Organizata OJQ Aktiv mbajti në Graçanicë një takim pune kushtuar përmirësimit të komunikimit në krizë, planifikimit strategjik dhe kapaciteteve avokuese të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.

Takimi u organizua në hapësirat e Civic Energy Center (CEC) dhe mblodhi përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe mediave që veprojnë në mjedise të ndryshme në Kosovë. Ky aktivitet përbën vazhdimësi të takimit të mbajtur në tetor të këtij viti, ku u hap diskutimi mbi sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile në kushte presioni të shtuar, rrethanash krize dhe fushatash negative mediale.

Tema qendrore e takimit ishte vendosja dhe përmirësimi i kornizës për komunikimin në krizë, me qëllim që pjesëmarrësve t’u ofrohen mjete konkrete për reagim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe efektiv në situata që mund të rrezikojnë punën, reputacionin dhe sigurinë e organizatave dhe individëve.

Si studime rasti u prezantuan tri sulme konkrete ndaj organizatës OJQ Aktiv, të manifestuara përmes sulmeve të orkestruara dhe të koordinuara mediale nga disa media që raportojnë në gjuhën shqipe. Këta shembuj shërbyen si bazë për analizë të përbashkët mbi mënyrën se si krijohen narrativat negative, si përhapen ato në hapësirën publike dhe çfarë pasojash mund të kenë për organizatat që veprojnë në interes publik.

Pjesëmarrësit, përmes një diskutimi të strukturuar, trajtuan mënyrat e identifikimit të sinjaleve të hershme të presioneve mediatike dhe politike, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe përcaktimin e reagimit adekuat në varësi të kontekstit dhe intensitetit të sulmeve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së reagimit në kohë, mesazheve të qarta dhe paraqitjes publike të përgjegjshme, si dhe nevojës që organizatat të kenë mekanizma të brendshëm për koordinim dhe vendimmarrje në situata krize.

Në kuadër të segmentit për planifikim strategjik, u diskutua rëndësia e procedurave të parapërcaktuara dhe e një qasjeje afatgjatë ndaj komunikimit në krizë. U theksua se mungesa e strategjive të qarta shpesh çon në reagime të improvizuara dhe të pakoordinuara, duke e vështirësuar më tej pozitën e organizatave të ekspozuara ndaj presioneve. Pjesëmarrësit u pajtuan se është e domosdoshme puna sistematike në forcimin e kapaciteteve të brendshme, për të siguruar veprim të qëndrueshëm, të qetë dhe profesional në rrethana krize.

Pjesa e tretë e takimit iu kushtua avokimit dhe veprimit strategjik në situata sulmesh publike dhe dezinformimi. Diskutimi u përqendrua në hartëzimin e institucioneve relevante, organeve rregullatore, shoqatave mediatike dhe gazetareske, si dhe aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilëve organizatat mund t’u drejtohen për mbrojtjen e të drejtave dhe integritetit të tyre profesional.

U theksua veçanërisht rëndësia e rrjetëzimit, solidaritetit dhe reagimit të përbashkët, duke pasur parasysh se sulmet ndaj organizatave individuale shpesh janë pjesë e presionit më të gjerë ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së veprimit publik.

U konkludua se takime të tilla kanë rëndësi të jashtëzakonshme për shkëmbimin e përvojave, avancimin e njohurive dhe ndërtimin e strategjive të përbashkëta për reagim në situata krize. OJQ Aktiv do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme organizimin e aktiviteteve të ngjashme, me synim forcimin e qëndrueshmërisë së organizatave të shoqërisë civile, përmirësimin e standardeve profesionale në komunikimin publik dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më nxitës për veprim në interes publik.

NGO AKTIV Mitrovica