtare. Mungesa e kuadrove të përkthimit në të ardhmën do të përkeqësohet, përveç nëse për zgjedhjen e këtij problemi nuk involvohet sistemi arsimor. Që kjo të arrihet, të gjitha komunitetet e Kosovës duhet të pranojnë që karakteri shumëgjuhësor i Kosovës nuk paraqet ndonjë kompromis të mospëlqyer por një avantazh, përderisa rruajtja dhe promovimi i të drejtave gjuhësore si dhe mësimi i këtyre gjuhëve begaton personalitetin e qytetarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Autori është menaxher i projektit “Krijimi i një Kosove dygjuhësore” në kuadër të OJQ-së AKTIV