Letër lidhur me sulmet nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës (ZKM dhe Kryenegociatori z. Besnik Bislimi, Zëvendës Ministri i Pushtetit dhe Administratës Lokale z. Arbër Vokrri dhe partisë Lëvizja Vetëvendosje!)
Lidhur me sulmet sistematike dhe të orkestruara nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vizitën tonë në Bruksel javën e kaluar, ne, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, deklarojmë si në vijim:
Organizatat tona kanë vite që punojnë individualisht dhe së bashku për të ndërtuar ura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe për të promovuar pajtimin dhe tolerancën ndëretnike në Kosovë. Në aktivitetet tona, ne gjithmonë kemi avokuar për paqen dhe kemi dënuar publikisht të gjitha format e dhunës në Kosovë, qofshin ato nga pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës apo nga institucionet e Kosovës. Rezultatet e punës sonë janë gjerësisht të njohura për publikun dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për to.
Organizatat tona mbështesin në mënyrë aktive procesin e dialogut, i cili zhvillohet nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, që ishte, ndër të tjera, arsyeja e vizitës sonë në Bruksel. Gjatë kësaj vizite kemi prezantuar rezultatet e analizave dhe qëndrimet që i shprehim çdo ditë në publik lidhur me situatën shqetësuese në të cilën ndodhet komuniteti serb në Kosovë. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare, siç patëm rastin ta dëgjojmë në Bruksel.
Puna e organizatave tona është në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo është e pavarur nga çdo strukturë shtetërore, qoftë nga Prishtina, Beogradi apo diku tjetër. Akuzat se ne jemi “propagandistët milioner të Vuçiqit” dhe se marrim udhëzime nga presidenti serb, apo dikush tjetër, janë gënjeshtra të krijuara për të na trembur, për të na ekspozuar ndaj linçimit publik dhe për të parandaluar bashkëpunimin e mëtejshëm me partnerë nga komunitete të ndryshme etnike në Kosovë.
Disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përmes shënjestrimin e tyre ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile, e ekspozojnë mospëlqimin e tyre ndaj kritikave konstruktive dhe mosgatishmërisë së tyre për t’u angazhuar në dialog.
Duke pasur parasysh se kryeministri Albin Kurti me krenari thekson se shkalla e lartë e demokracisë është ndër arritjet më të mëdha të historisë moderne të Kosovës, ne e ftojmë atë që publikisht të distancohet nga sulmet diskriminuese dhe të bazuara në gënjeshtra të drejtuara ndaj nesh nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale Arbër Vokrri.
Sinqerisht,
Jovana Radosavleviq, Nisma e re sociale
Dragisha Mijaçiq, InTER
Miodrag Miliqeviq, OJQ Aktiv