Shkelja e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës në pothuajse çdo rast është përfundimi më i shkurtër, por edhe më i saktë pas analizimit të faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Mungesa e gjuhës serbe nuk është rezultat vetëm i gabimeve teknike apo përkthimeve sporadike, ajo është sistematike dhe gjithëpërfshirëse. Dokumentet kyçe që kanë të bëjnë me punësimin, tenderët, legjislacionin dhe organizimin e brendshëm janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa në versionin serb të faqes kategoritë janë shpeshherë të zbrazëta ose të paplota. E njëjta praktikë zbatohet edhe për përmbajtjet video, të cilat publikohen pa përjashtim vetëm në gjuhën shqipe. Kështu, përdoruesve që mbështeten në gjuhën serbe nuk u jepet as minimumi i mundësisë për qasje të barabartë në informacione.
Problemi i shkeljes sistematike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë është evidentuar për vite me radhë, por vazhdon të ekzistojë, pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe dhe asaj serbe. Në këtë drejtim, komunitetet joshumicë, në këtë rast ato që komunikojnë në gjuhën serbe, mbesin të privuara nga informacione kyçe. Madje, kjo është vërejtur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023[2] ku në disa pika theksohet ky problem.
Për këtë arsye, organizatat OJQ Aktiv, Radio Kim, Iniciativa e Re Shoqërore (NSI), Radio Gorazhdevc dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) vazhdojnë fushatën e avokimit publik me qëllim që institucionet të nxisen për ta zgjidhur këtë problem shumëvjeçar. Këtë javë në fokus është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa analiza e faqes dhe rrjeteve të saj sociale tregon se gjuha serbe përdoret vetëm në mënyrë sporadike dhe simbolike.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si një nga organet kyçe të pushtetit ekzekutiv, ka përgjegjësi të veçantë për të siguruar qasje të barabartë në informacione për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë gjuhësore. Zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në këtë rast nuk është vetëm një formalitet, por një dëshmi konkrete e barazisë dhe gjithëpërfshirjes institucionale. Kur një pjesë e popullsisë nuk ka qasje në informacionet themelore për konkurset, tenderët, legjislacionin apo aktivitetet e ministrisë, krijohet një ndjenjë e përjashtimit dhe marginalizimit. Kështu, nuk shkelet vetëm Ligji për përdorimin e gjuhëve, por edhe parimet themelore të transparencës dhe barazisë, të cilat duhet të jenë themel i çdo shoqërie që synon demokracinë.
Çfarë zbuluam në faqen e internetit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës?
Emërtimi zyrtar: Që në fillim të versionit në gjuhën serbe të faqes së internetit të këtij ministrie, vërehet se emri zyrtar i institucionit nuk është përkthyer plotësisht. Në vend të emrit të plotë “Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, është paraqitur forma e shkurtuar “Ministria e Infrastrukturës”.
Ministri: Në versionin serb të faqes[3], në pjesën ku duhet të jenë të dhënat për ministrin, mungojnë plotësisht informacionet përkatëse, përfshirë edhe fotografinë. Në versionin në gjuhën shqipe[4] ë gjitha detajet janë të pranishme dhe të përditësuara.
Zëvendësministrat[5]: E njëjta situatë është vërejtur edhe në këtë seksion. Përveç titullit në gjuhën serbe, nuk ka asnjë përmbajtje shtesë. Ndërkohë, në versionin shqip[6] informacionet janë të plota dhe të qasshme.
Kabineti i ministrit: Është vërejtur një mospërputhje tjetër ndërmjet versionit serb[7] dhe atij shqip të përmbajtjes[8]. Derisa në versionin shqip jepen informacione të detajuara për stafin, në atë serb këto të dhëna mungojnë krejtësisht, përveç titullit. Njësoj ndodh edhe me kategorinë “Sekretari i përgjithshëm”[9] u mungon përshkrimi dhe titulli përmban gabim gramatikor.
Ogranogrami: Edhe në këtë pjesë është vërejtur mungesë përmbajtjeje. Ndërsa në versionin shqip[10] shtë e publikuar një skemë e detajuar e strukturës, në atë serb[11] nuk ka asnjë informacion përveç titullit.
Lajmet[12]: Edhe në këtë kategori është vërejtur mospërputhje gjuhësore, në versionin serb të faqes mungojnë linkët që lidhen me aktivitetet e ministrisë, ndërsa vetë titulli i kategorisë është në gjuhën shqipe. Përkundrazi, në versionin shqip, të gjitha të dhënat janë të qasshme dhe të strukturuara.
Galeria e fotografive[13]: Shkelja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve është vërejtur edhe në këtë seksion, pasi informatat dhe tekstet shoqëruese të fotografive janë titulluar në gjuhën shqipe në versionin serb të faqes.
Galeria e videove[14]: Situata është edhe më drastike në këtë kategori. Në versionin serb të faqes është i ngarkuar vetëm një video, dhe ai është në gjuhën shqipe. Ndërkohë, në versionin shqip janë të ngarkuara dhjetëra video-materiale që lidhen me informata të përgjithshme, fushata informuese dhe aktivitete të ndryshme të kësaj ministrie.
Departamentet[15]: Ky seksion përfaqëson shkallën më serioze të mospërputhjes dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në versionin serb të faqes, të gjitha titujt e kategorive janë në gjuhën shqipe, ndërsa përmbajtjet që lidhen me infrastrukturën rrugore, trafikun rrugor, administratën etj., mungojnë krejtësisht, faqet janë bosh. Gjithashtu, ndërsa në versionin shqip janë të qasshme 11 kategori, në atë serb janë vetëm tetë. Përdoruesit që e vizitojnë faqen në gjuhën serbe nuk kanë qasje në informata mbi funksionimin e departamenteve të veçanta të Ministrisë, të cilat në versionin shqip janë të detajuara dhe të plota.
Konkursi[16]: Një disbalancë drastike në qasjen në informata midis dy versioneve gjuhësore është e dukshme edhe në këtë kategori. Në versionin shqip janë të qasshme[17] mbi njëqind dokumente që lidhen me punësimin, ndërsa në versionin serb janë të disponueshme vetëm katër dokumente. Ky disproporcion praktikisht ua pamundëson pjesëtarëve të komunitetit që përdorin gjuhën serbe të kenë qasje të barabartë në informata për konkurset dhe vendet e lira të punës në kuadër të Ministrisë.
Legjislacion[18]: Edhe ky seksion ilustron pothuajse në tërësi informimin njëkahësh. Ndërsa përdoruesit e versionit shqip të faqes kanë qasje në një gamë të gjerë dokumentesh ligjore dhe administrative përmes 13 kategorive të qarta, përdoruesit që mbështeten në versionin serb kanë në dispozicion vetëm tetë kategori, shumë prej të cilave janë të papërkthyera dhe pa asnjë përmbajtje. Mungesa e informatave themelore, siç janë ligjet, aktet nënligjore, licencat, strategjitë, rregulloret, aplikacionet dhe informatat mbi transportin ndërurban dhe ndërkombëtar në gjuhën serbe, krijon përshtypjen se ky seksion është vendosur thjesht për t’u përmbushur një detyrim formal, por jo për të qenë funksional.
Tenderë[19]: Kjo kategori përfaqëson një tjetër shembull të zbrazëtisë së plotë informative në versionin serb të faqes. Përveç titullit të përkthyer, i gjithë seksioni është pa përmbajtje, asnjë dokument, njoftim apo informatë për tenderët e shpallur nuk është i disponueshëm në gjuhën serbe. Përkundrazi, në versionin shqip[20] të faqes janë të qasshme më shumë se dhjetë dokumente relevante, gjë që tregon qartë për një qasje të pabarabartë në informata dhe për një shkelje serioze të obligimeve ligjore lidhur me komunikimin dygjuhësor të institucioneve publike.
Informata[21]: Disproporcioni në sasinë e informatave dhe dokumenteve që kanë të bëjnë me njoftime të ndryshme, nga çështjet publike, njoftimet për kontrata të caktuara, deri te asfaltimi i rrugëve, është i dukshëm edhe në këtë kategori. Në versionin shqip të faqes janë të publikuara mbi 100 dokumente, ndërsa në versionin serb janë të disponueshme vetëm 15.
Rrjetet sociale
Facebook[22]: Praktika e Ministrisë në rrjetin social Facebook reflekton të njëjtin model të komunikimit njëgjuhësh, gjuha serbe mungon tërësisht. Emri i faqes, si dhe pothuajse të gjitha postimet që lidhen me aktivitete, takime, komunikata dhe informata të tjera, qofshin tekstuale apo në formë videoje, janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe.
YouTube[23]: Edhe në këtë platformë vërehet mungesë e plotë e përmbajtjes në gjuhën serbe. I gjithë materiali i disponueshëm është publikuar vetëm në gjuhën shqipe, pa asnjë përpjekje për harmonizim gjuhësor. Gjuha serbe mbetet krejtësisht e padukshme në këtë hapësirë digjitale.
Pse është kjo e rëndësishme?
Siç kemi theksuar në mënyrë të përsëritur në analizat tona të mëparshme, edhe ky vazhdim i fushatës sonë konfirmon se injorimi sistematik i gjuhës serbe në institucionet e Kosovës përbën një problem serioz. Një praktikë e tillë e pamundëson informimin e barabartë të komuniteteve jo-shumicë dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ky ligj përcakton qartë se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare dhe të barabarta në Kosovë, dhe se praktika shumëvjeçare e injorimit të këtij problemi, si dhe heshtja përballë shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave gjuhësore, i mohon qytetarëve të komunitetit serb dhe të tjerëve që mbështeten në gjuhën serbe të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe ligj për qasje të barabartë në informacionet me rëndësi publike.
Në dritën e analizave tona të mëparshme, lindin disa pyetje legjitime. Së pari, çfarë, në fakt, po financojnë taksapaguesit e Kosovës, përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë, përfshirë serbët? Si është e mundur që nga fondet publike, në të cilat kontribuojnë në mënyrë të barabartë edhe ata që nuk kanë qasje në përmbajtje, të financohet një sistem që i diskriminon në aspektin informativ? Heshtja e Zyrës së Komisionerit për Gjuhë thellon edhe më shumë shqetësimin, ndërsa mungesa e reagimit nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të komuniteteve që mbështeten në gjuhën serbe ngre pyetjen e përgjegjësisë dhe përfaqësimit të vërtetë të interesave të qytetarëve.
Gjithashtu, kemi një pyetje për shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, çfarë konkretisht mbështetet dhe financohet në Kosovë kur forma të tilla të mosrespektimit sistematik të ligjit janë të qarta, por nuk adresohen dhe nuk nxisin reagim? Së fundi, është e logjikshme të pyesim edhe: për çfarë shërben prezenca zyrtare tre-gjuhëshe e Ministrisë në internet, kur përmbajtja në njërën nga gjuhët zyrtare është pothuajse e paqasshme, sipërfaqësore apo thjesht simbolike, duke krijuar përshtypjen e mosrespektimit, madje shpesh edhe të arrogancës institucionale. Heshtja ndaj shembujve të tillë nuk është më një problem teknik, por një mesazh se qasja e barabartë në informata nuk është prioritet, por vetëm një formalitet.
Prandaj është e rëndësishme që në vend të praktikës së përdorimit të përkthyesve të pakualifikuar ose përkthimit me Google, të angazhohen përkthyes profesionistë që do të sigurojnë përkthime cilësore dhe të qarta në gjuhën serbe. Me vendosjen e një sistemi funksional për përkthim, do të mundësohet qasje pa pengesa në informacionet publike dhe, më e rëndësishmja, institucionet do të tregojnë përkushtim praktik për respektimin e plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut, të drejta të garantuara nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut[24].
Ndërkohë që organizatat joqeveritare, me burime të kufizuara[25], ofrojnë rregullisht përmbajtje në tri gjuhë për aktivitetet e tyre, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila disponon një buxhet[26] prej 260 milionë eurosh për vitin 2025, me siguri ka pasur burime të mjaftueshme për të siguruar përkthime adekuate në gjuhën serbe.
Prandaj, u bëjmë thirrje Ministrisë që sa më shpejt të nisë procesin e harmonizimit gjuhësor të përmbajtjes në uebfaqen e saj dhe në rrjetet sociale, për të siguruar qasje të barabartë në informatat thelbësore në të dy gjuhët zyrtare. Gjithashtu, u bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të heqë dorë nga qëndrimet deklarative për respektimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë dhe t’u kërkojë institucioneve që të harmonizojnë përmbajtjen gjuhësore në përputhje me ligjin.
Njëkohësisht, edhe një herë i bëjmë apel Zyrës së Komisionerit për Gjuhë që të fillojë zbatimin e ligjit brenda kompetencave të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një mjedisi institucional që respekton detyrimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbrojtjen, promovimin, ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës
Për më tepër, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen aktivisht në këtë proces dhe të raportojnë çdo parregullsi gjuhësore te institucionet përkatëse, siç janë Zyra e Komisionerit për Gjuhë (zkgj.kpj@gmail.com) dhe Zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org). Po ashtu, u bëjmë thirrje qytetarëve që, nëse hasin në ndonjë shkelje gjuhësore, të kontaktojnë NGO Aktiv (office@ngoaktiv.org) dhe në këtë mënyrë të bashkohen me ne në apel për respektimin e normave të përcaktuara me ligj.
[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf
[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf
[3] https://www.mit-ks.net/sr/ministar
[4] https://www.mit-ks.net/sq/ministri
[5] https://www.mit-ks.net/sr/zamenici-ministara
[6] https://www.mit-ks.net/sq/zevendesministrat
[7] https://www.mit-ks.net/sr/kabinet-ministara
[8] https://www.mit-ks.net/sq/kabineti-i-ministrit
[9] https://www.mit-ks.net/sr/generlani-sekretar
[10] https://www.mit-ks.net/sq/organogrami
[11] https://www.mit-ks.net/sr/organogram
[12] https://www.mit-ks.net/sr/aktivitetet-e-zevendesministrave
[13] https://www.mit-ks.net/sr/foto-galerija
[14] https://www.mit-ks.net/sr/video-galerija
[15] https://www.mit-ks.net/sr/departamenti-i-menaxhimit-te-rrugeve
[16] https://www.mit-ks.net/sr/radno-mesto
[17] https://www.mit-ks.net/sq/konkurse
[18] https://www.mit-ks.net/sr/licence
[19] https://www.mit-ks.net/sr/tenderi
[20] https://www.mit-ks.net/sq/tendere
[21] https://www.mit-ks.net/sr/informacije
[22] https://www.facebook.com/mmph.rks
[23] https://www.youtube.com/@ministriaeinfrastruktures2209/videos
[24] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski
[25] https://ngoaktiv.org/vesti/sistematsko-nepostovanje-zakona-o-upotrebi-jezika-nvo-kao-standard-u-jezickoj-ravnopravnosti/
[26] https://telegrafi.com/en/Kosovo-budget-for-2025-25-4-salaries-and-allowances-25-8-capital-investments/?utm_source=chatgpt.com