Organizata joqeveritare Aktiv dhe Asociacioni i Mediave Elektronike të Pavarura në Kosovë (AMPEK) organizuan më 23 prill në Prishtinë aktivitetin “Mëngjes me gazetarë”, kushtuar zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga këndvështrimi i raportimit mediatik.
Ngjarja mblodhi gazetarë dhe përfaqësues redaksish që raportojnë në gjuhën shqipe dhe serbe, përfshirë BIRN, RTV 21, ATV, RTV Kim, Radio Mitrovica e Veriut dhe RTK2, si dhe përfaqësues të organizatorëve. Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe joformale, me synim nxitjen e dialogut mbi mënyrën e raportimit për zbatimin e Ligjit për të Huajt, si dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët në trajtimin e kësaj teme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua transparencës së institucioneve dhe komunikimit të tyre me mediat, përfshirë respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. U diskutuan narrativat dominuese mediatike në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe mënyra se si mediat e një komuniteti raportojnë për tema që prekin kryesisht komunitetin tjetër.
Pjesëmarrësit theksuan mungesën e theksuar të transparencës së institucioneve në Prishtinë dhe Beograd, si dhe nivelin e ulët të informimit të publikut për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. U nënvizua se negociatat për fillimin e zbatimit të Ligjit për të Huajt kanë zgjatur me muaj pa informim adekuat të qytetarëve, duke kontribuar në rritjen e mosbesimit dhe spekulimeve në publik.
U shpreh gjithashtu shqetësimi se praktika të ngjashme mund të vazhdojnë edhe në proceset e ardhshme të dialogut, përfshirë çështjet që lidhen me funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore në sistemin e Republikës së Serbisë, si dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sa i përket qasjes në informacion, pjesëmarrësit theksuan mungesën serioze të të dhënave të sakta dhe në kohë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e raportimit mediatik. Si shembull u përmendën paqartësitë lidhur me rregullore dhe masa të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke vështirësuar informimin profesional dhe të përgjegjshëm.
Në këto rrethana, për shkak të mungesës së informacionit zyrtar, disa media në gjuhën shqipe dhe serbe i janë drejtuar spekulimeve. Problem shtesë mbetet komunikimi i kufizuar me përfaqësuesit institucionalë dhe aktorët politikë, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, duke e vështirësuar më tej punën e gazetarëve.
Në përfundim, u theksua nevoja për rritjen e transparencës institucionale dhe fokus më i madh në informimin e saktë dhe në kohë të të gjithë qytetarëve.
“Mëngjes me gazetarë” u organizua nga OJQ Aktiv dhe AMPEK, me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar për Demokraci (NED).