Organizata joqeveritare Aktiv njofton opinionin publik se Këshilli i Mediave të Shkruara të
Kosovës ka konfirmuar shkeljen e standardeve themelore profesionale të gazetarisë, përfshirë
raportimin e vërtetë si dhe të drejtën për përgjigje nga ana e disa mediave në gjuhën shqipe, në
lidhje me artikullin me titull “Kuçi: Në veri po zhvillohet një luftë hibride për të dobësuar
institucionet e Kosovës”, të publikuar më 18 maj 2025.
Siç u njoftua nga KMShK: “KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e OJQ Aktiv kundër
Kosovapress.com, Telegrafi.com, Botasot.info, Njeshi.com dhe Diasporashqiptare.al për
shkrimin me titull “Kuçi: Në veri po bëhet luftë hibride për të dobësuar institucionet e Kosovës”,
duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të
cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, por jo
edhe Kapitulli III, i cili ka të bëjë me nxitjen dhe gjuhën e urrejtjes, siç pretendon pala ankuese.”
E mirëpresim vendimin e KMShK për të konstatuar shkeljen e së drejtës për informim të vërtetë
dhe të drejtën për përgjigje. Njëkohësisht, theksojmë se përmbajtja e tekstit të kontestuar
përmban pretendime serioze, të pabazuara dhe nxitëse nga Gurakuç Kuçi nga “Instituti për
Luftë Hibride Oktopus”, me të cilat organizata jonë, pa asnjë prove, lidhet me “luftën hibride”,
terrorizmin dhe delegjitimimin e Policisë së Kosovës. Veçanërisht e rrezikshme është aludimi se
OJQ Aktiv ka lidhje me përplasjen e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Edhe pse KMShK nuk ka konstatuar shkelje të Kapitullit III për gjuhën e urrejtjes, ne besojmë se
deklaratat e përmendura përbëjnë një formë linçimi shoqëror dhe institucional, me pasoja
potencialisht serioze për sigurinë e anëtarëve të organizatës sonë dhe për integritetin tonë
profesional.
Kujtojmë se mediat janë të obliguara të veprojnë në përputhje me standardet profesionale dhe
etike të gazetarisë, të raportojnë në mënyrë të vërtetë, të verifikuar dhe të përgjegjshme, duke
respektuar dinjitetin e të gjithë akterëve. Liria e shprehjes nuk mund e nuk duhet të shërbejë si
justifikim për përhapjen e dezinformatave, targetimin e individëve dhe minimin e besimit në
shoqërinë civile.
Vendimi i KMShK është i disponueshëm në faqen zyrtare të Këshillit:
Serbisht: https://tinyurl.com/2759w2wb
Shqip: https://tinyurl.com/3w6853th