OJQ Aktiv njofton opinionin publik se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), në mbledhjen e mbajtur më 30 tetor, ka marrë dy vendime të ndara lidhur me ankesat tona që kanë të bëjnë me shkelje serioze të standardeve profesionale dhe etikës gazetareske në raportimin e disa mediave të Kosovës.
1. Vendimi mbi ankesën kundër Gazetaexpress.com, Kosova.info, Radiokosovaelire.com dhe Faktiditor.ch
KMSHK ka miratuar pjesërisht ankesën e OJQ Aktiv lidhur me publikimin e një sërë artikujve me akuza të rënda dhe shpifëse, përfshirë pretendime për “spiunazh”, përcjellje të drejtorit të OJQ Aktiv dhe pohime të tjera që janë publikuar gjerësisht në mediat online. Këshilli konstatoi se disa portale kanë shkelur Kapitullin IV – e drejta për përgjigje, pasi nuk e kanë kontaktuar organizatën para publikimit, ndërsa pretendimet e tjera, pavarësisht insinuatave serioze, nuk janë vlerësuar si nxitje e gjuhës së urrejtjes sipas Kapitullit III të Kodit. Ankesa është shpallur pjesërisht e bazuar.
2. Vendimi mbi ankesën kundër TV Klan Kosova dhe portalit Klankosova.tv
Në procedurën e dytë, KMSHK shqyrtoi ankesën e OJQ Aktiv ndaj TV Klan Kosova dhe Klankosova.tv për tekstin dhe përmbajtjen televizive të publikuar nën titullin “Si u monitoruan policët e Kosovës nga OJQ e afërt me spiunen serbe?”.
KMSHK konstatoi:
• Për kronikën televizive të TV Klan Kosova, Këshilli nuk është organ kompetent dhe e udhëzoi OJQ Aktiv të paraqesë ankesë në Komisionin e Mediave të Pavarura (KPM).
• Për tekstin e publikuar në portalin Klankosova.tv, Këshilli konstatoi se ankesa është pjesërisht e bazuar, pasi mediumi nuk e ka respektuar të drejtën për përgjigje (Kapitulli IV), edhe pse nuk u gjetën elemente të shkeljes së Kapitullit II (raportim i vërtetë) apo Kapitullit III (gjuhë e urrejtjes).
OJQ Aktiv vlerëson se të dy rastet kanë treguar mangësi serioze në raportimin profesional dhe se përmbajtjet e publikuara kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme të reputacionit dhe rrezik për sigurinë e organizatës dhe individëve. Pavarësisht se ankesat janë miratuar pjesërisht, konsiderojmë se KMSHK ka qenë tejet restriktiv në interpretimin e Kodit dhe se shkeljet e mediave janë shumë më të thella.
Në vendimet e miratuara mungon identifikimi i qartë i raportimit joetik, gjuhës së hapur të urrejtjes që është transmetuar disa herë në emision, si dhe i përmbajtjeve që kanë nxitur targetimin dhe gjeneruar gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale. Edhe pse ankesa është miratuar pjesërisht, vlerësojmë se KMSHK ka injoruar shkeljet më të rënda të Kodit, duke minimizuar përgjegjësinë e mediave.
Veçanërisht shqetësuese është përsëritja e akuzave të rënda dhe të paverifikuara pa kontakt paraprak me OJQ Aktiv, si dhe transmetimi i pretendimeve të pabazuara që kontribuojnë në stigmatizimin dhe targetimin e organizatës.
Për këto arsye, OJQ Aktiv:
• Shpreh pakënaqësi me vendimet e miratuara, pasi ato nuk pasqyrojnë fushëveprimin dhe rëndësinë e shkeljeve të kryera;
• Duke ndjekur procedurën para këtij organi vetërregullues, po ndërmerr hapa ligjorë para institucioneve kompetente gjyqësore për të mbrojtur reputacionin, sigurinë dhe integritetin profesional të organizatës.
OJQ Aktiv mbetet e përkushtuar për të promovuar gazetarinë etike, të përgjegjshme dhe të vërtetë dhe do të vazhdojë t’i përgjigjet të gjitha formave të dezinformimit dhe shënjestrimit të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe anëtarëve të komunitetit. Ne kundërshtojmë veçanërisht keqpërdorimin e mediave për qëllime politike, ku narrativat politike të papërgjegjshme ndikojnë negativisht te anëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë.