Më 8 qershor, në Qendrën për Energji Qytetare (CEC) pranë OJQ Aktiv, do të mbahet një diskutim me temën: “Pozita e komunitetit serb në pritje të formimit të institucioneve: sfidat, marrëdhëniet institucionale dhe perspektivat e ardhshme”.
Në fund të qershorit u certifikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke shënuar fillimin e një faze të re politike, e karakterizuar nga pritja për formimin e institucioneve të reja qendrore. Kjo periudhë paraqet një mundësi për të analizuar sfidat kryesore me të cilat përballet komuniteti serb, për të shqyrtuar pritshmëritë nga institucionet e ardhshme dhe për të hapur një dialog mbi çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
Gjatë muajve të fundit janë shënuar një sërë ngjarjesh dhe vendimesh që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe kanë hapur diskutime lidhur me ushtrimin e të drejtave të komunitetit serb, zbatimin e ligjeve dhe funksionimin e institucioneve. Ndër to përfshihen çështjet që lidhen me përdorimin e simboleve të komunitetit, zhvillimet gjatë shënimit të Vidovdanit, zbatimin e Ligjit për të Huajt, çështjen e targave të automjeteve, si dhe tema të tjera të hapura që burojnë nga procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në të njëjtën kohë, raste të caktuara të veprimit të institucioneve, si marrja në administrim e kampit “Rezala” në liqenin e Gazivodës, rrënimi i objekteve në lagjen Çeçevë dhe largimi i garazheve në Mitrovicën e Veriut, kanë hapur debat mbi respektimin e procedurave ligjore, ndarjen e kompetencave ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale, rolin e Policisë së Kosovës në zbatimin e vendimeve të caktuara, si dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale në komunat me shumicë serbe. Krahas kësaj, gjithnjë e më shpesh vihet në dukje përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, veçanërisht policisë, gjë që ndikon më tej në besimin e qytetarëve dhe perceptimin e sigurisë juridike.
Qëllimi i takimit është që, përmes një diskutimi të hapur dhe profesional me përfaqësues të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, të shqyrtohet se si këto procese ndikojnë në pozitën e komunitetit serb, besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, funksionimin e komuniteteve lokale dhe perspektivat për përmirësimin e dialogut institucional pas formimit të institucioneve të reja.
Një pjesë e veçantë e diskutimit do t’i kushtohet rolit të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile në ndjekjen e këtyre proceseve, cilësisë së komunikimit të tyre me institucionet lokale dhe qendrore, qasjes në informacionet me interes publik, si dhe rolit të bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, avancimin e dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Përfundimet e diskutimit do të përmblidhen në një analizë të shkurtër, e cila do të përmbajë një sërë rekomandimesh dhe do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
OJQ Aktiv përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e kësaj letre ftese është përgjegjësi e OJQ Aktiv dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e KCSF-së, SDC-së apo Suedisë.