Mos(respektimi) i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: Kuvendi i Kosovës

Mungesa e disa dokumenteve, kategorive dhe nënkategorive, planeve strategjike si dhe informacioneve për konkurse të caktuara, është përfundimi i analizës së faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të Kuvendit të Kosovës. Problemi i përmbajtjes së pakoordinuar nuk kufizohet vetëm në formën e shkruar, disa materiale video janë, në shumicën e rasteve, të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe, pa përkthim audio apo të shkruar në gjuhën serbe.

Për problemin e shkeljes sistematike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë po tërhiqet vëmendja prej vitesh, por ai vazhdon të ekzistojë, pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës serbe dhe shqipe. Në këtë kuptim, komunitetet jo-shumicë, në këtë rast ato që komunikojnë në gjuhën serbe, vazhdojnë të mbeten pa qasje në informacione thelbësore. Për më tepër, kjo është konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023[2], ku në disa pika theksohet ky problem.

Për këtë arsye, OJQ Aktiv, Radio Kim, Nisma e Re Shoqërore (NSI), Radio Gorazhdevci dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) vazhdojnë fushatën e avokimit publik me qëllim që institucionet të nxisin zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Këtë javë në fokus është Kuvendi i Kosovës. Pas shqyrtimit të faqes zyrtare dhe profileve në rrjetet sociale, konstatojmë se prania e gjuhës serbe është vetëm pjesërisht e përfaqësuar, pavarësisht se, së bashku me shqipen, është gjuhë zyrtare në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ, ka një rol kyç në zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore, përfshirë edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kjo institucion duhet të vendosë standarde të transparencës, barazisë dhe qasjes për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre gjuhësore. Respektimi i të drejtave gjuhësore, veçanërisht në institucione si Kuvendi, ndikon drejtpërdrejt në besimin që komunitetet pakicë kanë ndaj institucioneve të sistemit. Gjuha serbe, bashkë me atë shqipe, është gjuhë zyrtare në Kosovë, prandaj prania e saj e vazhdueshme në punën dhe komunikimin e Kuvendit nuk është çështje teknike, por detyrim ligjor. Neglizhimi i këtij detyrimi dërgon një mesazh përjashtimi dhe nxit ndjenjën e pabarazisë institucionale. Pikërisht për këtë arsye, zbatimi konsistent i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kuvendin e Kosovës përbën bazën për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Çfarë kemi zbuluar në faqen e Kuvendit të Kosovës?

Dokumentet e pavarësisë: Një nga shembujt e shkeljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve është evidentuar pikërisht në këtë kategori. Në pjesën e faqes në gjuhën serbe[3], përveç titullit, nuk ka asnjë dokument të publikuar, ndërsa në gjuhën shqipe[4] të gjitha dokumentet janë të paraqitura në mënyrë të rregullt.

Draftligjet[5]: Sa i përket kësaj kategorie në pjesën e faqes në gjuhën serbe, edhe pse dokumentet janë të përkthyera, disa prej titujve janë në gjuhën shqipe. E njëjta situatë është vërejtur edhe në kategorinë “Ligjet”[6].

Vendet e punës[7]: Kjo kategori përbën një tjetër shembull të mospërputhjes mes dokumenteve në gjuhën serbe dhe shqipe. Në pjesën e faqes në serbisht, përveç titullit të kategorisë, nuk ka asnjë dokument, ndërsa në gjuhën shqipe është i bashkangjitur në mënyrë të detajuar rezultati i konkursit.

Kryetari i Kuvendit: Në seksionin e faqes ku gjendet biografia e kryetarit të institucionit, informacioni i vetëm i ofruar në gjuhën serbe[8] është emri dhe funksioni. Përkundrazi, në gjuhën shqipe është publikuar një biografi e detajuar me të dhëna mbi kualifikimet, arsimin dhe përvojën profesionale.

Grupet vullnetare të deputetëve: Kjo kategori, e cila përfshin dy nënkategori – “Grupi i grave deputete”[9] dhe “Grupi i deputetëve të rinj”[10], në pjesën e faqes në gjuhën serbe janë të titulluara në gjuhën shqipe.

Prokurimi[11]: Situata identike është evidentuar edhe në këtë kategori, dokumentet në pjesën e faqes në gjuhën serbe janë të titulluara në gjuhën shqipe. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në kategorinë “Projekti për luftimin e krimit ekonomik”[12].

Legjislaturat e mëparshme[13]: Në faqen zyrtare të Kuvendit, në pjesën e dedikuar për legjislaturat e mëparshme, pothuajse të gjitha informacionet e bashkangjitura në versionin serb të faqes janë në gjuhën shqipe.

ASI Newsletter: Dokumentet e paraqitura në këtë kategori në gjuhën serbe nuk mund të hapen[14].

Memorandumi[15]: Gjatë analizës së kësaj kategorie është vërejtur se në pjesën e faqes në gjuhën shqipe janë të disponueshme nëntë dokumente, ndërsa në pjesën në gjuhën serbe janë të bashkangjitur vetëm tetë. Gjithashtu, njëri prej dokumenteve në pjesën serbe është i titulluar në gjuhën shqipe.

Analiza buxhetore: Një tjetër shembull i mospërputhjes së përmbajtjes është evidentuar në këtë kategori. Në pjesën serbe[16] të faqes është i disponueshëm vetëm një dokument, ndërsa në pjesën shqipe[17] janë të bashkangjitura tre dokumente.

Plani strategjik[18]: Në kategorinë që i referohet planit strategjik të Kuvendit, dokumenti për periudhën 2022–2025 është i disponueshëm vetëm në gjuhën shqipe, edhe pse ndodhet në seksionin e faqes në gjuhën serbe.

Bashkëpunimi ndërkombëtar: Në pjesën e faqes në gjuhën serbe, kjo kategori është titulluar në gjuhën angleze, dhe krahasuar me versionin në gjuhën shqipe, mungojnë dy nënkategori.

Përpunimi i raporteve[19]: Kategoria ku janë të paraqitura informacionet për personin zyrtar përgjegjës për pranimin dhe përpunimin e raporteve është e disponueshme vetëm në gjuhën shqipe.

Seanca[20]: Informacionet e përgjithshme mbi funksionimin e seancave të Kuvendit, në pjesën e faqes në gjuhën serbe, janë të bashkangjitura në një gjuhë që nuk është zyrtare në Kosovë – në gjuhën angleze.

Mediet[21]: Në seksionin e faqes që i dedikohet mediave, në versionin serb mungon nënkategoria “Strategjia e informimit dhe komunikimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, e cila është e pranishme në versionin shqip të faqes.

Forumi për transparencën parlamentare[22]: Në këtë kategori është vërejtur një tjetër rast i mospërputhjes sa i përket dokumenteve të paraqitura. Ndërsa në versionin shqip të faqes janë të bashkangjitura gjashtë dokumente, në versionin serb janë të disponueshme vetëm pesë.

Kërkimet legjislative: E njëjta situatë është evidentuar edhe në këtë kategori. Përveç përshkrimit të kategorisë në gjuhën serbe, nuk është i bashkangjitur asnjë dokument, ndërsa në versionin shqip të faqes janë të disponueshëm dy dokumente.

Rrjetet sociale

Facebook[23]: Në faqen zyrtare të Kuvendit në këtë rrjet social, shumica e postimeve informuese dhe aktiviteteve janë të disponueshme edhe në gjuhën serbe, përfshirë përmbajtjet video si urimet për festat, fushatat dhe shënimi i ditëve ndërkombëtare. Megjithatë, kur bëhet fjalë për transmetimet e seancave, mungon përkthimi i shkruar apo audio në gjuhën serbe.

YouTube[24]: Një situatë e ngjashme është vërejtur edhe në këtë platformë. Një pjesë e materialeve video informuese është e disponueshme në gjuhën serbe, ndërsa shumica e përmbajtjeve – përfshirë transmetimet e seancave dhe deklaratat e deputetëve për media – janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe, pa përkthim në gjuhën serbe.

Pse është kjo e rëndësishme?

Ashtu siç kemi theksuar në disa nga analizat tona të mëparshme, ku kemi identifikuar raste të praktikave të këqija, edhe ky vazhdim i fushatës sonë konfirmon se shpërfillja sistematike e gjuhës serbe në institucionet e Kosovës përbën një problem serioz. Një qasje e tillë pamundëson informimin e barabartë të komuniteteve jo-shumicë dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ky ligj përcakton qartë se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare dhe të barabarta në Kosovë. Prandaj, me praktikën shumëvjeçare të injorimit të këtij problemi dhe heshtjes përballë shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave gjuhësore, qytetarëve të përkatësisë serbe dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë që mbështeten në informacionet në gjuhën serbe u mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe me ligj për qasje të barabartë në informacione me interes publik.

Për këtë arsye, është thelbësore që në vend të përdorimit të përkthyesve të pakualifikuar apo të përkthimeve automatike si Google Translate, të angazhohen përkthyes të kualifikuar që do të sigurojnë përkthime cilësore dhe të qarta në gjuhën serbe. Krijimi i një sistemi funksional të përkthimit do të mundësojë qasje të pandërprerë në informacionet me rëndësi publike dhe, më e rëndësishmja, institucionet do të dëshmojnë në praktikë përkushtimin e tyre ndaj respektimit të plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut – të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut[25].

Ndërkohë që organizatat joqeveritare, me burime të kufizuara, rregullisht sigurojnë prezantim në tri gjuhë për aktivitetet e tyre, Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ, me një buxhet dhe burime shumë më të mëdha, padyshim ka pasur mjete të mjaftueshme për të siguruar përkthim adekuat në gjuhën serbe.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që në afatin më të shkurtër të mundshëm të nisë procesin e harmonizimit të versioneve gjuhësore të informatave të publikuara në faqen e tij zyrtare dhe në rrjetet sociale, duke siguruar qasje të barabartë në informacion në të dy gjuhët zyrtare.

Edhe kësaj radhe i bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të heqë dorë nga qasja deklarative për respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe të udhëzojë institucionet që të harmonizojnë përdorimin e gjuhëve në të gjitha nivelet e përcaktuara me ligj.

Njëkohësisht, apelojmë edhe te Zyra e Komisionerit për Gjuhë që të fillojë zbatimin e dispozitave ligjore brenda fushëveprimit të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një ambienti institucional që respekton detyrimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbrojtjen, promovimin, ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Edhe një herë inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen aktivisht në këtë proces dhe të raportojnë të gjitha shkeljet gjuhësore tek institucionet përkatëse, siç janë Zyra e Komisionerit për Gjuhë (zkgj.kpj@gmail.com) dhe Zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org). Po ashtu, i ftojmë qytetarët që në rast se hasin ndonjë parregullsi gjuhësore, të kontaktojnë organizatën NGO Aktiv (office@ngoaktiv.org) dhe kështu t’i bashkohen thirrjes për respektimin e normave të përcaktuara me ligj nga institucionet kompetente.

[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf

[3] https://www.kuvendikosoves.org/srb/dokumentet-e-pavarsise-se-kosoves/

[4] https://www.kuvendikosoves.org/shq/dokumentet-e-pavarsise-se-kosoves/

[5] https://www.kuvendikosoves.org/srb/predlozi-zakona-i-zakoni/predlozi-zakona/?draftlaw=579

[6] https://www.kuvendikosoves.org/srb/predlozi-zakona-i-zakoni/predlozi-zakona/?draftlaw=505

[7] https://www.kuvendikosoves.org/srb/punesimi/radna-mesta/

[8] https://www.kuvendikosoves.org/srb/predsedsednik-skupstine/

[9] https://www.kuvendikosoves.org/srb/grupet-vullnetare-te-deputeteve/grupi-i-grave-deputete/

[10] https://www.kuvendikosoves.org/srb/grupet-vullnetare-te-deputeteve/grupi-i-deputeteve-te-rinj/

[11] https://www.kuvendikosoves.org/srb/izvestaji/nabavka/

[12] https://www.kuvendikosoves.org/srb/raporti/projekat-za-borbu-protiv-privrednog-kriminala/#

[13] https://www.kuvendikosoves.org/srb/arkiva-e-legjislaturave/

[14] http://old.kuvendikosoves.org/?cid=3,174

[15] https://www.kuvendikosoves.org/srb/naslovna/dokumente/memorandum/

[16] https://www.kuvendikosoves.org/srb/naslovna/dokumente/budzetska-analiza/

[17] https://www.kuvendikosoves.org/shq/ballina/dokumente/analize-buxhetore/

[18] https://www.kuvendikosoves.org/srb/naslovna/dokumente/strateski-plan-skupstine-republike-kosovo-202/

[19] https://www.kuvendikosoves.org/shq/sinjalizimi/#

[20] https://www.kuvendikosoves.org/srb/sessions/sednica/

[21] https://www.kuvendikosoves.org/shq/procesi-i-integrimit-ne-bashkimin-evropian/

[22] https://www.kuvendikosoves.org/srb/per-publikun/forum-za-transparentnost-parlamenta/

[23] https://www.facebook.com/kuvendi.skupstina/

[24] https://www.youtube.com/channel/UC4Xc2nL2i8Pu3PL_tljnjjg/videos

[25] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd