Në Prishtinë, më 29 prill, u prezantua hulumtimi “Analiza e trendeve 2025”, i cili tregon se tek serbët në Kosovë vazhdon të dominojë një perceptim negativ për situatën politike, të sigurisë dhe atë socio-ekonomike.
Hulumtimi i OJQ Aktiv, i realizuar në një mostër prej më shumë se 500 respondentësh, tregon se shumica e qytetarëve vlerësojnë se situata nuk po zhvillohet në drejtimin e duhur, duke shprehur një ndjenjë të theksuar stagnimi dhe pasigurie. Edhe pse krahasuar me vitet e kaluara vërehet një rritje e lehtë e optimizmit, pothuajse tre të katërtat e të anketuarve ende nuk shohin përparim.
Rezultatet tregojnë gjithashtu dallime të konsiderueshme ndërmjet veriut dhe komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në veri dominon një pesimizëm i theksuar, veçanërisht sa i përket sigurisë dhe situatës politike, ndërsa në jug të Ibrit qëndrimet janë më të nuancuara, me një pjesëmarrje më të madhe të vlerësimeve neutrale dhe të moderuara.
Si problemet kryesore veçohen siguria, paqëndrueshmëria politike, krimi dhe korrupsioni, si dhe pasiguria ekonomike dhe largimi i të rinjve. Një përqindje e madhe e qytetarëve vlerëson se situata ekonomike është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar.
Besimi në institucione dhe aktorë politikë mbetet i ulët. Gati gjysma e të anketuarve deklaron se nuk i beson asnjë politikani, ndërsa besimi në institucione, si ato të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, është i kufizuar. Njëkohësisht vërehet edhe rënie e interesimit për zhvillimet politike, që tregon një apati në rritje tek qytetarët.
Sa i përket aktorëve ndërkombëtarë, një pjesë e të anketuarve e sheh Rusinë dhe Kinën si mbrojtësit kryesorë të interesave të komunitetit serb, ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një nivel dukshëm më të ulët besimi.
Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbetet një nga çështjet më të polarizuara. Qëndrimet janë të ndara dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh nuk pret që negociatat të sjellin përmirësime konkrete në jetën e përditshme.
OJQ Aktiv vlerëson se këto gjetje tregojnë një krizë të thellë besimi dhe mungesë të një perspektive të qartë për përparim në komunitetin serb, gjë që e ndërlikon më tej dinamikën politike dhe shoqërore në Kosovë.
“Perceptimi i pasigurisë dhe i paqartësisë politike thellohet më tej për shkak të mungesës së zgjidhjeve institucionale të dukshme dhe të qëndrueshme, por edhe për shkak të mesazheve të papërputhshme që vijnë nga qendra të ndryshme të pushtetit – nga Kosova, Beogradi dhe faktorët ndërkombëtarë. Rritja e lehtë e optimizmit e regjistruar në vitin 2025 nuk përbën një kthesë thelbësore, por më tepër një reagim të kufizuar ndaj disa lëvizjeve individuale, pa besim të qartë në ndryshime afatgjata. Dallimet e theksuara ndërmjet veriut dhe jugut tregojnë për një realitet të fragmentuar brenda vetë komunitetit serb”, vlerëson OJQ Aktiv.
Siç thekson OJQ Aktiv, pa forcimin e besimit në institucione, përmirësimin e sigurisë dhe krijimin e një kornize më të parashikueshme politike, ekziston rreziku që trendet aktuale të apatisë, mosbesimit dhe emigrimit të thellohen më tej.
“Kjo mund të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin dhe marrëdhëniet shoqërore në Kosovë.”
Publikimi është i disponueshëm në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze në faqen e internetit të OJQ Aktiv.
Ky punim u botua në kuadër të projektit Rritja e Potencialit Avokues të Organizatave të Shoqërisë Civile Serbe të Kosovës, i implementuar nga OJQ AKTIV me mbështetjen financiare të Fondi Kombëtar për Demokraci (National Endowment for Democracy – NED.) Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësia e vetme e OJQ-ve AKTIV dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e NED.