Diskutimi: Kemi nevojë për më shumë gazetarinë hulumtuese për korrupsionin

Më 6 dhjetor në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut u mbajt një panel diskutimi me temën “Lufta kundër korrupsionit në komuna me shumicë serbe nga këndvështrimi i gazetarëve nga media Serbe në Kosovë”.

Në këtë diskutim, organizuar nga OJQ Aktiv dhe OJQ ACDC, morën pjesë gazetarë, përfaqësues të shoqerisë civile, politikanë dhe qytetarë.

Drejtori i RTV Mir në Leposaviq, Nenad Radosavleviq, ka deklaruar se ka një numër të madh tregues  alarmues të korrupsionit, ryshfetit dhe krimit në komunitetet serbe në Kosovë. Sipas Radosavleviqit, për shkak të një numri të madh të veprimeve korruptive në komunën e Leposaviqit gjatë periudhës 2013-2017, qytetarëve u janë bërë dëme të mëdha.

“Deri më sot askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë përvetësim parash. Përgjegjësinë për korrupsionin nuk e kanë vetëm pushteti vendor, por edhe institucionet që nuk marrin masat e duhura. Ka një reagim joadekuat të organeve kompetente, duke përfshirë mungesën e interesimit të institucioneve të Kosovës për luftimin e korrupsionit në komunat serbe”, tha Radosavleviq.

Kryeredaktori i Radio Gorazhdevcit, Darko Dimitrijeviq, dëshmon se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha segmentet e shoqërisë në Kosovë. Ai theksoi se në këtë aspekt korrupsioni nënkupton dhënien e parave, shërbimeve, fitimeve, përfitimeve për biznese personale partiake apo ndonjë interes tjetër.

“Shoqëria jonë është përgjithësisht e korruptuar në çdo mënyrë. Ne kemi zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe aktualisht jemi duke punuar në një storie për disa kontrata që aktualisht po u jepen njerëzve të caktuar, që ndoshta të votojnë për një grup të caktuar. Ju keni një numër të madh të personave dhe kompanive që janë futur në listën e zezë në SHBA për shkak të korrupsionit”, tha Dimitrijeviq.

Disa politikanë lokal, të cilët ishin të pranishëm në debat, theksuan se “politikanët po përpiqen ta tërheqin popullsinë në korrupsion me të gjitha mjetet”.

Në panelin e organizuar në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë thanë se është i nevojshëm fokusimi më i madh i mediave në gazetarinë hulumtuese dhe në këtë drejtim mbështetje financiare shtesë për hulumtimin e temave, për të trajtuar çështjet e krimit dhe korrupsionit.

“Puna e gazetarëve në tema hulumtuese ka një rëndësi kyçe për krijimin e një shoqëri më transparente dhe forcimin e sundimit të ligjit në komunitetin serb në Kosovë”, është konkluduar.

Ky event organizohet në kuadër të projektit Rritja e transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat me shumicë serbe, i implementuar nga OJQ AKTIV dhe Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC) me mbështetjen financiare të Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (International Narcotics and Law Enforcement Affairs Bureau – INL.).

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd