Në lidhje me shkrimet e publikuara në mediat Gazeta Express (në gjuhën shqipe) me titull: “Ekskluzive: Kjo është serbja që spiunonte për Listën Serbe…” dhe në Kosova Info (në gjuhën boshnjake) me titull: “Ka punuar për EULEX-in, UNMIK-un: Kjo është serbja nga Mitrovica e Veriut që ka spiunuar për Listën Serbe…”, ku pa asnjë bazë apo kontekst përmendet emri i Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i OJQ Aktiv, në mënyrë më të ashpër dënojmë këto pretendime dhe duam t’i sqarojmë opinionit publik këto fakte:

Miodrag Miliqeviq asnjëherë nuk ka qenë anëtar i ekipit menaxhues për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ZSO), siç thuhet në mënyrë të pasaktë në tekstin e publikuar nga Kosova Info, dhe as që ka ndonjë lidhje me rastin e përmendur në këto artikuj. Emri i tij, ashtu edhe ai i organizatës OJQ Aktiv, lidhen me qëllim dhe pa prova me persona të dyshuar për spiunazh, gjë që paraqet përpjekje për të dëmtuar integritetin e tij personal dhe profesional, si dhe kredibilitetin e organizatës që ai përfaqëson.

Këto sulme nuk janë incidente të izoluara. Ato përfaqësojnë një fushatë të vazhdueshme shpifjeje dhe diskreditimi që zgjat prej vitesh. OJQ Aktiv dhe drejtori i saj ekzekutiv kanë qenë edhe më parë në shënjestër të mediave tabloide dhe viktima të lajmeve të rreme, për të cilat disa media janë sanksionuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe janë ngritur padi penale për përhapje të pavërtetën dhe manipulim të opinionit publik.

Publikimi i informacioneve të paverifikuara dhe të pasakta nga Gazeta Express, Kosova Info dhe kryetari i Bordit të ashtuquajtur “Instituti Oktopus” përbën shkelje serioze të përgjegjësisë profesionale dhe etike të gazetarisë, si dhe cenim të të drejtës për mbrojtje të nderit dhe reputacionit. Në vend që të shërbejnë interesit publik, përmbajtje të tilla kontribuojnë në destabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe sabotojnë përpjekjet shumëvjeçare të shoqërisë civile për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Për të gjitha sa u përmendën, OJQ Aktiv do të ndërmarrë procedura penale kundër mediave dhe individëve të përmendur, në mënyrë që të sigurohet përgjegjësia institucionale për gazetarinë jo profesionale, jo etike dhe të dëmshme që cenon të drejtat themelore të individëve dhe integritetin e organizatave të shoqërisë civile.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të gjitha mediave në Kosovë që të respektojnë me përpikëri Kodin e Etikës dhe të gazetarisë profesionale. Publiku ka të drejtë të informohet në mënyrë të saktë, të verifikuar dhe relevante, jo përmes konstrukteve të motivuara politikisht dhe propagandistike. Veçanërisht është e rrezikshme kur përmes raportimeve të tilla targetohen individë dhe organizata që prej vitesh kontribuojnë në dialog, demokraci dhe sundim të ligjit, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve serioze për sigurinë.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd