Në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut u prezantua raporti “Të drejtat pronësore ndërmjet gjendjes faktike dhe mbrojtjes gjyqësore – parashkrimi fitues dhe formalizimi i kontratave joformale në Kosovë”, i cili trajton një nga çështjet kyçe të sistemit juridik të Kosovës – ekzistimin e dy mekanizmave paralelë për zgjidhjen e të njëjtave situata pronësore: procedurën gjyqësore përmes institutit të parashkrimit fitues dhe procedurën administrative të formalizimit të kontratave joformale.
Në konferencë morën pjesë gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, avokatë, gjyqtarë në pension, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët ndanë përvojat e tyre, problemet nga praktika dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët në procedurat për përcaktimin e të drejtës së pronës.
Pjesëmarrësit theksuan se bëhet fjalë për një temë për të cilën flitet shumë pak në publik, pavarësisht problemeve të shumta sistemore në këtë fushë. U nënvizua veçanërisht se një numër i madh i pronarëve formalë nuk jetojnë më në Kosovë, ndërsa kontrollin faktik mbi pronat e ushtrojnë persona të tjerë, gjë që e ndërlikon më tej dëshmimin e të drejtës së pronës dhe zhvillimin e procedurave gjyqësore.
Gjatë diskutimit u hapën çështje që lidhen me pengesat në caktimin e rasteve, dëshmimin e pronësisë, raportin ndërmjet kontratave formale dhe joformale, si dhe harmonizimin e praktikës së Kosovës me standardet ndërkombëtare.
Autorët e raportit, avokatët Predrag Milkoviq dhe Jellena Kragoviq, theksuan se Kosova ka vendosur një mekanizëm të ri administrativ për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare të shitblerjeve joformale të paluajtshmërive dhe përcaktimin e të drejtës së pronës. Modeli i ri i formalizimit të kontratave joformale paraqet alternativë ndaj procedurës klasike gjyqësore dhe mbështetet në rregulla më fleksibile dhe standarde më të thjeshta të provave.
Siç thuhet në raport, thelbi i procedurës është që gjendja faktike në terren, e mbështetur me prova të caktuara, të mund të njihet si bazë për regjistrimin e të drejtës së pronës në kadastër, edhe kur nuk ekziston një kontratë formalisht e vlefshme. Qëllimi i këtij sistemi është zgjidhja më efikase dhe më e shpejtë e një numri të madh marrëdhëniesh pronësore të pazgjidhura, pa procedura të gjata gjyqësore.
Megjithatë, autorët paralajmërojnë se një qasje e tillë njëkohësisht hap çështje serioze të sigurisë juridike, pasi vendimet mbështeten më shumë në probabilitet dhe gjendje faktike sesa në standarde të rrepta të provave.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Komisionit për shqyrtimin dhe vendimmarrjen mbi legalizimin e gjendjes faktike, i cili vendos për përmbushjen e kushteve për formalizimin e kontratave joformale. U vlerësua se ky model përfaqëson një devijim të rëndësishëm nga modeli klasik gjyqësor i mbrojtjes së të drejtës së pronës.
Në përfundim të raportit thuhet se formalizimi mund të kontribuojë në efikasitet dhe zgjidhjen e një numri të madh rastesh të pazgjidhura, por njëkohësisht rrit rrezikun e keqpërdorimeve dhe relativizimit të sigurisë juridike kur bëhet fjalë për një nga të drejtat më të rëndësishme – të drejtën e pronës.
Raporti bazohet edhe në raste praktike me të cilat janë përballur qytetarët në procedurat për përcaktimin e të drejtës së pronës, duke analizuar edhe pasojat e mundshme të modelit të ri për sistemin juridik dhe qytetarët.
Raporti i plotë është i qasshëm në linkun (SRB, ENG)
Hartimi i publikimit dhe organizimi i ngjarjes janë mbështetur nga UNMIK-u.
OJQ Aktiv përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.