Mos respektimi sistematik i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë

Dokumentet kyçe të destinuara për informimin e qytetarëve, veçanërisht të bujqve që komunikojnë në gjuhën serbe, janë në masë të madhe të paqasshme. Bëhet fjalë për përmbajtje që kanë të bëjnë me thirrjet, grantet, subvencionet, procedurat e aplikimit dhe raportimin për realizimin e projekteve, të cilat ose mungojnë plotësisht, ose janë të pranishme në një përmasë më të vogël dhe me përkthim të dobët, është përfundimi pas analizës së faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Ndërsa në gjuhën shqipe këto dokumente janë të qasshme rregullisht, me përditësim të vazhdueshëm dhe në numër të madh, versioni në gjuhën serbe i faqes dhe kanaleve të tjera të komunikimit lë përshtypjen e përmbushjes formale të obligimeve ligjore, pa qëllim real për të siguruar qasje të barabartë në informim për të gjithë qytetarët.

Prej vitesh është duke u theksuar problemi i shkeljes sistematike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, por ai vazhdon të ekzistojë pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës serbe dhe shqipe. Në këtë kontekst, komunitetet jo-shumicë, në këtë rast ato që komunikojnë në gjuhën serbe, mbeten të privuara nga informatat kyçe. Ky shqetësim është ngritur edhe në Raportin e Komisionit Evropian[2] për Kosovën për vitin 2023, ku në disa pika veçmas theksohet ky problem.

Për këtë arsye, NGO Aktiv, Radio Kim, Iniciativa e Re Shoqërore (NSI) dhe Radio Gorazhdevci vazhdojnë fushatën e avokimit publik, me qëllim që institucionet të nxisen për të zgjidhur këtë problem shumëvjeçar. Këtë javë në fokus është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë. Pas një shqyrtimi të faqes zyrtare dhe rrjeteve të saj sociale, konstatuam se aty zbatohet pothuajse e njëjta praktikë e dëmshme për të cilën kemi paralajmëruar më herët duke analizuar rastet e mëparshme si: KQZ-ja, MPB-ja, IPK-ja, PK-ja dhe Ministria e Bujqësisë.

Mungesa e informacionit në gjuhën serbe mbi projektet, grantet dhe subvencionet që zbaton Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, veçanërisht për bujqit të cilëve u pamundësohet qasja në përmbajtje në gjuhën serbe. Kjo praktikë kufizon mundësinë e tyre për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në programet e mbështetjes që kjo agjenci realizon në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në një situatë kur informacionet kyçe, si thirrjet publike, kriteret e aplikimit, afatet dhe procedurat – nuk janë të qasshme në gjuhën që ata e kuptojnë, qytetarët nga komunitetet që komunikojnë në gjuhën serbe përjashtohen në mënyrë sistematike nga një proces që në thelb duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

Kjo jo vetëm që cenon parimin e barazisë së mundësive, por thellon edhe më tej pabarazitë ekzistuese midis komuniteteve në qasjen ndaj burimeve ekonomike dhe mbështetjes për zhvillimin e zonave rurale.

Çfarë zbuluam në faqen zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë?

“Rreth nesh”: Në seksionin e faqes që do të duhej të ofronte informacione bazë për këtë institucion, është vërejtur një mospërputhje serioze midis versioneve gjuhësore. Versioni në gjuhën serbe[3] është plotësisht bosh, për dallim nga ai në gjuhën shqipe[4] i cili përmban një përshkrim të detajuar të kompetencave dhe kornizës themeluese të institucionit.

Organogrami[5]: Në seksionin për organogramin, e gjithë skema është e paraqitur vetëm në gjuhën shqipe.

Drejtori Ekzekutiv: Versioni në gjuhën serbe i faqes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë nuk përmban asnjë informacion për drejtorin ekzekutiv, madje nuk ekziston as ndonjë kategori e veçantë për këto të dhëna. Në anën tjetër, versioni në shqip[6] ofron një përshkrim të plotë dhe të qasshëm për publikun.

Galeria e videove: Kategoria e aktiviteteve duket se nuk është e përditësuar në mënyrë të rregullt, pasi përmban vetëm disa materiale – dy në pjesën shqipe të faqes dhe një në atë serbe. Për më tepër, videoja e vetme e vendosur në versionin serb është ekskluzivisht në gjuhën shqipe – nga titulli deri te përmbajtja e saj.

Politika e privatësisë: Përdoruesit që dëshirojnë të informohen përmes këtij seksioni në gjuhën serbe nuk do të kenë mundësi ta bëjnë këtë, pasi përmbajtja në atë version të faqes mungon plotësisht. Në të kundërtën, versioni në gjuhën shqipe[7] përmban një dokument të detajuar me të gjitha informacionet përkatëse.

Raportet dhe publikimet: Edhe pse ekziston kategoria për raportet vjetore dhe publikimet në versionin serb të faqes, përmbajtja mungon – përveç titujve, nuk ka asnjë dokument shoqërues. Në të kundërtën, versioni në gjuhën shqipe[8] ofron dokumentacion të plotë dhe të detajuar për periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2025.

Kontakti: Ky është një nga shembujt më të dukshëm të shkeljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në versionin serb[9] të faqes nuk ekziston asnjë kontakt që do t’u mundësonte përdoruesve që komunikojnë në gjuhën serbe qasje në informacionet bazë. Në të kundërtën, në versionin shqip[10] janë të theksuara qartë të gjitha kontaktet relevante – përfshirë informacione mbi grantet, projektet, subvencionet, si dhe adresat e të gjitha zyrave rajonale në Kosovë.

Lajmet: Kategoria “Lajme” në faqen zyrtare tregon një disproporcion të theksuar në disponueshmërinë e përmbajtjes – në versionin në gjuhën shqipe[11] janë publikuar mbi 80 tekste që lidhen me aplikimet për projekte, njoftimet për afatet dhe programet në dispozicion, ndërsa në versionin serb[12] janë të pranishme vetëm tre lajme.

Departamentet: Kategoria “Departamentet” paraqet një tjetër shembull të qasjes selektive ndaj informacioneve. Në versionin në gjuhën serbe[13] kjo kategori është bosh – nuk përmban asnjë të dhënë. Ndërkaq, versioni në gjuhën shqipe[14] ofron informacion gjithëpërfshirës për drejtoritë përkatëse, rolet dhe përgjegjësitë e tyre në procesin e aprovimit dhe financimit të projekteve, si dhe të gjitha kontaktet përkatëse.

Legjislacioni: Edhe kjo kategori dëshmon për disproporcionin gjuhësor – numri i dokumenteve të publikuara nuk është i njëjtë në të dy versionet gjuhësore. Në versionin në gjuhën shqipe[15] janë të publikuara 38 dokumente, ndërsa në atë serb[16] vetëm 19.

Udhëzimet për aplikim[17]: Një tjetër shembull i trajtimit të pabarabartë dhe shkeljes së standardeve ligjore vërehet në kategorinë “Udhëzime për aplikim” që lidhet me grantet. Në versionin serb të faqes mungojnë dokumentet për vitet 2021 dhe 2016, ndërsa në përgjithësi numri i udhëzimeve në gjuhën serbe është dukshëm më i vogël krahasuar me versionin shqip. Udhëzimet e fundit në serbisht datojnë nga viti 2023, ndërkohë që në versionin shqip janë të disponueshme edhe dokumentet më të fundit për vitin 2024.

Formularët[18]: Situata është identike edhe në seksionin që ka të bëjë me formularët për aplikim. Në versionin në gjuhën serbe mungojnë dokumentet për vitet 2024 dhe 2015. Gjendje e ngjashme vërehet edhe në listën e dokumenteve – në versionin serb[19] mungojnë raportet për vitet 2024, 2016 dhe 2015.

Programet e veçanta: Kategoria “Programet e veçanta” është një tjetër shembull i mungesës së dokumenteve kyçe[20] në gjuhën serbe. Përveç titullit të kategorisë, në versionin serb nuk ekziston asnjë tekst shoqërues apo dokument i qasshëm. Në të kundërtën, në versionin shqip[21], të faqes janë të publikuara në mënyrë të rregullt dhe të detajuar dokumentet për periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2025. Situatë e njëjtë vërehet edhe në kategorinë “Lista”[22].

Grantet dhe subvencionet: Në këtë kategori vërehet qartë një disproporcion në numrin e dokumenteve të disponueshme në gjuhën serbe[23] dhe shqipe[24] dhe shqipe, gjë që tregon një qasje të pabarabartë ndaj informimit për qytetarët që komunikojnë në të dy gjuhët zyrtare.

Për vitin 2025, në versionin serb të faqes është i qasshëm vetëm një dokument, ndërsa në atë shqip janë publikuar tre. Gjatë vitit 2024, janë publikuar gjithsej gjashtë dokumente në shqip, krahasuar me katër në serbisht. Në vitin 2022, përdoruesit e versionit shqip kanë pasur në dispozicion tre dokumente, ndërsa në versionin serb vetëm një. Për vitin 2020, përmbajtja në gjuhën serbe mungon plotësisht, ndërkohë që në gjuhën shqipe janë të disponueshme dy dokumente. E njëjta situatë është vërejtur edhe për vitin 2017. Në vitin 2018, janë publikuar dy dokumente në gjuhën shqipe dhe vetëm një në serbisht.

Lista e pagesave: Mungesa e dokumenteve është dukshëm e pranishme edhe në këtë kategori. Në versionin serb[25] të faqes janë të publikuara dokumentet vetëm për vitin 2018, ndërsa në versionin shqip[26] dokumentet janë të paraqitura në mënyrë të rregullt për periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022.

Aplikimi për subvencione[27]: Sa i përket seksionit ku gjenden dokumentet për aplikim për subvencione të caktuara, është vërejtur mungesa e dokumentit për vitin 2022 në gjuhën serbe. E njëjta situatë përsëritet edhe për vitet 2018 dhe 2016.

Dokumentacioni për aplikim: Edhe në këtë kategori është vërejtur një pabarazi e theksuar në disponueshmërinë e informacionit në gjuhën serbe[28] dhe atë shqipe[29]. Në versionin shqip të faqes, dokumentet janë të qasshme dhe të publikuara në mënyrë të rregullt për çdo vit nga 2016 deri më 2025. Ndërkaq, në versionin serb janë të publikuara dokumente vetëm për katër vite – 2025, 2024, 2023 dhe 2018. Përveç mospërputhjes në sasi, problem shtesë paraqet edhe cilësia e përmbajtjes gjuhësore. Në dokumentet e disponueshme në gjuhën serbe është vërejtur përkthim shumë i dobët, gjë që e vështirëson më tej kuptimin dhe përdorimin e informacionit nga përdoruesit që komunikojnë në këtë gjuhë.

Lista e përfituesve: Kjo kategori përfaqëson një tjetër shembull të theksuar të pabarazisë në qasjen ndaj informacionit në gjuhët zyrtare. Në versionin shqip të faqes[30] dokumentet janë publikuar rregullisht për periudhën 2019–2024, ndërsa në versionin serb[31] përveç titullit të kategorisë nuk është i disponueshëm asnjë dokument.

Konkurset: Mungesa më e theksuar e dokumenteve në gjuhën serbe është vërejtur pikërisht në kategorinë që ka të bëjë me konkurset për punësim. Për vitin 2025, në versionin serb të faqes është publikuar vetëm një dokument, ndërsa në versionin shqip janë të qasshme dhjetëra konkurse. Për më tepër, analiza e përgjithshme e qasjes tregon një disproporcion shqetësues – numri i dokumenteve në gjuhën shqipe[32] është qindra herë më i madh krahasuar me ato në gjuhën serbe[33]. Përveç kësaj pabarazie sasiore, cilësia e dokumenteve në gjuhën serbe është jashtëzakonisht e dobët. Përkthimet[34] janë shpesh të palexueshme, me gabime të shumta drejtshkrimore dhe gjuhësore, gjë që e bën përdorimin e tyre të pavlefshëm. Gjithashtu, ndërsa dokumentet për konkurset në gjuhën shqipe janë të qasshme për dhjetë vitet e fundit, në versionin serb ato janë të disponueshme vetëm për gjashtë vjet.

 

Rrjetet sociale

Facebook[35]: Analiza e faqes zyrtare në Facebook të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë tregon mungesa serioze në komunikimin dygjuhësor. Emri i institucionit, si dhe përshkrimi hyrës i faqes, janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe, duke përjashtuar që në fillim përdoruesit që informohen në gjuhën serbe. Analiza e mëtejshme e përmbajtjes[36] ë postimeve tregon se informacionet kyçe – përfshirë thirrjet publike për subvencione dhe mbështetjen për bujqit – publikohen rregullisht vetëm në gjuhën shqipe, pa asnjë përkthim apo tekst shoqërues në gjuhën serbe. E njëjta praktikë vërehet edhe në përshkrimet[37] që shoqërojnë fotografitë brenda postimeve. Sa i përket përmbajtjes video, të vetmet materiale të disponueshme në gjuhën serbe janë dy video nga viti 2020: “Thirrje për aplikim për fermerët dhe ekonomitë bujqësore të Republikës së Kosovës[38]“ dhe “Thirrje për aplikantët për pagesa direkte – Programi për vitin”[39]. Të gjithë videot e tjerë janë publikuar ekskluzivisht në gjuhën shqipe.

YouTube[40]: Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës posedon një kanal zyrtar në YouTube, i cili është krijuar që në vitin 2015. Megjithatë, në këtë kanal nuk është publikuar asnjë material video.

X (ish-Twitter) dhe Instagram: Në faqen zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë gjenden ikonat dhe linket aktive që të çojnë drejt rrjeteve sociale X (ish-Twitter) dhe Instagram, duke sugjeruar se institucioni i përdor këto platforma për komunikim me publikun. Megjithatë, duke klikuar mbi këto lidhje, përdoruesi ridrejtohet në faqe të papranishme, përkatësisht, këto profile në fakt nuk ekzistojnë.

Pse është kjo e rëndësishme?

Siç kemi theksuar edhe në analizat tona të mëparshme, edhe ky vazhdim i fushatës sonë konfirmon se neglizhimi sistematik i gjuhës serbe nga institucionet e Kosovës përbën një problem serioz. Kjo praktikë pamundëson informimin e barabartë të komuniteteve jo-shumicë dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve[41].

Ky ligj përcakton qartë se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare të barabarta në Kosovë. Prandaj, vazhdimi i kësaj praktike shumëvjeçare të injorimit të problemit dhe heshtjes ndaj shkeljes së vazhdueshme të të drejtave gjuhësore nënkupton mohimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të përkatësisë serbe dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë që mbështeten në informacionin në gjuhën serbe për të pasur qasje të barabartë në informatat me rëndësi publike.

Prandaj është e domosdoshme që në vend të praktikës së përdorimit të përkthyesve të pakualifikuar apo përkthimeve automatike përmes Google Translate, të angazhohen përkthyes të kualifikuar, të cilët do të sigurojnë përkthim cilësor dhe të qartë të përmbajtjes në gjuhën serbe. Me vendosjen e një sistemi funksional për përkthim, do të mundësohet qasje e papenguar në informacionet me rëndësi publike dhe, ajo që është edhe më e rëndësishme, institucionet do të dëshmojnë në praktikë përkushtimin e tyre për respektim të plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut – të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.[42]

Ndërkohë që organizatat joqeveritare, me burime të kufizuara, sigurojnë në mënyrë të rregullt prezantim tresh gjuhësor të aktiviteteve të tyre, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (nën të cilën funksionon Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë), e cila ka disponuar një buxhet prej 35,968,168[43] euro për vitin 2022, padyshim ka pasur mjete të mjaftueshme për të siguruar përkthim adekuat në gjuhën serbe.

Prandaj e ftojmë Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë që në afatin më të shkurtër të mundshëm të fillojë procesin e harmonizimit të versioneve gjuhësore të informatave të publikuara në faqen e saj zyrtare dhe në rrjetet sociale, duke mundësuar kështu qasje të barabartë në informacionet kyçe në të dy gjuhët zyrtare.

Edhe kësaj here, i bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të heqë dorë nga angazhimet deklarative për respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe të urdhërojë institucionet përkatëse që të harmonizojnë standardet gjuhësore në të gjitha nivelet e përcaktuara me ligj.

Njëkohësisht, edhe një herë i bëjmë apel Zyrës së Komisionerit për Gjuhët që të fillojë zbatimin e dispozitave ligjore brenda kompetencave të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një mjedisi institucional që respekton obligimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbrojtjen, promovimin, ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Përsëri inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen në mënyrë aktive në këtë proces dhe të raportojnë të gjitha parregullsitë gjuhësore të vërejtura institucioneve kompetente, siç janë Zyra e Komisionerit për Gjuhët (zkgj.kpj@gmail.com) dhe Zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org). Po ashtu, ftojmë qytetarët që, nëse hasin në ndonjë shkelje gjuhësore, të kontaktojnë OJQ Aktiv (office@ngoaktiv.org) dhe t’i bashkohen apelit tonë për respektimin e standardeve të përcaktuara me ligj nga ana e institucioneve kompetente.

 

[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf

[3] https://azhb-rks.net/sr/misija-i-vizija

[4] https://azhb-rks.net/sq/misioni-dhe-vizioni

[5] https://azhb-rks.net/sr/organogram

[6] https://azhb-rks.net/sq/drejtor-ekzekutiv

[7] https://azhb-rks.net/repository/docs/2024_02_08_080722_Politikat_e_Privatesise_per_AZHB-ne.pdf

[8] https://azhb-rks.net/sq/raporte-dhe-publikime

[9] https://azhb-rks.net/sr/kontakt

[10] https://azhb-rks.net/sq/kontakti

[11] https://azhb-rks.net/sq/lajme

[12] https://azhb-rks.net/sr/vesti

[13] https://azhb-rks.net/sr/departmani

[14] https://azhb-rks.net/sq/drejtoratet

[15] https://azhb-rks.net/sq/legjislacioni

[16] https://azhb-rks.net/sr/zakonodavtsvo

[17] https://azhb-rks.net/sr/uputstvo-za-aplikanta

[18] https://azhb-rks.net/sr/formulari-za-apliciranje-obrazac-pokazatelja/?dy=2023

[19] https://azhb-rks.net/sr/podnetih-dokumenata

[20] https://azhb-rks.net/sr/izbor-izvestaji

[21] https://azhb-rks.net/sq/raportet-e-perzgjedhjes-listat-e-vleresimit-te-pzhr-se

[22] https://azhb-rks.net/sr/spisak-30

[23] https://azhb-rks.net/sr/direktna-placanja/?dy=2025

[24] https://azhb-rks.net/sq/njoftim-31/?dy=2025

[25] https://azhb-rks.net/sr/zahtev-za-placanje-i-kontrolnu-listu

[26] https://azhb-rks.net/sq/lista-e-autorizuar-per-pagese-85

[27] https://azhb-rks.net/sr/poziv-za-aplikacije-69/?dy=2025

[28] https://azhb-rks.net/sr/formulari-za-apliciranje/?dy=2025

[29] https://azhb-rks.net/sq/dokumentet-e-nevojshme-dhe-kriteret-e-aplikimit

[30] https://azhb-rks.net/sq/lista-e-perfituesve/?dy=2024

[31] https://azhb-rks.net/sr/spisak

[32] https://azhb-rks.net/sq/shpallje/?dy=2025

[33] https://azhb-rks.net/sr/oglasi/?dy=2025

[34] https://azhb-rks.net/repository/docs/2025_01_30_084336_Konkurs_-_Per_plotesimin_e_vendeve_te_punes_-_Nenpunes_teknik_dhe_mbeshtetes.pdf

[35] https://www.facebook.com/profile.php?id=100068950608434

[36] https://www.facebook.com/profile.php?id=100068950608434

[37] https://www.facebook.com/profile.php?id=100068950608434&sk=photos

[38] https://www.facebook.com/501164426723868/videos/725245018314010

[39] https://www.facebook.com/501164426723868/videos/774148223393148

[40] https://www.youtube.com/channel/UCQEwdvY6gao6-PiUg5Lmvwg

[41] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[42] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski

[43] https://mbpzhr.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/12/Bujqesia_e_Kosoves_ne_Numra_2023.pdf

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd