Në Kosovë ende rreth 1.600 persona figurojnë si të zhdukur. Këto nuk janë vetëm shifra, por histori të pathëna, varre të pa hapura dhe jetë të papërfunduara. Nevojiten hapa konkretë drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ky ishte mesazhi i konferencës “Rrugët drejt zgjidhjes: Familjet dhe shoqëritë që përballen me trashëgiminë e të zhdukurve“, të mbajtur më 25 shtator 2025, në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut, në organizim të OJQ Aktiv, Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur dhe Pro Peace Kosovo.

Takimi mblodhi familaret e të zhdukurve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare. Pjesëmarrësit theksuan se është e domosdoshëm një qasje e përbashkët, transparente dhe ndërsektoriale, në mënyrë që të përshpejtohen identifikimet dhe gërmimet, të forcohet besimi dhe të përfundojë praktika e vendimmarrjes pas dyerve të mbyllura.

Drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Miliqeviq, në fjalën hyrëse tha se çështja e të zhdukurve është një nga sfidat më të mëdha të sotme, duke theksuar se ata nuk janë vetëm numra, por pasiguri e gjatë e familjeve.

“Institucionet që merren me këtë çështje çdo ditë përballen me sfida serioze: mungesë burimesh, shkëmbim të ngadaltë dhe jo të mjaftueshëm transparent të informacionit, si dhe pengesa në bashkëpunimin ndërinstitucional. Aktorët ndërkombëtarë, si edhe institucionet në Prishtinë dhe Beograd, duhet të tregojnë më shumë përkushtim dhe energji operative që procesi të përshpejtohet dhe të bëhet transparent. Detyra jonë është të mos lejojmë që kjo çështje të bjerë në harresë dhe të punojmë së bashku për të arritur të vërtetën dhe drejtësinë.“

Koordinatorja e Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur në Prishtinë, Natasha Bozhilloviq, theksoi se të drejtat e familjeve janë ende të cenuara. “Detyra jonë kryesore është të mbrojmë të drejtat e familjeve të të zhdukurve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare, dhe të sigurojmë që ato të kenë qasje në informata.“

Ajo shtoi se, edhe pas më shumë se njëzet vitesh nga përfundimi i luftës, familjet përballen me mungesë informacioni, duke u mohuar kështu e drejta për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Është e pabesueshme, por e vërtetë, pas gjithë këtyre viteve familjeve ende u mungojnë informacionet më elementare për fatin e më të dashurve të tyre. Për këtë arsye ne organizojmë takime të tilla nëpër komuna të ndryshme në Kosovë, për t’u dhënë familjeve mundësinë të marrin informacione dhe të takohen drejtpërdrejt me institucionet që merren me këtë çështje. Ky proces nuk duhet të mbetet vetëm në Prishtinë apo Beograd, por duhet të jetë i pranishëm aty ku jetojnë familjet dhe ku presin përgjigje.“

Drejtori i Pro Peace Kosovo, Nehari Shari, kujtoi se kjo organizatë për mbi dy dekada ka mbështetur familjet dhe ka nxitur bashkëpunimin e shoqatave shqiptare dhe serbe.
“Fokusi ynë kryesor është ballafaqimi me të kaluarën, dhe në qendër të këtij procesi është pikërisht çështja e personave të zhdukur. Kemi organizuar trajnime, aktivitete përkujtimore dhe takime familjesh, sepse besojmë se ky është i vetmi mënyrë për të hapur hapësirë për dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë.“

Zëvendësdrejtori i Qendrës Burimore, Negovan Mavriq, foli për përvojën e tij personale, pasi vëllai i tij u zhduk në vitin 1999. “Të jetosh në një familje ku mungon një person është dhimbje që nuk shërohet kurrë. Nuk do t’ia dëshiroja as armikut tim më të madh. Kur mungon një njeri në shtëpi, ajo është plagë e përhershme. Vëllai im u rrëmbye pas luftës, kur menduam se gjithçka kishte përfunduar, por tragjedia vazhdoi.“

Ai kujtoi edhe rastin e Bajram Çerkinajt, ish-drejtor i Qendrës Burimore, i cili deri në fund të jetës kërkoi djalin e tij. “Të luftosh 27 vjet dhe të vdesësh pa e mësuar fatin e fëmijës tënd është një barrë që asnjë familje nuk duhet ta mbajë. Ai luftoi për të gjithë të zhdukurit, pa dallim kombësie apo feje.“

Mavriq shtoi se mungon përgjegjësia institucionale, ndërsa familjet kërkojnë vetëm të dinë ku janë eshtrat e më të dashurve të tyre dhe t’i varrosin me dinjitet. Ai përmendi se është duke u verifikuar një lokacion pranë Novi Pazarit si vend i mundshëm i një varreze masive.

“Besoj se asnjë familje nuk ka dijeni për këtë, pavarësisht se të kujt janë trupat. Gjithçka mbahet jashtë publikut, ndoshta për arsye politike. Për ne familjet, më e rëndësishmja është që kërkojmë ende, ndërsa politikanët duket se nuk preken nga kjo dhimbje.“

Shefja e ekipit të mjekësisë ligjore të EULEX-it, Luisa Marinho, theksoi se kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur janë dy aspekte të pandashme dhe shumë të vështira të të njëjtit proces.

“Ekipi ynë punon me ekspertët kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sfida e parë është qasja në informata pas kaq shumë vitesh, të gjenden dëshmitarë apo persona që mund të japin të dhëna të vlefshme, por kujtimet zbehen me kohën. Ka edhe sfida të terrenit, peizazhi i ndryshuar, vendet e fshehura ose të mbuluara, gjë që e vështirëson kërkimin. Pastaj, sfidë tjetër është identifikimi, shpesh mbetjet nuk janë në gjendje të mjaftueshme për të nxjerrë ADN. Pa ADN është e vështirë të përcaktohet identiteti. Për këtë arsye është thelbësore që edhe familjet të japin mostra, sepse pa to procesi është pothuajse i pamundur.“

Drejtori i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, Sasha Iliq, kujtoi përpjekjet e para për dokumentimin e të zhdukurve në vitet 1999 dhe 2000.

“Atëherë regjistronim aplikimet e familjeve. Rreziqet ishin të mëdha, liria e lëvizjes pothuajse nuk ekzistonte, ndërsa familjet shpesh kërkonin vetë të vërtetën, ndonjëherë edhe me dëshmi të rreme dhe humbje financiare. Kuptuam se ishte e nevojshme një organizatë më e fortë joqeveritare, me karakter ndërkombëtar, për të mbrojtur familjet.“

Ai shtoi se, edhe pas 26 vitesh, gjurmët zbehen dhe dëshmitarët humbin durimin, por familjet vazhdojnë të këmbëngulin.

“Më e rëndësishmja është të kuptojmë se tragjedia e të zhdukurve nuk i përket vetëm një komuniteti. Ajo është e përbashkët, e serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve. Vetëm nëse e pranojmë këtë, mund ta mbyllim këtë kapitull me dinjitet. Humanizmi duhet të jetë përpara politikës.“

Në konferencën në Mitrovicën e Veriut u vlerësua se çështja e të zhdukurve mbetet plagë e hapur dhe një nga sfidat kryesore për rajonin. Familjet kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, ndërsa shoqëria civile dhe aktorët ndërkombëtarë theksojnë nevojën për më shumë transparencë dhe vullnet politik. U theksua se pa përgjigje të qarta nga institucionet në Beograd dhe Prishtinë, si dhe pa presion më të madh ndërkombëtar, procesi nuk do të përparojë.

Familjet e të zhdukurve thanë se çdo trup i gjetur dhe i identifikuar sjell një grimë qetësie. Por derisa kjo të ndodhë, barra e pasigurisë vazhdon të rëndojë mbi jetët e tyre. Prandaj, çështja e të zhdukurve duhet të mbetet prioritet, e jo një temë e shtyrë anash dhe monedhë shkëmbimi në negociatat politike.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd