ANA TJETËR E KOSOVËS

Facebook
Twitter
LinkedIn
Autor:
Marija Stojanoviq

Raportimi për Kosovën pa “bërë tifo”, përkatësisht “anim” dhe demagogji, por vetëm ashtu duke folur rreth problemeve me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm, është një nga parimet e së përditshmes Danas. Disa vite më parë, të nxitur nga dëshira për të dëgjuar “vox populi”, si nga komuniteti shqiptar ashtu edhe nga ai serb, filluam një projekt të quajtur “Ana tjetër e Kosovës”. Deri më sot, disa nga ne gazetarët biseduam me rreth pesëdhjetë bashkëbisedues me origjinë nga Kosova, ose që jetojnë dhe punojnë aty por nuk janë politikanë.

Në biseda “të drejtpërdrejta”, korrespondencë me postë elektronike ose intervista në Instagram, “folëm” për shumë tema – nga ndikimi i “politikës së lartë”, siç është Marrëveshja e Brukselit, në jetën e përditshme në Kosovë, pastaj sfidat e sigurisë që janë të pranishme kudo, e deri te çështjet e tilla si komunikimi i dobët dhe pengesat gjuhësore midis serbëve dhe shqiptarëve. Gjetja e “bashkëbiseduesve” përkatës nganjëherë dukej si një përpjekje sizifiane, por unë dhe kolegët e mi arritëm ta përmbushim detyrën e tillë. Në përpjekjet tona nganjëherë dolëm edhe të zhgënjyer. Për ta ilustruar, disa përfaqësues të mediave dhe OJQ-ve në “fillim” refuzuan çdo bisedë, kryesisht, duke theksuar, mosbesimin ndaj “mediave të Beogradit”, gjë të cilën më së shumti e kemi dëgjuar nga shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu, në mesin e atyre që kontaktuam kishte edhe entuziastë se kishim të bënim me një “qëllim fisnik”, duke përmirësuar komunikimin midis grupeve të ndryshme etnike, por me këmbëngulje i shtynin intervistat me ne, ose thoshin se “vet do të lajmërohen kur të mbarojnë obligimet private dhe të punës, të mos shqetësohemi fare”, mirëpo ata më kurrë nuk komunikuan me ne.

“Fija” e përbashkët që lidh bashkëbiseduesit nga të dy grupet etnike që e mbajtën premtimin e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve tona përmes “kanaleve të ndryshme të komunikimit” është mirësjellja dhe edukata. Pavarësisht se sa ndryshonin në qëndrime, pikëpamje dhe shpresa dhe pavarësisht se sa ndryshe i shihnin, të themi, arritjet e Marrëveshjes së Uashingtonit ose Asociacionin e komunave serbe, ata me të cilët komunikuam në faza të ndryshme të “Anës tjetër të Kosovës” treguan një ndjenjë të tolerancës dhe nivelit të lartë të profesionalizmit. Për çka edhe unë dhe kolegët e mi u jemi shumë mirënjohës. Politikanët nga Beogradi dhe Prishtina, të cilët flasin në tryezën e Brukselit, duhet thjesht në vend se të përdorin shpesh retorikë “inflamatore” të mësojnë një komunikim të tillë të ndërsjellë. Kjo retorikë dhe “loja e akuzës” e zyrtarëve në bisedime mund të tërheqë publikun “nga të dy palët”, por në fund të ditës ndezja e zjarreve verbale vetëm e ndërlikon rrugën tashmë të mprehtë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të asaj që në fjalorin burokratik quhet “normalizimi i marrëdhënieve”, e që në praktikë duhet të çojë, nëse jo në pajtim historik, të paktën në një kuptim më të mirë dhe bashkëpunim më të madh për çështje me interes të përbashkët, të tilla si ekonomia.

Gjatë punës në “Anën tjetër të Kosovës”, sidomos kur transmetonim drejtpërdrejtë intervista përmes faqes zyrtare në Instagram të Danas, shpesh goditeshim nga komentet më të rëndomta dhe më pejorative të disa vizitorëve, të cilët na fyenin dhe mallkonin ne gazetarët dhe bashkëbiseduesit tanë nga sfera kulturore, sektori civil ose media, duke përdor gjuhë nënçmuese. Sidoqoftë, vazhduam stoikisht, siç do të thoshte Mirosllav Antiq: “Në jetë njeriu duhet të qëndrojë me buzëqeshjen e një stjuardese që e di se diçka nuk është në rregull me aeroplanin” – dhe me ata me të cilët kemi biseduar ne nga Danas, në asnjë moment nuk kemi hyrë në “clinch” ose “nuk jemi lëshuar në nivelin” e atyre që në vend të gjuhës së tolerancës dinë vetëm gjuhën e fyerjeve, përbuzjes dhe urrejtjes. Nga ana tjetër, kishte komente mbështetëse dhe lëvdata, të cilat, natyrisht, do të thoshin shumë për ne, sepse çdo herë na siguronin që ka njerëz që njohin dhe vlerësojnë përpjekjet e Danas për të promovuar vlera pozitive siç janë marrëdhëniet e mira fqinjësore, respekt për diversitetin dhe paqen.

“Ana tjetër e Kosovës” nuk është rubrika e vetme në të cilën kemi trajtuar këtë temë të rëndësishme. Në të kundërtën. Në punën tonë të përditshme, ne për disa dekada jemi përpjekur të ndjekim temat në fjalë. Establishmenti politik si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë kryesisht shmang të përgjigjet në pyetjet e Danas. Të dy kryesisht mbeten “të paarritshëm, memec dhe të largët”, por ne bëjmë punën tonë – duke u përpjekur të zbulojmë “sfondin” dhe të parashikojmë “skenarët” e mundshëm për çështje të tilla si, për ilustrim, studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Siç tha njëri nga kolegët e mi: “Jemi të heshtur dhe nxjerrim informacione, kështu që nuk jemi të mirë për autoritetet që duan media të bindura, por në fund të fundit ne publikojmë informacione që rezultojnë të sakta, i publikojmë, pa marrë parasysh se sa i shqetësojnë palët”.

“Le të marrim, për shembull, rastin tim”, për të përdorur thënien e autorit të madh të letërsisë sonë Dushko Radoviq – për vite me radhë shkruaj tekste për Kosovën, dhe nganjëherë është e vështirë të “nxirret” ndonjë informacion, por nuk e kam ndërmend të heq dorë, ndoshta për shkak të kokëfortësisë sime që nga fëmijëria e hershme. Më parë, siç do të thoshin anglezët “më mirë më herët se vonë”, do të ndodhë ta “mbuloj” këtë temë deri në fund të karrierës sime nga dëshira për të parë “normalizimin e marrëdhënieve” aq shpesh të përmendura në praktikë. Mund të jem një optimiste naive, por nuk do të ndalem së shpresuari (megjithëse kinezët kanë një fjalë të urtë: “Ai që ushqehet me shpresë, vdes i uritur”) që Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë një gjuhë të përbashkët, pa marrë parasysh sa njëri e e godet pykën e tjetri pllakën. Një marrëveshje e tillë do të ishte e dobishme për njerëzit e zakonshëm që nga fillimi i kësaj historie. Do të doja që të gjitha komunitetet etnike në Kosovë të kenë të drejta dhe liri të plota në praktikë – lirinë e lëvizjes, lirinë e studimit në gjuhët e tyre ose në një gjuhë të zgjedhur prej tyre, për të gjetur një punë, për tu trajtuar, për tu ngritur kulturalisht…. Me një fjalë – që të gjithë në Kosovë të jetojnë një jetë të denjë për një qenie njerëzore.

Në muajt e ardhshëm, do vazhdoj, ndër të tjera, të ndjek bisedimet e Brukselit midis Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë ato në nivelin më të lartë politik. Unë nuk jam optimiste se “arritjet e mëdha” në atë proces janë të mundshme këtë vit, por, përsëri, “ky është Ballkani”, domethënë mrekullitë kanë qenë gjithmonë dhe mbeten të mundshme në rajonin tonë. Në fund të fundit, kush do të kishte qenë i gatshëm të besonte tetë apo shtatë dekada më parë se francezët dhe gjermanët do të kalonin nga armiqtë e etur për gjak te bashkëpunëtorët e ngushtë? Prandaj, dua të besoj se një “zgjidhje e qëndrueshme” për çështjen e Kosovës do të gjendet, ashtu si Charles de Gaulle dhe Conrad Adenauer dikur nënshkruan Traktatin e Miqësisë të Elizesë mes Francës dhe Gjermanisë.

P.S. Mund të keni vërejtur se në këtë tekst nuk përmendet emri i asnjë politikani aktual, as nga Beogradi dhe as nga Prishtina. Qëllimisht nuk e përmenda asnjë, sepse çështja është pikërisht që dëshirat e justifikuara të njerëzve, siç janë të drejtat dhe liritë në fjalë, të paktën shkurtimisht të marrin fjalën kryesore, ngase gjithsesi zëri i politikanëve dëgjohet çdo ditë.

Autorja është gazetare e rubrikës politike në gazetën Danas, pjesë e së cilës është që nga viti 2007.

Ky aktivitet po bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Zërave Lokalë për Zhvillim të Barabartë” (ALVED). I financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, projekti zbatohet nga Peaceful Change initiative dhe People in Need në partneritet të ngushtë me Gradjanske Inicijative PEN – Peer Educators Network dhe Ngo AKTIV.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd