Periudha e raportimit: maj 2024
Metodologjia
OJQ Aktiv mblodhi informacione rreth rasteve të mundshme të gjuhës së urrejtjes dhe shkeljes së të drejtave të njeriut duke monitoruar raportet e mediave në serbisht dhe shqip, si dhe përmes intervistave të drejtpërdrejta me banorët vendas të katër komunave veriore të cilët raportuan shkelje të të drejtave të njeriut. Raporti mbështetet në terminologjinë dhe përkufizimet e pranuara botërisht të të drejtave të njeriut, siç janë përfshirë në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNj) dhe konventat dhe dokumentet e tjera përkatëse të OKB-së, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, si dhe në legjislacionin në fuqi të Kosovës në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes.
Raport i përgjithshëm mbi situatën e të drejtave të njeriut në maj 2024
Periudha raportuese u shënua me krijimin dhe zbatimin e një mekanizmi të ri për marrjen e patentë shoferëve të lëshuara nga institucionet e Kosovës, me probleme të theksuara në proces ku patentat e vjetra të shoferit të lëshuara nga institucionet serbe u shfuqizuan duke i shpuar fizikisht ato. Për më tepër, kjo periudhë shënoi edhe ndalimin e patriarkut të KOS për të hyrë në Kosovë, mbylljen e zyrave të “Poštanska Štedionica” në katër komuna dhe mbylljen e thesarit në Mitrovicë. Qeveria e Kosovës
Dëshmia e Kurtit
Më 7 maj, kryeministri Albin Kurti publikoi disa statistika në llogarinë e tij në platformën X. Në këtë tvit, Kurti pohoi se që nga viti 2022 ka pasur vetëm tre akte dhune ndaj serbëve me pasoja fatale dhe se autorët e këtyre veprave janë serbet dhe se vendasit apo të huajt mund ta kuptojnë se propaganda e Beogradit është e shkëputur nga realiteti thotë Kurti. Ndonëse kryeministri Kurti mund të jetë i saktë në deklaratën e tij, kjo nuk është i gjithë tregimi. Cilësia e jetës nuk matet vetëm me numrin e vrasjeve dhe aq më pak me përkatësinë etnike të autorëve. Që kur Kurti mori detyrën, populli serb ka përjetuar një nga periudhat më të këqija në jetën e tyre, ku viti 2023 është veçanërisht përfaqësues i betejave të tyre. Jo të gjitha këto probleme mund t’i atribuohen Kurtit, Kosovës apo Serbisë, por është simptomatike që shumë çështje u ngritën për shkak se përfitimi politik ishte prioritet mbi mirëqenien e serbëve. Disa shembuj përfshijnë praninë e vazhdueshme të policisë speciale në veri të Kosovës, presionet për të bllokuar dhe shfuqizuar liberalizimin e vizave për pasaportat e ZK-së, ndalimin e prodhimeve serbe, shpronësimet ilegale dhe veprime të tjera, shumë prej të cilave janë përmendur në raportet e kaluara. Problemi më i madh me këtë nuk është prezantimi subjektiv i të dhënave, por nocioni që u jepet njerëzve se problemi i vetëm i serbëve janë serbët e tjerë. Kjo është e rrezikshme sepse jep një imazh të rremë dhe në mënyrë të rreme i bënë absurde argumentet e komunitetit serb në Kosovë. Kjo ka qarkulluar në media dhe në media tjera sociale duke përshpejtuar narrativin e rremë që kërcënon të dëmtojë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve në Kosovë.
Patentë shoferët
Në maj, u prezantua një mekanizëm i ri që lejon personat me patentë shofer të lëshuar nga institucionet serbe të marrin patentë shoferi nga institucionet e Kosovës. Që nga fillimi i këtij procesi, rreth 500 persona e kanë bërë këtë kërkesë. Megjithatë, gjatë procesit të marrjes së dokumentit të ri, patentë shoferët e lëshuara nga Serbia u anuluan, një hap që nuk ishte përmendur në dokumentin origjinal që lejon këtë transaksion. Ky anulim bëhet duke shpuar dokumentin e lëshuar nga Serbia gjatë aplikimit për dokumentin e Kosovës. Kjo ka ngritur shumë pikëpyetje për ligjshmërinë e shkatërrimit të një dokumenti të lëshuar nga një institucion tjetër, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e dokumentit nga Serbia. Si rezultat, njerëzit tani duhet të riaplikojnë për të njëjtat dokumente të vlefshme dhe të udhëtojnë në Serbi për t’i marrë ato, duke vënë presion shtesë financiar mbi ata që tashmë janë të tensionuar, veçanërisht pas mbylljes së bankave që operojnë me dinarë.
Ndalimi i vizitës së patriarkut në Kosovë
Më 13 maj, patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe iu refuzua hyrja në Kosovë, duke shkaktuar një ortek komentesh nga përfaqësuesit e Kuintit, BE-së dhe KOS. Këto komente kanë qenë kritike ndaj vendimit, duke argumentuar se ky vendim shkel marrëveshjet e nënshkruara më parë dhe planin e Ahtisaarit. Gjithashtu, ky vendim cenon të drejtat fetare të garantuara për besimtarët me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe shumë dokumente të tjera.
Konferencë për medie por pa përkthim
Më 14 maj, në stacionin kryesor policor në Mitrovicën Veriore u mbajt një konferencë pa përkthim në gjuhën serbe. Kjo konferencë, e thirrur nga Ministri i Punëve të Brendshme, nuk ka përfshirë përkthimin, që paraqet shkelje serioze të të drejtave gjuhësore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Vetëm pas presionit të gazetarëve ministri u përgjigj në gjuhën serbe pyetjeve të tyre.
Shpronësimi i tokës
Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim përfundimtar për shpronësimin e disa pronave në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe të tokës së ish-kampit ushtarak Casablanca në Suharekë. Pronat specifike dhe pronarët e tyre nuk janë përmendur.
Një pjesë e procesit të shpronësimit është në kontest ligjor, në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit pasi Gjykata Themelore vendosi se shpronësimi në veri ishte i paligjshëm. Qeveria e Kosovës pretendon se vendimi përfundimtar përputhet me “aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës”.
Megjithatë, ekspertit ligjor Dragutin Nenezić dhe avokatit të palës së prekur në procedurën fillestare, i mungojnë informatat për rezultatin e gjykatës. Ai theksoi se këtij vendimi i mungojnë edhe hollësitë për ngastrat specifike të shpronësuara.