U mbajt tryezë e rrumbullakët për çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Gazivodës: U theksua nevoja për dialog, transparencë dhe komunikim më të qartë institucional

Në organizim të konsorciumit Syri i Vizionit, EduTask dhe OJQ AKTIV, me mbështetjen e Fondit Global për Angazhimin dhe Reziliencën e Komunitetit (GCERF), më 14 korrik në sallën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut u mbajt tryeza e rrumbullakët me titull “Dialogu për çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Gazivodës: sfidat, kompetencat institucionale dhe hapat e ardhshëm”.

Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, mediave dhe qytetarë të drejtat pronësore të të cilëve janë prekur drejtpërdrejt nga zhvillimet e fundit në zonën e Liqenit të Gazivodës.

Qëllimi i tryezës së rrumbullakët ishte të mundësonte një dialog të hapur ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, të qartësonte kompetencat e aktorëve të ndryshëm dhe të kontribuonte në një kuptim më të mirë të procedurave aktuale. Në fjalën hyrëse u theksua se zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah mangësi serioze në komunikimin ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve, gjë që ka dëmtuar më tej besimin e publikut dhe ka shkaktuar shqetësim te banorët lokalë.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Milosh Peroviq, deklaroi se Komuna nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive dhe vikendicave në zonën e Liqenit të Gazivodës dhe nuk ka miratuar vendime që do të mundësonin aktivitete të tilla. Ai theksoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen ekskluzivisht në përputhje me ligjin, përmes dialogut dhe me respekt të plotë për të drejtat e qytetarëve, duke shprehur gatishmërinë e Komunës për të marrë pjesë në gjetjen e zgjidhjeve kompromisi të pranueshme si për institucionet, ashtu edhe për pronarët e objekteve.

Drejtori i ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, Faruk Mujka, paraqiti qëndrimin e kompanisë, duke theksuar se detyrimi i saj ligjor është mbrojtja e pronës që administron dhe e interesit publik. Ai sqaroi se Ibër-Lepenc nuk merr vendime për largimin e objekteve dhe nuk kryen rrënime, por për parregullsitë e konstatuara njofton institucionet kompetente, të cilat më pas veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e Liqenit të Gazivodës si një burim strategjik për furnizimin me ujë, energjinë dhe nevoja të tjera publike.

Gjatë diskutimit, qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë ngritën çështje lidhur me bazën ligjore të procedurave, kompetencat institucionale, qasjen në mjetet juridike dhe mënyrën e zbatimit të disa vendimeve. U theksua veçanërisht nevoja për transparencë më të madhe, informim me kohë të qytetarëve dhe respektim të vazhdueshëm të procedurave ligjore.

Pjesëmarrësit vlerësuan se zgjidhja e këtyre çështjeve komplekse kërkon koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve, si dhe komunikim të vazhdueshëm që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe forcimin e besimit në institucione.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilët ishin ftuar për të paraqitur kompetencat e Ministrisë në këtë proces, nuk morën pjesë në takim dhe nuk u kanë ofruar organizatorëve ndonjë arsyetim për mungesën e tyre.

Në përfundim u vlerësua se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Gazivodës kërkojnë një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm ndërmjet të gjithë aktorëve relevantë. Pjesëmarrësit theksuan se komunikimi i hapur, siguria juridike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë parakushte kyçe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe forcimin e besimit të qytetarëve në proceset institucionale.

NGO AKTIV Mitrovica