Hulumtimi tregoi pesimizëm në rritje në komunitetin serb në Kosovë

Më 26 shkurt 2024, organizata joqeveritare Aktiv prezantoi publikimin “Analiza e Trendit 2023: Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” në Prishtinë, i cili merret me hulumtimin e ndryshimeve në qëndrimet dhe perceptimet e komunitetit serb në Kosovë, për çështjet më të rëndësishme socio-politike.

Shqetësim i thellë dhe pakënaqësi e madhe e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë. Kjo është gjetja kryesore e Analizës së Trendeve për vitin 2023, e cila gjithashtu tregoi se është shënuar një shkallë më e lartë pesimizmi krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme, si pasojë e frikës në rritje për një konflikt të mundshëm të hapur.

“Është vërejtur një përkeqësim i dukshëm në të gjitha segmentet, nga marrëdhëniet ndëretnike e deri te perceptimi i situatës së sigurisë. Rritja e frikës nga konflikti dhe tensioni politik kanë rezultuar në pesimizëm të thellë brenda komunitetit serb, veçanërisht në lidhje me pritjet për të ardhmen dhe ndjenjën e përgjithshme të sigurisë”, tregon Analiza e Trendit e OJQ-së Aktiv.

Ngjarje të tilla si dialogu i dështuar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve kanë shkaktuar shqetësime serioze, të cilat mund të kenë pasoja negative afatgjata për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimin ndër-komuniteti. Ekziston një ndjenjë në rritje e pasigurisë dhe mosbesimit në komunitetin serb, gjë që e vështirëson dinamikën politike dhe shoqërore.

Sipas Analizës së Trendit, pothuajse 95.5% e të anketuarve shprehin shqetësim të thellë për situatën aktuale në Kosovë, duke konsideruar se situata nuk po shkon në drejtim të mirë. Rreth 57.1% e të anketuarve besojnë se jeta e serbëve në Kosovë do të jetë më e keqe për tre vjet.

Kur bëhet fjalë për problemet e identifikuara, 69.2% e të anketuarve theksojnë jostabilitetin politik si sfidën kryesore në Kosovë. Është e rëndësishme të theksohet se 88.9% e të anketuarve nga veriu i Kosovës pohojnë se ata ose anëtarët e familjes së tyre janë kërcënuar drejtpërdrejt.

Për sa i përket besimit te liderët politikë, i cili është vendimtar për mbijetesën dhe prosperitetin e komunitetit, veçanërisht në shoqëritë me pasoja të konflikteve të luftës, Analiza tregoi një rekord prej 83.6% të të anketuarve që deklaruan se nuk ka asnjë politikan apo parti politike të cilës i besojnë. Në këtë drejtim, duhet theksuar se banorët e veriut të Kosovës shprehin besim veçanërisht të ulët në Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.

Kur bëhet fjalë për rolin ndërkombëtar, 56.9% e të anketuarve besojnë se Rusia është mbrojtja më e mirë e interesave të serbëve në Kosovë. 18.9% e të anketuarve besojnë se Asociacioni i komunave serbe do të formohet, ndërsa 40.5% konsiderojnë se formimi i Asociacionit është më e pranueshme për serbët e Kosovës. Në të njejtën kohë, 14.8% e të anketuarve mbështesin idenë e demarkacionit.

Gjetjet e Analizës së Trendit nxjerrin në pah një shqetësim të përgjithshëm për çështjet e pazgjidhura siç është formimi i Asociacionit te komunave serbe dhe apatia ndaj mundësive për një zgjidhje afatgjatë që do të ofronte mbrojtjen e nevojshme.

Prandaj, rekomandimi kryesor është domosdoshmëria e një qasjeje të re dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës, e cila do të fokusohej në mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit serb në Kosovë.

“Politika dhe vendimmarrësit duhet të kuptojnë këto si një inkurajim për masa urgjente për të përmirësuar përputhjen institucionale me ligjet që mbrojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe përmirësojnë standardet e tyre të jetesës”, thuhet në Analizën e Trendit.

Publikimi mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).

Analiza e trendit është në dispozicion në tri gjuhë, serbisht, shqip dhe anglisht.

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd