KFOR-I DUHET TË MARRË PËRGJEGJËSINË DHE TË SIGUROJË MBIKËQYRJE EFEKTIVE TË SIGURISË NË VERI TË KOSOVËS

Më 16 tetor 2025 është regjistruar një incident ku pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë në territorin e veriut të Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës e ka arsyetuar rastin si “njësi që ka humbur rrugën”. Një shpjegim i tillë është i papranueshëm dhe ngjall shqetësim serioz tek qytetarët, pasi tregon mungesë të thellë të kontrollit institucional dhe transparencës në fushën e sigurisë.

Kujtojmë se nuk është hera e parë që pjesëtarë të FSK-së hyjnë në veri të Kosovës me arsyetime të dyshimta, gjë që e thellon ndjesinë e pasigurisë në mesin e popullatës lokale dhe tregon për dështime sistematike në mbikëqyrjen dhe koordinimin e strukturave të sigurisë, si dhe për politizim të mëtejshëm të institucioneve të sigurisë.

Sipas dispozitave të vlefshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe mandatit të përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, KFOR-i ka përgjegjësinë kryesore për të mbikëqyrur dhe garantuar regjimin e sigurisë në veri të Kosovës. Ngjarja e sotme tregon qartë se kapacitetet aktuale operative dhe modeli i pranisë së KFOR-it nuk janë të përshtatura me rreziqet reale të sigurisë dhe me dinamikën në terren.

Mungesa e reagimit adekuat dhe mbikëqyrjes nga ana e KFOR-it vë në dyshim besimin e qytetarëve në garancitë ndërkombëtare të sigurisë dhe krijon tensione shtesë në një ambient tashmë të brishtë të sigurisë.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje KFOR-it që të:

• marrë përgjegjësinë e plotë për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të sigurisë në veri të Kosovës;
• rrisë praninë fizike dhe operative të njësive të tij në komunat veriore;
• vendosë mekanizma të qartë parandalues për të shmangur çdo aktivitet të paautorizuar të formacioneve të armatosura, përfshirë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, në këtë pjesë të territorit.

Shoqëria civile nga veriu i Kosovës pret nga KFOR-i një qasje më të vendosur, më të përgjegjshme dhe më të dukshme ndaj mandatit të tij, sepse stabiliteti dhe siguria nuk mund të mbështeten në “njësi të humbura rrugës” dhe arsyetime politike, por në besim, profesionalizëm dhe zbatim të qëndrueshëm të detyrimeve ndërkombëtare.

Nënshkruesit:

Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative
OJQ Aktiv
Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike
Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial
Nisma e Re Shoqërore

NGO AKTIV Mitrovica