Panairi i verës është i rëndësishëm për promovimin dhe plasimin e produkteve të prodhuesve të vegjël të verës nga Hoça e Madhe, u tha në festivalin e verës të mbajtur më 16 qershor në Hoçë të Madhe.
Kjo ngjarje, e organizuar nga OJQ Aktiv, mblodhi së bashku prodhues të verës nga ky rajon dhe përfaqësues të bizneseve nga veriu i Kosovës, me qëllim të hapjes së rrugëve të reja të bashkëpunimit ekonomik.
Prodhuesit e verës, të bardhë, të kuqe dhe roze, duan të vazhdojnë traditën e të parëve të tyre, por tani ata kanë nevojë për promovim dhe hyrje në një treg më të madh. Igor Veçeviq, një prodhues shumëvjeçar i verërave, thotë se prodhuesit e vegjël e kanë të vështirë të shesin prodhimet vendase.
“Panairi i verërave do të thotë shumë dhe me përpjekjen dhe angazhimin tonë shpresoj që produktet tona të jenë në raftet e shumë tregjeve”, thotë ai.
Sipas tij, panairi i verës është i rëndësishëm për prezantimin e prodhuesve të vegjël, me qëllim që të gjejnë vendin e tyre në treg. Veçeviq e trashëgoi dashurinë për prodhimin e verës nga gjyshi i tij. Ai shpjegon se sekreti i verës së mirë qëndron te përkushtimi, punën dhe mundin e vazhdueshëm, por edhe te korrja.
“Shpresoj që kjo të jetë e suksesshme. Në të kaluarën kultivoheshin me shumë mundim vreshtat, ndërsa sot me mekanizim e kemi zgjeruar biznesin, kam mbjellë rrush merlot dhe vranac dhe shpresoj të mbijetojmë, të ruajmë dhe të vazhdojmë traditën shekullore”, thotë Veçeviq.
Përfaqësues të kafeneve, restoranteve dhe dyqaneve ushqimore nga komunat në veri të Kosovës morën pjesë në këtë ngjarje, shijuan verërat nga Hoça e Madhe dhe vendosën kontakte.
Dejan Rakiq, inxhinier i diplomuar i bujqësisë nga Zubin Potokun, ndodhet për herë të parë në Hoçë të Madhe. Si ekspert, ai tregon se prodhuesit e vegjël duhet të fuqizohen dhe promovohen ekonomikisht.
“Ata kanë nevojë për një motiv që nxit. Ata dinë të bëjnë verë këtu, u duhet vetëm një promovim për të shitur dhe tregtuar produktet e tyre. Kjo është arsyeja pse panairet janë të rëndësishme për këto ferma. Është e rëndësishme që ata të promovohen në Prishtinë, Beograd, për ta forcuar këtë vend dhe për të siguruar jetesën nga puna e tyre”, tha Rakiq.
Edhe pse vera nga Hoça e Madhe njihet si verë cilësore vendase, kjo zonë është ende e pazhvilluar, me mundësi të kufizuara për të hyrë në tregjet e huaja. Prandaj, kjo ngjarje është krijuar për të adresuar këtë çështje, thotë Caleb Waugh, udhëheqës i departamentit të politikave praktike të OJQ-së Aktiv.
Waugh thekson se është e nevojshme të ringjallet ekonomia vendore, gjë që ishte arsyeja pse prodhuesit e vegjël u bashkuan me partnerët e mundshëm të biznesit nga veriu i Kosovës.
“Hoça e Madhe është një zonë e vogël, por ka një traditë të prodhimit të verës, ndaj ne kemi dashur të ndihmojmë prodhuesit vendas, të cilët prodhojnë verë prej shekujsh dhe nuk kanë akses në tregje të tjera dhe më të mëdha. Kemi ftuar pronarët e kafeneve, restoranteve dhe dyqaneve që të vijnë ta shijojnë dhe shpresoj se do të ketë një bashkëpunim”, thotë Waugh.
Të pranishëm në këtë manifestim shprehën se ky panair i vogël mund të shndërrohet në një tubim vjetor tradicional, që njerëz nga vende të tjera nga Kosova dhe më gjerë të vijnë në Hoçë të Madhe për verë, shoqëri dhe biznes.
“Një fillim modest, por është fillimi”, tha Waugh.