Lufta e përbashkët kundër korrupsionit: U prezantua “Doracaku për Parandalimin e Korrupsionit“

U prezantuan udhëzimet me hapa konkretë për forcimin e integritetit dhe përgjegjshmërisë së institucioneve në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. U theksua rëndësia e bashkëpunimit mes qytetarëve, institucioneve dhe shoqërisë civile për një shoqëri më transparente.

Më 16 janar, në Mitrovicën e Veriut, organizuar nga OJQ Aktiv, u prezantua “Doracaku për Parandalimin e Korrupsionit“, i hartuar në bashkëpunim me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe partnerë të tjerë, me mbështetjen e Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Zbatimin e Ligjit (INL) dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Në këtë ngjarje folën Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i OJQ Aktiv, Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Sanja Vukoviq, aktiviste dhe profesoreshë, si dhe Dušan Radakoviq nga Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC). Pjesëmarrës ishin përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve lokale dhe ndërkombëtare, si dhe aktivistë.

Siç theksuan autorët, doracaku përmban hapa konkretë dhe rekomandime për institucione, organizata dhe individë me qëllim të uljes së korrupsionit dhe forcimit të etikës në punë.

Drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Milliqeviq, shpjegoi se doracaku është menduar si model për përmirësimin e mekanizmave të luftës kundër korrupsionit, duke u fokusuar në bashkëpunimin me institucione kyçe si Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi. „Doracaku erdhi si nevojë për të krijuar një model që përfshin segmente të caktuara të luftës kundër korrupsionit. Përmban disa nga elementët kryesorë që synojnë të adresojnë anomalitë shoqërore që lidhen me veprimet korruptive,“ tha Miliqeviq.

Aktivistja Sanja Vukoviq theksoi se korrupsioni është „sëmundje e rëndë shoqërore“ që dëmton të gjitha segmentet e komunitetit. Si autore, ajo shpjegoi se Doracaku ofron udhëzime si për institucionet, ashtu edhe për shoqërinë civile dhe qytetarët, duke nënvizuar rëndësinë e definimit të asaj që është dhe çfarë nuk është korrupsion. „Doracaku mbështetet në konventa ndërkombëtare dhe kuadrin ligjor vendas, por apelojmë për hartimin e një strategjie kombëtare për luftën kundër korrupsionit,“ tha Vukoviq, duke shtuar se është përcaktuar qartë roli i të gjithë aktorëve, përfshirë edhe sinjalizuesit.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi se parandalimi i korrupsionit është detyrë e përbashkët e të gjithëve – institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve. „Korrupsioni rrezikon drejtësinë dhe demokracinë, dhe përmes këtij doracaku ofrojmë mjete për një qeverisje të drejtë,“ tha Buleshkaj. Duke cituar Platonin dhe Ciceronin, ai theksoi pasojat e thella të korrupsionit për shoqërinë. „Për shembull, Platoni ka thënë se korrupsioni është një sëmundje që shkatërron shpirtin e shoqërisë, ndërsa Ciceroni tha se nuk ka armik më të madh për një shoqëri se korrupsioni. Prandaj mund të themi se nuk ka ndonjë fenomen tjetër që mund të dëmtojë më shumë drejtësinë dhe demokracinë se korrupsioni,“ tha Buleshkaj.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Avokimin e Kulturës Demokratike, Dushan Radakoviq, theksoi sfidat e përditshme në luftën kundër korrupsionit. „Korrupsioni do të ekzistojë gjithmonë, por qytetarët duhet të japin kontributin e tyre për të rritur transparencën dhe integritetin e institucioneve,“ tha Radakoviq, duke shtuar se mekanizmat e sofistikuar në Kosovë ofrojnë mundësi për përmirësimin e luftës.

Në ngjarje u theksua edhe aplikacioni ABER, një platformë dixhitale për raportimin e korrupsionit, që u lehtëson qytetarëve raportimin e rasteve dhe kontribuon në transparencë më të madhe.

Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe nënvizuan nevojën për të vazhduar luftën e përbashkët kundër korrupsionit, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Përmirësimi i transparencës dhe sundimit të ligjit në komunitetet me shumicë serbe“, i zbatuar nga OJQ AKTIV dhe Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC), në bashkëpunim dhe mbështetje të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me mbështetjen financiare të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Zbatimin e Ligjit (INL) dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Doracakun e plotë mund ta gjeni KËTU.

.

.

.

 

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd