Në Mitrovicën e Veriut u mbajt diskutimi “Dialogu për normalizimin: Gjendja e çështjeve, sfidat dhe mundësitë“

Të premten, më 19 shtator, në Qendrën e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, u mbajt diskutimi me temë “Dialogu për normalizimin: gjendja e çështjeve, sfidat dhe mundësitë“, organizuar nga OJQ Aktiv dhe Alternativa Qytetare e Kosovës.

Përfaqësuesit e pushtetit lokal, partive politike të serbëve të Kosovës, si dhe përfaqësues të sektorit civil nga të dy komunitetet, serb dhe shqiptar, analizuan problemet kryesore në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me fokus të veçantë në situatën aktuale politike në veri të Kosovës dhe sfidat në procesin e normalizimit.

Pjesëmarrësit vunë në dukje se dialogu është në ngecje prej dy vitesh e gjysmë, ndërsa takimi i fundit në Bruksel nuk solli përparim të rëndësishëm. Edhe pse pritej përparim, ulje e tensioneve dhe kthimi në dialogun politik, siç u vlerësua, sot të dyja palët shikojnë me pesimizëm drejt një zgjidhjeje të shpejtë.

Në këtë aspekt, konsiderohet se rrethanat politike, si zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndikojnë më tej në shtyrjen e procesit. U theksua posaçërisht se jostabiliteti shoqëror dhe politik në Kosovë përbën një pengesë të madhe për përparimin. Sipas pjesëmarrësve, situata në terren mbetet e tensionuar, dhe qëllimi kryesor i akterëve ndërkombëtarë dhe lokalë tani është stabilizimi i situatës dhe ulja e tensioneve në një nivel të pranueshëm për të siguruar kushte për vazhdimin e dialogut.

Pjesëmarrësit theksuan se tensionet më të mëdha janë në veri të Kosovës, për çka procesi i normalizimit bëhet çështje e stabilitetit. Gjatë diskutimit u theksua se situata politike aktuale kontribuon në polarizimin gjithnjë e më të madh ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar në Kosovë. U shpreh shqetësimi se cilësia e jetës së serbëve, veçanërisht në veri të Kosovës, është përkeqësuar ndjeshëm, dhe përpjekjet për integrimin e tyre në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës janë minimale.

Pjesëmarrësit ranë dakord se është e nevojshme të ndryshohet narrativa aktuale drejt një procesi që promovon zgjidhje konkrete dhe pozitive që mund të sjellin ndryshime politike dhe shoqërore afatgjata. Një nga përfundimet kryesore të diskutimit lidhet me rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve lokale, veçanërisht komunitetit serb në veri të Kosovës, në proceset institucionale.

Një nga sfidat kryesore, sipas vlerësimeve të pjesëmarrësve, është identifikuar edhe nevoja për reduktimin e pranisë së njësive speciale policore në veri të Kosovës, që do të kontribuonte në uljen e tensioneve. Përveç kësaj, pjesëmarrësit theksuan nevojën për të zgjidhur çështjen e shpronësimit të tokës, e cila komplikon më tej marrëdhëniet në këtë pjesë të Kosovës, si dhe rëndësinë e investimeve në projekte infrastrukturore që do të përmirësonin jetën e të gjitha komuniteteve. U propozua gjithashtu krijimi i një forumi konsultativ ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve lokalë serbë.

Megjithëse shpesh flitet për integrimin, u propozua një qasje më gjithëpërfshirëse që do të mundësonte krijimin e kushteve për bashkëjetesë paqësore dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve. Pjesëmarrësit theksuan se marrëveshjet dhe zgjidhjet duhet të marrin parasysh kontekstet lokale në mënyrë që të pranohen nga qytetarët dhe të jenë më të lehta për t’u zbatuar.

U rekomanduan masa konkrete për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ndër to janë rikthimi i një numri të caktuar të policëve serbë në stacionet lokale, përmirësimi i komunikimit në gjuhën serbe në shërbimet publike, rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe forcimi i pranisë së inspektoratit policor në veri të Kosovës. Përveç kësaj, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë zgjidhjes së çështjeve si ura në Mitrovicë, që është burim tensionesh, si dhe krijimit të kushteve për një kornizë politike dhe shoqërore më gjithëpërfshirëse që do të mundësonte bashkëjetesën paqësore të komuniteteve. U theksua gjithashtu rëndësia e garantimit të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të sigurohet që procesi zgjedhor të jetë i lirë nga ndikimi i jashtëm.

U konkludua se është e nevojshme të ndërmerren veprime urgjente që do të çonin në uljen e tensioneve dhe stabilizimin e situatës në terren, në mënyrë që të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut. Megjithatë, përparimi në procesin e normalizimit do të varet, siç u tha në takim, nga vullneti politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe nga përfshirja aktive e akterëve lokalë dhe pjesëmarrja e tyre në marrjen e vendimeve kyçe.

U konkludua se është e nevojshme të rifillon dialogu politik dhe të organizohen takime më të shpeshta midis përfaqësuesve të të gjitha palëve relevante.

„Një qasje gjithëpërfshirëse që merr parasysh interesat e të gjitha komuniteteve është çelësi për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë“, u tha në këtë takim.

Ky debat u mbajt me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar për Demokraci (NED).

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd