Transparenca dhe bashkëpunimi si çelës për luftën kundër korrupsionit në Kosovë

OJQ Aktiv, në bashkëpunim me Qendrën për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike (ACDC), organizoi të premten, më 25 tetor, në Prishtinë një konferencë mbi luftën kundër korrupsionit të titulluar “Demaskimi i korrupsionit: Transparenca, përgjegjësia dhe drejtësia.”

Pjesëmarrësit e konferencës, përfaqësues të institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile, diskutuan sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit. U theksua nevoja për bashkëpunim më të fortë midis të gjithë aktorëve shoqërorë, duke vlerësuar se vetëm përpjekjet e përbashkëta, transparenca dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve mund të kontribuojnë në frenimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit. Duke theksuar se ligjet janë në fuqi, pjesëmarrësit nënvizuan se vullneti për zbatimin e tyre të vazhdueshëm është çelësi për përparim të vërtetë.

Në hapjen e konferencës, drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Milliqeviq, theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm shoqëror në luftën kundër korrupsionit dhe përfshirjen e qytetarëve në raportimin e rasteve. Milliqeviq theksoi se korrupsioni është një problem jo vetëm global, por edhe thellësisht lokal, dhe se bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve dhe mediave është jetik.

“Përpiqemi ta mbajmë këtë temë aktuale për të inkurajuar qytetarët të raportojnë raste korrupsioni apo dyshime për ekzistencën e saj. Mediat luajnë një rol kyç në informimin e qytetarëve mbi çështjet e rëndësishme shoqërore, përfshirë luftën kundër korrupsionit. Me përpjekje të përbashkëta, ne mund të nxjerrim në pah fenomenet negative në shoqëri,“ tha Milliqeviq.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, Dushan Radakoviq, u shpreh për rëndësinë e balancimit midis kritikave dhe propozimeve për zgjidhje. “Nuk duam të jemi një organizatë që vetëm kritikon, por të ofrojmë edhe zgjidhje konkrete. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin me institucionet dhe besojmë se po bëjmë gjëra të dobishme për të mirën e të gjithë shoqërisë,“ tha Radakoviq.

Në kuadër të tre paneleve në konferencë u analizuan rolet e mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Në panelin e parë, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, foli për sfidat me të cilat përballet kjo agjenci, përfshirë mungesën e fondeve dhe stafit të specializuar.

“Institucioni ynë është linja e parë e mbrojtjes kundër korrupsionit. Megjithatë, kufizimet financiare dhe mungesa e juristëve me përvojë ngadalësojnë aktivitetet tona. Edhe pse Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin tonë, mbetet sfidë gjetja e stafit me përvojën dhe integritetin e duhur,” theksoi Buleshkaj.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit foli për bashkëpunimin me OJQ Aktiv përmes disa nismave që përfshijnë biseda direkte me qytetarët dhe promovimin e mjeteve dixhitale për raportimin e korrupsionit, të disponueshme për të gjitha komunitetet.

“Rezultatet pozitive të bashkëpunimit me OJQ Aktiv shihen në rritjen e numrit të raportimeve për korrupsion, për të cilat janë shqiptuar edhe gjoba financiare. Numri i raportimeve është dyfishuar, çka tregon një besim në rritje të qytetarëve. Shpresojmë se, me mbështetjen e sektorit civil dhe mediave, do të përmirësojmë të drejtat e sinjalizuesve – këtyre heronjve që mbi interesat e tyre vendosin mirëqenien e komunitetit dhe të shoqërisë,“ tha Buleshkaj.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se ky institucion përballet me sfida të shumta në trajtimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. „Ligji në Kosovë është përshtatur me ligjet e Bashkimit Evropian. Ai përmban dispozita që Avokati i Popullit ka të drejtë të japë rekomandime në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, dhe korrupsioni, padyshim, shkel të drejtat e njeriut,” tha Qelaj.

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, theksoi se Agjencia për Informim dhe Privatësi, të cilën ajo e drejton, përfaqëson një nga shtyllat kryesore të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.

“Transparenca është një nga parimet bazë për luftën kundër korrupsionit. Çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike, ka të drejtën të kërkojë qasje në dokumente publike,” tha Sogojeva Dërmaku.

Paneli i dytë u përqendrua në rolin e mediave në zbulimin e akteve korruptive. Drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura në Kosovë, Ardita Zejnullahu, theksoi rëndësinë e gazetarisë në luftën kundër korrupsionit. “Kur mediat ekspozojnë raste korrupsioni, ato nxisin shoqërinë për veprim dhe ushtrojnë presion mbi institucionet për të reaguar,” tha Zejnullahu.

Gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj theksoi format gjithnjë e më të sofistikuara të korrupsionit dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët në raportimin e tyre. “Sinjalizuesit nuk janë të mbrojtur në mënyrë adekuate, dhe ligji nuk funksionon mirë për ta. Prandaj, është i vogël numri i gazetarëve që guxojnë të hetojnë korrupsionin,“ tha Haxhiaj.

Sipas Visar Prebreza, nga BIRN-i, historitë hulumtuese të gazetarëve kanë çuar në arrestime të mëdha, por proceset gjyqësore shpesh përfundojnë me lirimin e të pandehurve. “Gazetarët bëjnë punën e tyre, por institucionet nuk e ndjekin dhe nuk japin zgjidhje adekuate,“ thekson Prebreza.

Drejtori i Qendrës Mediale në Çagllavicë, Budimir Niçiq, tha se gazetarët demotivohen nga fakti se pas raportimit për korrupsion, përgjegjësit nuk përballen me drejtësinë.

“Mediat luajnë një rol kyç në zbulimin e korrupsionit. Ka gazetarë që kanë vullnet, dëshirë dhe njohuri për të trajtuar tema të tilla, por nuk kanë mbështetjen e duhur,“ tha ai.

Paneli i tretë ishte i dedikuar për rolin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit. Panelistët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve, si dhe rolin e qytetarëve në raportimin e rasteve të korrupsionit.

Sanja Vukoviq nga Rrjeti për Aktivizmin Qytetar tha se korrupsioni mbetet një praktikë e përhapur në Kosovë dhe se qytetarët gjithnjë e më shpesh kërkojnë ndihmën e sektorit civil për të treguar parregullsitë.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, vlerësoi se Kosovës nuk i mungojnë ligjet, por vullneti politik për t’i zbatuar ato. “Sistemi i prokurorisë dhe gjyqësorit është i korruptuar. Nuk mund të kemi rezultate pozitive pa reforma rrënjësore që do të sjellin ndryshime thelbësore në gjyqësor,” tha ai.

Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, deklaroi se trajnimi i prokurorëve zhvillohet çdo ditë. Ai vuri në dukje se ka shumë sfida, se mekanizmi i përgjegjësisë nuk funksionon siç duhet, por ka edhe përparime.

 

Konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, dhe pjesëmarrësit u pajtuan se është e nevojshme mbështetje më e madhe për institucionet dhe mediat. Gjithashtu, u theksua se qytetarët dhe shoqëria civile janë partnerë kyç në këtë luftë, ndërsa ngjarje të tilla kontribuojnë në debatin publik për transparencën dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Konferenca u organizua me mbështetjen e Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së dhe është pjesë e projektit “Përmirësimi i transparencës dhe sundimit të ligjit në komunitetet me shumicë serbe”.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd