Kur baronesha Ketrin Eshton dhe kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës, Ivica Daciq dhe Hashim Thaçi nënshkruan marrëveshjen e parë mes Beogradit dhe Prishtinës më 19 prill 2013 në Bruksel, në veri të Kosovës asgjë më nuk ishte e njëjtë, shkruan Millivoje Mihajlloviq.
Marrëveshja e Brukselit për “rezultatin më të madh” pati – formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS). Së paku kështu Marrëveshja iu paraqit opinionit serb, në të cilën gjashtë pikat e para i referohen formimit të Bashkësisë/Asociacionit të Komunave Serbe ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë, e cila duhet të ketë statut, kryetarin, zëvendës kryetarin, kuvendin, këshillin… dhe mbikëqyrjen e plotë të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe zhvillimit rural, si dhe kompetenca të tjera që mund t’i delegohen nga pushteti qendror…
Pjesa e dytë e Marrëveshjes rregullon “dorëzimin” e forcave të mbetura policore të MPB-së serbe (në Kosovë) autoriteteve në Prishtinë (ekzistenca e një shefi rajonal të policisë për katër komunat në veri të Kosovës), ndërsa pjesa e tretë e këtij dokumenti i referohet integrimit të sistemit gjyqësor të veriut të Kosovës në sistemin gjyqësor kosovar. Pjesa e katërt e marrëveshjes saktëson që edhe sistemi zgjedhor të funksionoj sipas ligjeve të Kosovës. Në pjesën tjetër të dokumentit, të dyja palët u zotuan të “intensifikojnë bisedimet për energjinë dhe telekomunikacionin” dhe të mos “bllokojnë” njëra-tjetrën “në rrugën drejt Bashkimit Evropian”. Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë e mbështetën këtë Marrëveshje të Brukselit.
Zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës në nëntor dhe dhjetor të vitit 2013 u mbajtën sipas ligjeve të Kosovës. Beogradi mori pjesë aktive në procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor. Xhandarmëria serbe me rroba civile “ndihmoi” në mbajtjen e zgjedhjeve (përkundër thyerjeve të kutive të votimit, tensioneve, shtypjes së bojkotit…).
Më pas “gjyqësori serb kaloi në duart e Prishtinës”. Tomisllav Nikolliq, presidenti i atëhershëm i Serbisë, pretendoi se marrëveshja e Brukselit ishte në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese serbe hodhi poshtë propozimin për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e marrëveshjes së Brukselit, duke theksuar se ajo ishte një “dokument politik” dhe një “akt juridikisht jodetyrues”.
Kështu, AKS u bë kthesa më e qëndrueshme në jetën politike të Serbisë. Nga Prishtina Marrëveshjen për asociacionin e zvarritën (dhe ende e zvarritin) nëpër labirintin e rregulloreve të Kosovës, nëpër Kushtetutë, me justifikime të panumërta, manipulime… Politikanët shqiptarë të Kosovës, disa me pëshpëritje, disa me zë të lartë, i janë përgjigjur njëzëri krijimit të Komunitetit/Asociacionit: “Zajednica nuk kalon”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pretendon se nuk do të ketë asgjë nga AKS dhe se dëshiron të rikthejë Marrëveshjen e Brukselit. Politikanët perëndimorë paralajmërojnë me ndrojtje se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të zbatohet. Dhe kështu rreth e rrotull… për plot tetë vite.
Pika kryesore e “mosmarrëveshjes” është nëse AKS do të ketë pushtet ekzekutiv apo legjislativ. Beogradi do të donte që ai të ishte “embrioni” i ruajtjes së veriut të Kosovës, dhe Prishtina do të donte që AKS të kishte fuqinë dhe statusin, të themi, të shoqatës së peshkatarëve.
Megjithatë, për momentin, AKS është vetëm një “temë” që shërben për mosmarrëveshje të reja, për forcimin e pozicioneve negociuese para çdo takimi në Bruksel, në të cilin të dyja palët shkojnë me “këmbë prej plumbi”. Prishtina serbëve të Kosovës disa herë ka arritur t’ua “shesë” Asociacionin (si iluzion). Për herë të parë – që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale sipas ligjit të Kosovës. Herën e dytë – kur integroi pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në sistemin policor të Kosovës. Herën e tretë – kur gjyqësori në veri u bë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Herën e katërt – me dorëzimin e sistemit energjetik. Herën e pestë, AKS hyri në “çmimin” e dorëzimit të telekomunikacionit…
AKS është pjesë e një loje imagjinare. Ekziston deri sa një temë është në opinion, por ekziston edhe në letër. Ndonëse AKS-ja duket se nuk ka asnjë kontakt me realitetin, është një adut për shantazh nga të dyja palët. Në përgjigje të pretendimeve nga Prishtina se “nuk bëhet fjalë për formimin e një AKS-je”, Beogradi kërcënoi se “rikthimi i marrëveshjes së Brukselit” mund të shndërrohet në bojkot të serbëve nga veriu. Vetë mendimi që serbët të bojkotojnë zgjedhjet në Kosovë, apo të ndërpresin punën e gjyqësorit, apo të rrëzojnë Qeverinë e Kosovës – e kthen situatën në fillim. Në një farë mënyre, Lista Serbe është organi politik i Asociacionit dhe stabiliteti politik varet nga “bashkëpunimi” i saj me Qeverinë e Kosovës. Tingëllon paradoksale, por Prishtinës më shumë se Beogradi i duhet AKS. Autoritetet në Serbi, me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës, fituan një ndikim të fuqishëm në Qeverinë e Kosovës (në disa qeveri madje një ndikim vendimtar). Nga ana tjetër, është e qartë se me formimin e AKS-së, të dy do të humbnin temën e mosmarrëveshjes dhe do të duhej të ktheheshin tek lëvizje të duhura, konkrete (dhe të dhimbshme) për të ndërtuar stabilitet. Ndoshta është më e rëndësishme për politikanët shqiptarë të Kosovës që të kenë një temë për të diskutuar me Beogradin, sesa të kenë një AKS që do të finalizojë integrimin e Veriut, dhe kështu t’i japë fund procesit të “rrumbullakosjes së shtetësisë së Kosovës”.
Ose të dyja palët, AKS-në e mbajnë si argumentin e fundit kur (dhe nëse) komuniteti ndërkombëtar i detyron të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare.
Komuniteti ndërkombëtar (çfarëdo që të thotë ky term) e trajton këtë temë vetëm si një instrument presioni (të butë) ndaj të dyja palëve, me shprehjen tashmë të zbutur se “marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet”. Një histori e veçantë është se të tria palët (Beogradi, Prishtina dhe i ashtuquajturi komuniteti ndërkombëtar) ende nuk flasin në mënyrë specifike për AKS-në (për sa i përket formës, kompetencave, skemës organizative) ose sinqerisht (për qëllimin dhe rëndësinë) e këtij asociacioni. Pra, të tria palët e përdorin Asociacionin e Komunave Serbe vetëm si temë që e lodh opinionin, e zgjat agoninë dhe i mban në hendek “pjesëmarrësit në këtë betejë të Kosovës”.
Në një kohë, tema e AKS-së ishte e larguar nga opinioni. Opinioni (politikanët), për disa vite, ishin të fiksuar pas idesë së “ndarjes” së Kosovës. Protagonistët dhe avokuesit e “ndarjes”, mbi të gjitha presidenti serb dhe ai i Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, hasën në reagime të papritura e të ashpra në opinion. Temat e ndarjes së Kosovës, por edhe të Asociacionit, ndikuan dukshëm që Thaçi pas dy dekadash në qeveri të humbasë pushtetin në Kosovë. Dhe kur, siç duket, ideja e “ndarjes së Kosovës” u vë ad akta – historia e Asociacionit u bë sërish aktuale.
Edhe pse ishte konceptuar si një mekanizëm për mbrojtjen dhe organizimin politik të popullsisë serbe në Kosovë (në kuadër të sistemit juridiko-politik të Kosovës), AKS nuk u formua, pavarësisht se në Prishtinë u ndërruan pesë kryeministra, dy presidentë dhe një presidente.
Dokumenti themelues – Statuti, ende nuk gjendet në tryezë, ndonëse për këtë dokument “flitet” për tetë vite.
Është interesant se argumenti më i shpeshtë për mos formimin e AKS-së është “nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Por kryesisht heshtet ngase nuk është në përputhje as me Kushtetutën e Serbisë.
Në Preambulën e Kushtetutës thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Juristët e përpiktë do të gjejnë dhjetëra shkelje të Kushtetutës së Serbisë lidhur me AKS-në në marrëveshjen e Brukselit. Është paradoksale që interesat e serbëve në shtetin e tyre (në territorin që është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara) mbrohen nga AKS (forma e së cilës nuk njihet nga Kushtetuta apo ligjet e Serbisë).
Politikanët serbë nga grupi qeverisës përsërisin se AKS është “oferta më e mirë që Beogradi mund të marrë”. Por, Beogradi atë ofertë mund ta kishte refuzuar.
Asociacioni është, padyshim, një instrument i fuqishëm në rrethin vicioz të pushtetit. Ishte një kompensim për të “zvarritur” veriun e Kosovës nën kapelën e “shtetësisë” së Kosovës, për të eliminuar të ashtuquajturat “institucione paralele”, për të krijuar iluzionin e paqes dhe një surrogat të harmonisë politike. Në opinion “mosmarrëveshja” e qetë është duke u bërë për numrin e komunave që duhet t’i bashkohen AKS-së. Tani për tani janë 10 komuna me shumicë serbe. Por, në Prishtinë nuk e fshehin se do të preferonin që AKS (nëse tashmë duhet të ekzistojë) të përfshijë vetëm katër komuna në veri. Në Beograd mendojnë se duhet të krijohet një komunë në zonat serbe në Kosovën qendrore, e cila do të përfshinte territorin e Plemetinës dhe Prilluzhës, fshatrat në afërsi të Vushtrrisë dhe Obiliqit. Dhe ajo, pa dyshim, do të hynte në AKS.
Përderisa nga Prishtina dëgjohet se “nuk ka Asociacion para zgjidhjes përfundimtare”, dhe nga Beogradi se “nuk ka zgjidhje përfundimtare pa Asociacion”, është e qartë që për një kohë të gjatë nuk do të ketë as Asociacion e as zgjidhje përfundimtare.