(Mos)respektimi sistematik i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: OJQ-të si standard i barazisë gjuhësore

Shkelja sistematike (ose) respektimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: OJQ-të si standard i barazisë gjuhësore

Komunikimi me publikun, përfshirë dokumentet, njoftimet, deklaratat dhe përmbajtjet e tjera, është në mënyrë të qëndrueshme i qasshëm në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht, ka treguar analiza e faqeve zyrtare dhe rrjeteve sociale të organizatave joqeveritare serbe. Ky model pune dëshmon një nivel të lartë profesionalizmi dhe respekti ndaj të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Qasja në informacion në tri gjuhë u mundëson organizatave të arrijnë një audiencë sa më të gjerë, duke forcuar kështu dialogun, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara në proceset shoqërore – nga qytetarët dhe mediat te institucionet dhe akterët ndërkombëtarë.

Problemi i shkeljes sistematike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë është evidentuar për vite me radhë, por vazhdon të jetë prezent pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës serbe dhe asaj shqipe. Si rrjedhojë, komunitetet joshumicë – në këtë rast ato që komunikojnë në gjuhën serbe – vazhdojnë të mbesin të privuara nga informatat kyçe. Kjo është konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023[2], ku në disa pika theksohet ky problem.

Prandaj, OJQ Aktiv, Radio Kim, Iniciativa e Re Shoqërore (NSI), Radio Gorazhdevci, dhe që nga kjo javë edhe Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC), vazhdojnë fushatën e tyre për avokim publik me qëllim që të nxisin institucionet për të zgjidhur këtë problem shumëvjeçar. Këtë javë në fokus janë pikërisht këto organizata – Aktiv[3], Iniciativa e Re Shoqërore[4] dhe Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC).[5]

Përfaqësimi shumëgjuhësh i punës së organizatave joqeveritare është veçanërisht i rëndësishëm kur merret parasysh larmia e temave me të cilat merret shoqëria civile. Sektori joqeveritar në Kosovë ka një rol kyç në monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, barazisë gjinore, të drejtave të komuniteteve joshumicë, qasjes në shërbime publike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe transparencës së institucioneve publike. Përmes raporteve, hulumtimeve, fushatave dhe paraqitjeve publike, këto organizata rregullisht i adresojnë problemet shoqërore dhe mangësitë sistemike, duke vepruar si një mekanizëm korrektues ndaj autoriteteve dhe duke i kujtuar institucioneve detyrimin për të respektuar ligjin dhe rregulloret në fuqi.

Në këtë kuptim, qasja në përmbajtje në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze nuk është vetëm një çështje teknike, por pasqyrim i një përkushtimi thelbësor për gjithëpërfshirje, përgjegjësi dhe qasje të barabartë në informacion për të gjithë qytetarët dhe akterët ndërkombëtarë, pavarësisht përkatësisë etnike apo gjuhësore. Komunikimi shumëgjuhësh është parakusht i domosdoshëm që kontributi i sektorit civil të kuptohet dhe të njihet siç duhet në të gjitha komunitetet dhe në të gjitha nivelet – lokal, qendror dhe ndërkombëtar.

 

Faqet e internetit të organizatave joqeveritare: Shembull i përkushtimit ndaj qasjes së barabartë në informim

Faqja e internetit: Faqet hyrëse të organizatave joqeveritare të monitoruara tregojnë një nivel të lartë përputhshmërie me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Që në hapin e parë, vizitorëve u mundësohet të zgjedhin gjuhën – serbisht, shqip ose anglisht – duke garantuar kështu qasje të barabartë në informacionet bazë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre gjuhësore. Në të gjitha faqet e analizuara, kategoritë dhe qëllimet e përgjithshme të organizatës janë përkthyer në mënyrë të qartë dhe të qëndrueshme. Po ashtu, të dhënat për selinë, adresën, vizionin, misionin dhe fokusin tematik janë të prezantuara në tri gjuhë, pa dallime në përmbajtje midis versioneve gjuhësore.

Lajmet: Një ndër treguesit kryesorë të zbatimit të qëndrueshëm të shumëgjuhësisë[6] në faqet e analizuara është edhe ky seksion. Të gjitha lajmet e publikuara – qofshin ato njoftime për ngjarje, raporte nga terreni, reagime apo analiza – janë të disponueshme në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht. Përmbajtja është e harmonizuar në të gjitha versionet, pa shkurtime, përkthime selektive apo mospërfshirje të informatave, duke siguruar kështu qasje të barabartë në informacion për të gjithë përdoruesit.

Projekte: Analiza e kësaj kategorie tregon një nivel të lartë të qëndrueshmërisë gjuhësore dhe transparencës[7]. Të gjithë projektet e realizuara[8], dhe ato që janë në zhvillim janë të paraqitura në mënyrë të rregullt në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze[9]. Prezantim shumëgjuhësh nuk kufizohet vetëm në tituj dhe përshkrime bazë, por përfshin informata të plota – nga kohëzgjatja e projekteve, qëllimet e përgjithshme dhe aktivitetet, deri te të dhënat për donatorët dhe organizatat partnere. Të gjitha informatat janë të sinkronizuara qartë në të tri gjuhët, pa dallime përmbajtjesore, duke siguruar kështu një qasje të barabartë në projektet për të gjithë vizitorët e faqes – qytetarë, media, institucione dhe akterë ndërkombëtarë.

Publikimet: Ky segment përfaqëson një shembull të qartë të praktikës së mirë në respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Të gjitha publikimet[10] e publikuara nga organizatat – përfshirë raportet mujore dhe vjetore, hulumtimet[11], analizat[12] dhe studimet tematike – janë të disponueshme në tre gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht. Përmbajtja e dokumenteve është plotësisht e harmonizuar në të gjitha gjuhët, pa dallime në përmbajtje apo cilësinë e përkthimit. Për më tepër, ndër to ka edhe raporte që trajtojnë drejtpërdrejt çështjen e respektimit të të drejtave gjuhësore, gjë që dëshmon më tej përkushtimin e këtyre organizatave që puna e tyre të jetë në përputhje me vlerat që promovojnë.

Paralajmërimet për ngjarje dhe aktivitete: Edhe kjo kategori konfirmon më tej qëndrueshmërinë në respektimin e shumëgjuhësisë në faqet e internetit të organizatave joqeveritare. I gjithë kalendari[13] i aktiviteteve të paralajmëruara, përfshirë publikime[14], mbajtjen e konferencave për media[15], punëtorive, trajnimeve dhe ngjarjeve të tjera publike – është në mënyrë të rregullt i disponueshëm në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze. Informacionet për datën, vendin, temat dhe folësit, si dhe materialet shoqëruese, janë të paraqitura qartë dhe në mënyrë të barabartë në të tri gjuhët.

 

OJQ-të në rrjetet sociale: Shumëgjuhësia si standard, jo përjashtim

Facebook: Analiza e faqeve në Facebook[16] të organizatave joqeveritare të monitoruara[17] tregon të njëjtën praktikë të qëndrueshme të respektimit të të drejtave gjuhësore si në faqet e tyre zyrtare të internetit. Të gjitha postimet – paralajmërimet për ngjarje, raportet nga takimet, thirrjet për pjesëmarrje, iniciativat dhe reagimet – janë rregullisht të disponueshme në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze. Shumëgjuhësia[18] është dukshëm e zbatuar edhe në segmentet vizuale – në fotografi, përmbajtje video dhe galeri. Për secilin material të bashkëngjitur botohet në mënyrë të qëndrueshme tekst shoqërues në të tri gjuhët, gjë që kontribuon më tej në qasjen dhe transparencën e komunikimit.

X (ish-Twitter): Zbatimi i qëndrueshëm i shumëgjuhësisë në komunikimin[19] e organizatave joqeveritare vërehet edhe në rrjetin social X. Të gjitha postimet[20]– nga informacionet e shkurtra dhe paralajmërimet për ngjarje, deri te deklaratat publike dhe thirrjet – rregullisht publikohen[21] në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht. Pavarësisht kufizimeve të formatit, organizatat kanë gjetur mënyra për të ruajtur ekuilibrin gjuhësor dhe për të siguruar qasje të barabartë në informacion për të gjithë përdoruesit e kësaj platforme. Gjithashtu, përmbajtjet vizuale, si grafikët, infografikat dhe materialet promovuese, shoqërohen me tekste në të tri gjuhët.

Instagram: Kjo platformë[22] paraqet një tjetër shembull të qëndrueshmërisë kur bëhet fjalë për përputhshmërinë gjuhësore të përmbajtjes. Pavarësisht natyrës vizuale të Instagramit[23], organizatat joqeveritare[24] e zbatojnë me sukses praktikën e komunikimit shumëgjuhësh, duke konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj respektimit të të drejtave gjuhësore. Qoftë tekste, fotografi, infografikë, video apo storie – të gjithë materialet rregullisht publikohen në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht. Tekstet shoqëruese, titrat në video dhe përshkrimet vizuale janë të përshtatura për të gjitha palët e interesuara – qytetarë, media dhe organizata ndërkombëtare.

YouTube: Kanalet[25] e organizatave joqeveritare[26] përfaqësojnë një tjetër shembull të mirë të respektimit të të drejtave gjuhësore në komunikimin digjital. I gjithë materiali video i publikuar në këtë platformë është i disponueshëm në tri gjuhë – serbisht, shqip dhe anglisht – përmes titrave, versioneve të njëkohshme ose përshkrimeve dhe titujve shoqërues. Kjo praktikë[27] tregon se është plotësisht e mundur të sigurohet shumëgjuhësia edhe në formatin audiovizual dhe se të gjitha informacionet mund të jenë të qasshme për të gjitha palët e interesuara. Kanalet në YouTube të këtyre organizatave demonstrojnë një standard që edhe institucionet publike mund ta ndjekin për të garantuar qasje të barabartë në informim për të gjitha komunitetet.

 

Pse është kjo e rëndësishme?

Në analizat e mëparshme kemi theksuar vazhdimisht se shpërfillja sistematike e gjuhës serbe nga institucionet e Kosovës është një nga problemet më serioze sa i përket respektimit të të drejtave gjuhësore. Një praktikë e tillë ndikon drejtpërdrejt në përjashtimin e një komuniteti gjuhësor nga komunikimi institucional, qasja në informata dhe realizimi i të drejtave themelore.

Prandaj, vazhdimi i fushatës sonë, që këtë herë vendos në fokus shembujt e praktikave të mira, ka për qëllim të tregojë se ky problem nuk është i pazgjidhshëm. Përkundrazi, zgjidhja është e mundur nëse ekziston vullnet institucional dhe politik. Analiza e komunikimit të organizatave joqeveritare dëshmon qartë se respektimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve është i realizueshëm dhe i aplikueshëm në praktikën e përditshme. Qasja e tyre, që garanton publikimin e të gjitha aktiviteteve, informatave dhe materialeve njëkohësisht në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze, tregon se respektimi i normave gjuhësore nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe një kontribut aktiv në ndërtimin e besimit, përfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe krijimin e një hapësire për mirëkuptim të ndërsjellë. Këto organizata, në fakt, me punën e tyre tregojnë se komunikimi i dyanshëm dhe i barabartë mund të bëhet standard, dhe jo përjashtim, në zbatimin e normave ligjore.

Ligji përcakton qartë se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare dhe të barabarta në Kosovë. Megjithatë, përmes një praktike shumëvjeçare të injorimit të këtij obligimi dhe heshtjes përballë shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave gjuhësore, qytetarëve të përkatësisë serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë që mbështeten në informatat në gjuhën serbe u mohohet e drejta kushtetuese dhe ligjore për qasje të barabartë në informatat me rëndësi publike.

Prandaj është thelbësore që praktika e përdorimit të përkthyesve joprofesionistë apo përkthimeve automatike (si Google Translate) të zëvendësohet me përkthyes të kualifikuar, të cilët do të sigurojnë përkthim cilësor dhe të qartë të përmbajtjes në gjuhën serbe. Krijimi i një sistemi funksional për përkthim do të mundësonte qasje të pandërprerë në informatat publike. Edhe më e rëndësishme, institucionet do të dëshmonin në praktikë përkushtimin e tyre ndaj respektimit të plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut, siç është ajo e komuniteteve joshumicë, e garantuar me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut[28].

Kjo analizë tregon qartë se shembulli i praktikës së mirë në respektimin e barazisë gjuhësore më së shpeshti vjen nga sektori joqeveritar. Shumë organizata të shoqërisë civile, megjithë burimet e kufizuara dhe buxhetet shumëfish më të vogla krahasuar me institucionet e Kosovës, arrijnë që rregullisht t’i publikojnë të gjitha aktivitetet, publikimet dhe përmbajtjet digjitale në tri gjuhë – shqip, serbisht dhe anglisht. Kjo tregon qartë se pengesat për sigurimin e barazisë gjuhësore nuk janë ekskluzivisht çështje kapaciteti, por e vullnetit dhe përkushtimit institucional. Në këtë kuptim, institucionet e Kosovës kanë në dispozicion mjaftueshëm mjete dhe mundësi për të siguruar përkthim të rregullt dhe cilësor në gjuhën serbe për të gjithë përmbajtjen publike. Kjo do të forconte më tej besimin e qytetarëve dhe do të përmirësonte përfshirjen në komunikimin publik.

Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ndjekin shembullin e sektorit joqeveritar dhe të sigurojnë që i gjithë përmbajtja e tyre të jetë e qasshme në mënyrë të barabartë në të dy gjuhët zyrtare – shqipe dhe serbe. Edhe këtë herë, i bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të heqë dorë nga angazhimet deklarative për respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe t’u kërkojë institucioneve që të harmonizojnë përdorimin e gjuhëve sipas normave të përcaktuara me ligj në të gjitha nivelet.  Njëkohësisht, edhe një herë i bëjmë apel Zyrës së Komisionerit për Gjuhët që të fillojë zbatimin e dispozitave ligjore në kuadër të mandatit të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një ambienti institucional që respekton obligimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbron, promovon, ruan dhe zbaton të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ftojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen aktivisht në këtë proces dhe të raportojnë të gjitha parregullsitë gjuhësore tek institucionet kompetente, si Zyra e Komisionerit për Gjuhët (zkgj.kpj@gmail.com) dhe zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org). Gjithashtu, ftojmë të gjithë që, nëse hasin në parregullsi gjuhësore, të kontaktojnë OJQ Aktiv (office@ngoaktiv.org) dhe t’i bashkohen thirrjes sonë për respektimin e normave të përcaktuara me ligj.

 

[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf

[3] https://ngoaktiv.org/

[4] https://newsocialinitiative.org/

[5] https://acdc-kosovo.org/sr-latn

[6] https://ngoaktiv.org/sve-vesti/

[7] https://ngoaktiv.org/svi-projekti/

[8] https://acdc-kosovo.org/sr-latn/projekti

[9] https://newsocialinitiative.org/sr/projekti/

[10] https://ngoaktiv.org/aktiv-publikacije/

[11] https://acdc-kosovo.org/sr-latn/analize-i-istrazivanja

[12] https://newsocialinitiative.org/sr/publikacije/

[13] https://ngoaktiv.org/svi-dogadaji/

[14] https://acdc-kosovo.org/sr-latn/najava-dogadjaja

[15] https://newsocialinitiative.org/sr/novosti/

[16] https://www.facebook.com/AktivMitrovica/

[17] https://www.facebook.com/Ngoacdc/

[18] https://www.facebook.com/newsocialinitiative/?ref=aymt_homepage_panel&eid=ARC1zE5EWOowKlvD3b-sGWUhCvmOA_ENteYoqb_D5q1sFIBKefNwu-w_HzuCTPI1UwKB0ZisHmXdBdSn

[19] https://x.com/ngo_aktiv

[20] https://x.com/ngo_acdc

[21] https://x.com/NSIMitrovica

[22] https://www.instagram.com/ngoaktiv_

[23] https://www.instagram.com/acdc.kosovo/

[24] https://www.instagram.com/nsimitrovica/

[25] https://www.youtube.com/channel/UC0ZcHcuqhL-nNG8FdK3AJSw

[26] https://www.youtube.com/@newsocialinitaitve/videos

[27] https://www.youtube.com/@ngoaktiv5717/videos

[28] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd