Në ambientet e Qendrës për Energji Qytetare (CEC) pranë OJQ Aktiv në Mitrovicën e Veriut, më 20 tetor u mbajt një tryezë e rrumbullakët e dedikuar prezantimit të platformës DigiPath, e zhvilluar në kuadër të projektit me të njëjtin emër që zbatohet nga OJQ Aktiv dhe Youth Alliance, me mbështetjen e programit Erasmus+.
Qëllimi i platformës DigiPath është t’u ofrojë të rinjve informacione për mundësitë e studimeve, shkëmbimeve studentore, vullnetarizmit dhe punësimit në rajon dhe jashtë vendit. Projekti lidh të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nxit bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave të tyre, duke kontribuar në një kuptim më të mirë të mundësive që ofrojnë mjetet digjitale dhe nismat rajonale në fushën e arsimit dhe punësimit.
Projekti u prezantua nga Marija Stanojeviq, koordinatore e projektit nga OJQ Aktiv, e cila theksoi se DigiPath synon të lehtësojë qasjen e të rinjve në informacion dhe rrjetëzim në mjedisin digjital.
“Platforma është konceptuar si një udhëzues praktik për mundësitë që ekzistojnë në rajon, nga shkëmbimet studentore dhe trajnimet, deri te vullnetarizmi dhe përvojat e para të punës. Synojmë që të rinjtë të kuptojnë se rajoni ofron më shumë mundësi sesa duket në shikim të parë,” tha Stanojeviq.
Përmes prezantimeve interaktive dhe diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësi të mësojnë më shumë për mobilitetin e të rinjve, sfidat dhe përfitimet e programeve ndërkombëtare, si dhe për mënyrat se si të gjejnë mundësi për zhvillim profesional dhe punësim në përputhje me interesat dhe aftësitë e tyre.
Në ngjarje morën pjesë rreth 20 pjesëmarrës, përfshirë studentë nga komunitetet serbe dhe shqiptare të kolegjit IBCM në Mitrovicë, si dhe përfaqësues të OJQ-ve lokale nga veriu i Kosovës. Organizatorët inkurajuan të rinjtë të vizitojnë platformën DigiPath dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ajo ofron.
Tryeza e rrumbullakët është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të OJQ Aktiv për promovimin e arsimit, aftësive digjitale dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve, si parakushte thelbësore për përfshirjen shoqërore dhe ekonomike të brezit të ri në Ballkanin Perëndimor.