Lidhur me pretendimet dashakeqe dhe ofenduese të Nebojsha Joviqit, të publikuara në profilin e tij personal në Facebook, përmbajtja e të cilit është publikuar edhe në portale të caktuara, dhe në lidhje me debatin e paralajmëruar të “Lëvizjes për Mbrojtjen e KeM”, OJQ Aktiv njofton se nuk lidhet në asnjë mënyrë me anulimin e ngjarjeve të paralajmëruara.
Për më tepër, do të ishte naive të besohej se një organizatë joqeveritare lokale ka kompetenca ekzekutive ose një mandat për të miratuar ose ndaluar tubimet politike, ose ndonjë ngjarje të natyrës publike. Në këtë kuptim, akuza të tilla kundër organizatës sonë janë para së gjithash në shërbim të maskimit të arsyeve reale të anulimit të debatit në fjalë.
Pa hyrë në detaje apo motivet e deklaratës së publikuar, nuk ka arsyetim për etiketimin e organizatës dhe individëve nga OJQ Aktiv, e cila që nga themelimi i saj gjithmonë ka avokuar për një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm në veri por edhe më gjerë. Prandaj, nuk e fshehim zhgënjimin tonë me këtë lloj sjelljeje dhe etiketim publik, të cilat në çdo kuptim e kalojnë kufirin e mirësjelljes elementare. Në të njëjtën kohë, paralajmërojmë se ky është një lloj shënjestrimi i një individi që mund të çojë në rrezikimin e sigurisë fizike.
Është e qartë se kjo retorike është kryesisht karakteristikë e një konfrontimi midis konkurrentët politikë, në të cilin OJQ Aktiv, por as Miodrag Milliqeviq, nuk kanë qenë dhe as do të jenë pjesë e një mjedisi të tillë. Veçanërisht theksojmë se OJQ Aktiv asnjëherë nuk ka përkrahur dhe as do të mbështesë asnjë tubim politik dhe do të përpiqet ta mbajë fokusin dhe energjinë në tema me interes më të gjerë shoqëror.
Pa dëshiruar të vazhdojmë ndonjë diskutim të mëtejshëm publik mbi këtë temë, përmendja e organizatës dhe drejtorit ekzekutiv të saj në një kontekst jashtëzakonisht negativ dhe tabloid është, për të thënë, më së paku nënçmuese dhe do t’i nënshtrohet vlerësimit të mëtutjeshëm nga këshilltarët ligjorë të OJQ Aktiv për hapat e mëtejshëm të mundshëm me qëllim të mbrojtjes së integritetit të organizatës dhe personin.
OJQ Aktiv,
8 Mars 2023, Mitrovicë